Ministria e Brendshme e RMV-së nisi apel-fushatën për ndryshimin e lejeve të vjetra të vozitjes deri në fund të vitit

Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) sot, përmes një njoftimi me shkrim, u bën thirrje qytetarëve që ende nuk i kanë ndërruar lejet e vjetra me emrin e vjetër kushtetues të shtetit, që me kohë t’i zëvendësojnë me të reja. Patentat e vjetra të shoferit janë të vlefshme deri më 31 dhjetor të këtij viti, […]

shtator 10, 2024 - 15:00
 0  6
Ministria e Brendshme e RMV-së nisi apel-fushatën për ndryshimin e lejeve të vjetra të vozitjes deri në fund të vitit
Patentë shoferi, leje për vozitje

Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) sot, përmes një njoftimi me shkrim, u bën thirrje qytetarëve që ende nuk i kanë ndërruar lejet e vjetra me emrin e vjetër kushtetues të shtetit, që me kohë t’i zëvendësojnë me të reja. Patentat e vjetra të shoferit janë të vlefshme deri më 31 dhjetor të këtij viti, kur skadon edhe afati për zëvendësimin e tyre, transmeton Portalb.mk.

“Të gjitha objektet e Ministrisë dhe sportelet e shërbimeve administrative funksionojnë me kapacitet të plotë dhe mund t’u shërbejnë qytetarëve për ndërrimin e patentë shoferëve brenda afatit të rregullt deri më 31.12.2024, pa vonesa dhe turma”, thekson MPB.

Me këtë MPB-ja fillon apel-thirrjen që qytetarët të rinovojnë patentë shoferat, të cilën së fundmi e paralajmëroi ministri Pançe Toshkovski. Më pas ai bëri me dije se deri më tani janë lëshuar rreth 750 mijë patentë shoferë dhe është e nevojshme që të rilëshohen rreth një milion patenta me emrin e ri.

Kujtojmë se më 1 shkurt të këtij viti, Kuvendi miratoi në procedurë të shkurtuar ndryshimet ligjore sipas të cilave afati për ndërrimin e patentë shoferëve me emërtimin “Republika e Maqedonisë” do të jetë deri në fund të vitit, përkatësisht 31 dhjetor 2024.

Ndryshimi i dokumenteve buron nga Marrëveshja e Prespës, e nënshkruar ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë më 17 qershor 2018, e cila u dha fund mospajtimeve të kamotshme mes dy shteteve.