Mitsotakis: Rruga evropiane e Shkupit kalon nga Athina
Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis nuk heq dorë nga paralajmërimet ndaj fqinjëve të tij. Duke shfrytëzuar ditën e fundit të fushatës elektorale për zgjedhjet për Parlamentin Europian, kreu i qeverisë Helene nuk harroi pa përmendur Shkupin dhe Tiranën. Gjatë fjalimit në sheshin kryesor të Athinës, Sintagma, Mitsotakis i kujtoi Tiranës dhe Shkupit se rruga për […]
Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis nuk heq dorë nga paralajmërimet ndaj fqinjëve të tij. Duke shfrytëzuar ditën e fundit të fushatës elektorale për zgjedhjet për Parlamentin Europian, kreu i qeverisë Helene nuk harroi pa përmendur Shkupin dhe Tiranën.
Gjatë fjalimit në sheshin kryesor të Athinës, Sintagma, Mitsotakis i kujtoi Tiranës dhe Shkupit se rruga për në Bashkimin Europian kalon nga Athina. Ndërsa për sa i përket Turqisë, Mitsotakis kërkoi përcaktimin e “shelfit continental” dhe përcaktimin e Zonave Ekonomike Ekskluzive.
“Pas të dielës qeveria greke nuk duhet të konsumohet në diskutime për përqindjet elektorale, por duhet të jetë në gjendje të vazhdojë politikën e një Greqie të fortë, duke i dërguar mesazhin fqinjëve tanë veriorë, se rruga e Shkupit dhe e Tiranës për në Bruksel domosdoshmërisht kalon nga Athina. Dhe se vetëm respektimi i ligjshmërisë dhe traktateve ndërkombëtare mund të japë dritën jeshile”, tha Kyriakos Mitsotakis, Kryeministër i Greqisë.
Rritja e toneve paralajmëruese të Mitsotakis ndaj Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, shikohet si një kundërpërgjigje e Athinës ndaj arrestimit të Fredi Belerit dhe etiketimin e emrit ‘Maqedoni’ nda elita e re drejtuese në Shkup.
Analistët besojnë se, Partia Demokracia e Re, e cila përfaqësohet nga Kyriakos Mitsotakis do të arrijë fitore në zgjedhjet e së dielës për Parlamentin Europian. Kyriakos Mitsotakis u ka bërë thirrje grekëve të votojnë në zgjedhjet e Parlamentit Evropian për të mbrojtur interesat e vendit, dhe forcimin e të ardhmes.
Partia qeverisëse e qendrës së djathtë të Mitsotakis, Demokracia e Re kryeson lehtësisht në sondazhet e fundit, e ndjekur nga partia kryesore opozitare e majtë Syriza dhe partia socialiste PASOK në vendin e tretë. Demokracia e Re udhëhoqi edhe në zgjedhjet e fundit të Parlamentit Evropian në 2019.