Mickoski për vizitën në Bruksel: Përgatitëm dokumentin më cilësor për Planin e Rritjes, do të mbrojmë edhe interesat kombëtare

Në prag të vizitës në Bruksel, kryeministri Hristijan Mickoski theksoi se në agjendë do të jetë Plani për Rritje, ndërsa për procesin e integrimeve evropiane do të mbrojë interesat kombëtare të Maqedonisë. Qëndrimi i Qeverisë për ndryshimet kushtetuese, siç tha ai, është i qartë dhe “duam të dimë se nëse e nisim, siç na ishte […]

shtator 18, 2024 - 15:00
 0  4
Mickoski për vizitën në Bruksel: Përgatitëm dokumentin më cilësor për Planin e Rritjes, do të mbrojmë edhe interesat kombëtare
Hristijan Mickoski. Foto: Qeveria e RMV-së

Në prag të vizitës në Bruksel, kryeministri Hristijan Mickoski theksoi se në agjendë do të jetë Plani për Rritje, ndërsa për procesin e integrimeve evropiane do të mbrojë interesat kombëtare të Maqedonisë. Qëndrimi i Qeverisë për ndryshimet kushtetuese, siç tha ai, është i qartë dhe “duam të dimë se nëse e nisim, siç na ishte premtuar në vitin 2018 për tre, katër, maksimumi pesë vjet, do ta përfundojmë atë rrugë dhe do të jemi anëtar të BE-së, transmeton Portalb.mk.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, Mickoski tha se Plani i rritjes është dorëzuar në Komisionin Evropian në Shkup dhe në Bruksel nga ana e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, e cila theksoi se ka përgatitur një dokument fantastik.

“Dokumenti i parë dhe më cilësor, i cili për shumë muaj ishte i bllokuar. Me formimin e Qeverisë e kemi dorëzuar në zyrën e Komisionit Evropian këtu në Shkup, e më pas i njëjti të arrijë në Bruksel. Ky është qëllimi i vizitës sime dhe drekës së punës me presidenten e re të Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen”, tha Mickoski.

Nëse bëhet fjalë për procesin e integrimeve evropiane, siç tha ai, kuptohet që është ai që duhet të mbrojë interesat kombëtare maqedonase, siç ka qenë në të kaluarën, kur ishte në opozitë, ashtu edhe tani si Qeveri.

“Edhe tani kemi më shumë argumente. Duam të paraqesim argumentet, duam të përcjellim zhgënjimin që ndjejnë qytetarët maqedonas, sepse është i madh, sepse më shumë se dy dekada e gjysmë pasi filluam rrugën tonë drejt Bashkimit Evropian, më shumë se një një dekadë e gjysmë pasi morëm zyrtarisht Raportin e parë pozitiv nga Komisioni Evropian për fillimin e këtyre negociatave. Nuk jemi në gjendje të fillojmë jo sepse nuk respektojmë kriteret e Kopenhagës, jo sepse jemi dashamirës të vlerave evropiane, por sepse ka pengesa të imponuara artificialisht, të cilat asnjë komb, asnjë vend nuk i ka pasur, siç i kemi ne”, tha Mickoski, duke porositur qytetarët maqedonas të jenë të sigurt se do të luftojnë për interesat kombëtare maqedonase.

Në pyetjen e gazetarëve nëse qëndrimi i tij për ndryshimet kushtetuese me efekt të vonuar mund të jetë pjesë e bisedimeve në Bruksel, Mickoski u përgjigj se nuk dëshiron të komentojë, por qëndrimet e Qeverisë për këtë çështje janë të qarta.

“Nuk dua të komentoj, qëndrimi i VMRO DPMNE-së, qëndrimi i Qeverisë është i qartë. Qëndrimi im është i qartë. Mjaft me disfata, mjaft me politika dhe diplomaci me kurriz të përkulur dhe puthje këpucësh. Tani kemi politikën dhe diplomacinë, e cila bazohet në një rrugë të dyanshme. Unë dua që ne të flasim për vlerat, për respektimin e të drejtave të njeriut dhe të dimë se nëse e nisim, siç na premtuan në atë vit 2018 për tre, katër, maksimumi pesë vjet, do ta përfundojmë atë rrugë dhe do të jemi anëtarë të Bashkimin Evropian”, tha ai Mickoski.

Gjithçka tjetër, shtoi ai, janë histori dhe kurthe në të cilat si qeveri, ndërsa as si person “nuk kemi ndërmend të biem”.

Kryeministri Mickoski ditë më parë përsëriti qëndrimin e tij se qeveria në Shkup është e gatshme të bisedojë me qeverinë bullgare për propozimin e saj për hyrjen në fuqi të ndryshimeve kushtetuese në vend, por pasi Maqedonia të bëhet anëtare e BE-së.

Më 18 gusht të vitit 2023, debati për fillimin e ndryshimeve kushtetuese në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut mbaroi brenda pak orësh dhe votimi nuk ndodhi pasi që nuk kishte numra të mjaftueshëm të deputetëve që do të votonin për. Deputetët e VMRO DPMNE-së që atëherë ishte në opozitë votuan kundër.

Kujtojmë se Maqedonia e Veriut duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese si kusht për të ecur përpara në rrugën eurointegruese, gjegjësisht për të hapur negociatat me Komisionin Evropian. Ato nënkuptojnë që përpos kombeve tjera, të shtohen edhe bullgarët në të si popull shtetformues.
Më 19 korrik të vitit 2022, u mbajt konferenca e parë ndërqeveritare mes Maqedonisë dhe BE-së, gjë që duhej të shënonte fillimin e negociatave po të mos ishte obligimi për ndryshimet kushtetuese. Ky obligim parashihet me marrëveshjen e korrikut të vitit 2022 ndërmjet Bulgarisë dhe Maqedonisë, e cila bazohet në atë që njihet si “propozimi francez” për zgjidhjen e kontesteve për gjuhën, identitetin dhe të kaluarën historike mes dy vendeve. Pasi u arrit kjo marrëveshje, Sofja hoqi veton për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit evropian të Maqedonisë së Veriut në këmbim të kushtit për ndryshimet kushtetuese.