Si përdoren mjetet e inteligjencës artificiale për krijimin e përmbajtjeve të rreme? (VIDEO)
Elon Musk flet shqip, ndërsa Donald Trump prezantohet si “presidenti i Federatës Ruse” – këto dhe video të ngjashme manipuluese tashmë mund të krijohen në më pak se dy minuta, transmeton Portalb.mk. Mjetet e inteligjencës artificiale sot ofrojnë mundësi të pakufizuara, kështu që ato mund të ndryshojnë fytyrën e një personi me një tjetër dhe […]
Elon Musk flet shqip, ndërsa Donald Trump prezantohet si “presidenti i Federatës Ruse” – këto dhe video të ngjashme manipuluese tashmë mund të krijohen në më pak se dy minuta, transmeton Portalb.mk.
Mjetet e inteligjencës artificiale sot ofrojnë mundësi të pakufizuara, kështu që ato mund të ndryshojnë fytyrën e një personi me një tjetër dhe të ndryshojnë ose shtojnë një zë të krijuar artificialisht të ngjashëm me atë të njerëzve realë.
Një video e publikuar së fundmi nga Fondacioni Metamorphosis flet për kërcënimin në rritje të përmbajtjes së rreme të krijuar me ndihmën e inteligjencës artificiale. Videoja edukative eksploron pasojat e përhapjes së përmbajtjes “deepfake” dhe motivet pas saj, duke informuar për teknikat e përdorura për ta manipuluar atë.
Ndërsa këto teknologji evoluojnë, ato bëhen një rrezik në rritje për të vërtetën dhe besimin në epokën digjitale. Për rajonin e Ballkanit Perëndimor, ku tensionet politike tashmë janë të larta, rreziqet janë edhe më të theksuara. Përmbajtja e rreme e krijuar me mjetet e IA përdoret për të thelluar ndarjet, për të manipuluar opinionin publik dhe për të destabilizuar shoqëritë e brishta në interes të qendrave të pushtetit antidemokratike dhe autoritare.
Videoja edukative paraqet një sërë shembujsh nga rajoni i identifikuar si pjesë e projektit “Qendra kundër dezinformimit në Ballkanin Perëndimor: ekspozimi i ndikimeve të rrezikshme përmes gazetarisë vëzhguese“, i cili zbatohet me mbështetjen e Mbretërisë së Holandës nga Fondacioni Metamorfosis në bashkëpunim me Faktoje (Shqipëri), Qendrën për Çështjet Ndërkombëtare dhe të Sigurisë – ISAC Fund (Serbi), Qendrën për Tranzicion Demokratik – CDT (Mali i Zi), Sbunker (Kosovë) dhe Shoqatën e Qytetarëve Why not/Pse Jo (Bosnje dhe Hercegovinë).