Ministria e Drejtësisë njoftoi se ka ndërmarrë hapa konkrete për shkarkimin e prokurorit publik, Ljupço Kocevski
Tre ditë pasi Qeveria e Maqedonisë së Veriut hapi procedurë për shkarkimin e prokurorit publik të shtetit, Ljupço Kocevski, Ministria e Drejtësisë sot njoftoi se ka ndërmarrë hapa konkrete për shkarkimin e tij duke u thirrur në konkluzionin e Seancës së 50-të të Qeverisë së RMV-së. Ky propozim tashmë i është dorëzuar Qeverisë për shqyrtim […]


Tre ditë pasi Qeveria e Maqedonisë së Veriut hapi procedurë për shkarkimin e prokurorit publik të shtetit, Ljupço Kocevski, Ministria e Drejtësisë sot njoftoi se ka ndërmarrë hapa konkrete për shkarkimin e tij duke u thirrur në konkluzionin e Seancës së 50-të të Qeverisë së RMV-së. Ky propozim tashmë i është dorëzuar Qeverisë për shqyrtim të mëtutjeshëm në pajtim me Ligjin për Prokurorinë Publike dhe Kushtetutën e vendit thonë nga kjo ministri, njofton Portalb.mk.
“Gjatë periudhës së kaluar, ishim dëshmitarë të një sërë skandalesh, dëmtim të funksionalitetit të Prokurorisë Publike, prishje të marrëdhënieve ndër njerëzore, veprimeve të paligjshme dhe korrupsionit, pasigurisë në ndjekjen penale dhe shkelje të parimeve të organizimit të Prokurorisë Publike dhe pavarësisë në kryerjen e funksioneve të prokurorëve në Prokurorinë e Lartë Publike”, thuhet në njoftimin e sotëm të Ministrisë së Drejtësisë.
Prokurori Publik i Shtetit në Republikën e Maqedonisë së Veriut ka vepruar në raste ku, sipas dispozitave ligjore, ka pasur rrethana që kanë ngritur dyshime në paanshmërinë e tij, si dhe konflikte interesi, për të cilat rrethana ai duhej të ishte në dijeni dhe të ishte tërhequr. Po ashtu, janë shpërndarë informacione dhe të dhëna në publik për lëndë të caktuara, duke shkelur detyrimin për konfidencialitet në procedurat.
“Në Ligjin për Prokurorinë Publike është e përcaktuar se Prokurori Publik i RMV-së është përgjegjës për gjendjen e përgjithshme në lidhje me organizimin dhe kryerjen e funksioneve të Prokurorisë Publike dhe për punën e tij është përgjegjës para Kuvendit. Kuvendi, si organi më i lartë përfaqësues i qytetarëve, është kompetent sipas Kushtetutës për emërimin dhe shkarkimin e Prokurorit të Pushtetit të Republikës së Maqedonisë së Veriut”, thuhet në njoftim.
Kujtojmë se në 11 shkurt Qeveria e Maqedonisë së Veriut filloi me procedurën për shkarkimin e prokurorit publik shtetëror, Ljupço Kocevski. Ai në reagimin e tij vlerësoi se Qeveria nuk është e informuar mirë në lidhje me procesin e përzgjedhjes.
Përndryshe, edhe Kuvendi i Maqedonisë së Veriut pritet që të shkarkojë edhe pesë anëtarët e Këshillit Gjyqësor në seancën e cila do të mbahet në fillim të marsit, këtë nismë të Qeverisë e mbështet presidentja Gordana Siljanovska – Davkova.
Prokurori i lartë Mustafa Hajrullahi, i cili është shef i Prokurorisë së Lartë të Shkupit, më 12 nëntor të vitit 2024 tha se kreu i Prokurorisë së Republikës, Ljupço Kocevski, po i bën presion pasi ai ka shpalosur, siç thotë, një skandal, ku shihet vajza e tij duket shpërndarë materiale me një medium. Ai vendimin për suspendim e kishte ankimuar në Këshillin e Prokurorisë Publike.
Kujtojmë se në muajin nëntor të vitit 2024, Prokuroria Publike Themelore në Shtip ka lëshuar urdhër për zhvillimin e procedurës hetuese ndaj Hajrullahit për të cilin ekziston dyshimi i bazuar për kryerjen e veprës penale të vazhdueshme – Ngacmimi në kryerjen e shërbimit nga neni 143, si dhe për veprën penale të vazhdueshme- Keqpërdorimi i pozitës dhe autoritetit zyrtar nga neni 353 i Kodit Penal.