Modeli i ri i inkluzivitetit është në interes të fëmijëve me nevoja edukative speciale, ai nuk përjashton asnjë prej tyre, tha Janevska

Me ndryshimet në Ligjin për arsimin fillor, tentuam të zgjidhim në mënyrën më të mirë inkluzionin e nxënësve me aftësi të kufizuara, dhe prindërit nuk duhet të shqetësohen, pasi ndryshimi i modelit po bëhet për të mirën e fëmijëve, tha ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, në emisionin “Top Tema” në TV Telma, transmeton […]

dhjetor 28, 2024 - 14:00
 0  4
Modeli i ri i inkluzivitetit është në interes të fëmijëve me nevoja edukative speciale, ai nuk përjashton asnjë prej tyre, tha Janevska
Vesna Janevska, Ministre e Arsimit dhe Shkencës. Foto: Meta.mk

Me ndryshimet në Ligjin për arsimin fillor, tentuam të zgjidhim në mënyrën më të mirë inkluzionin e nxënësve me aftësi të kufizuara, dhe prindërit nuk duhet të shqetësohen, pasi ndryshimi i modelit po bëhet për të mirën e fëmijëve, tha ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, në emisionin “Top Tema” në TV Telma, transmeton Portalb.mk.

“Tashmë një kohë më të gjatë, ekspertët thonë se inkluzioni total ka qenë një projekt i dështuar, sepse një numër i madh fëmijësh që kanë vështirësi më të mëdha ose kanë multi-hendikep, inkluzioni total i ka lënë ata në shtëpi, pa arsim fare. Ligji i ri ofron mundësinë që të gjithë fëmijët me nevoja edukative speciale, që mund të shkojnë në shkolla të rregullta, të shkojnë. Por, nëse disa fëmijë nuk arrijnë sukses në shkollat e rregullta, ekziston mundësia, me lejen e prindërve, por para së gjithash me lejen e Komisionit për vlerësimin e funksionalitetit, që ata të regjistrohen në qendrat burimore, ku ka shumë më tepër ekspertë dhe ku mund t’u kushtohet më shumë vëmendje”, deklaroi mbrëmë Janevska.

Ministrja shtoi se ligji parashikon formimin e qendrave burimore komunale, diçka që aktualisht nuk ekziston.

Janevska tha se, nëse në të ardhmen rezulton se ky nuk është një zgjidhje e mirë, ligji mund të ndryshohet në çdo moment.

“Por, nevojitet një periudhë e caktuar që të funksionojë, në mënyrë që të mund të bëhet një analizë se cilat zgjidhje janë më të mira”, tha Janevska.

Ministrja njoftoi se dje në Kuvend u miratuan ligjet për arsimin fillor, për arsimin dhe trajnimet profesionale, për nxënësit, për arsimin e të rriturve dhe për kornizën kombëtare të kualifikimeve.

“Në ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për arsimin fillor, ne e zgjidhim problemin e ndarjes fizike ose segregimit të nxënësve, që ekziston sipas vendimit të Gjykatës për të Drejtat e Njeriut në Strasburg, për nxënësit romë. Kam shpjeguar tashmë se shteti nuk bën segregim, por kjo është një mënyrë jetese e disa grupeve etnike, ku ata grupohen në lagje të caktuara. Por, pasi kemi një vendim që duhet të respektohet, kemi marrë masa të caktuara për formimin e balancuar të klasave, ndryshimin e rregullimit të rajoneve dhe diskriminimin pozitiv me investime në shkolla“, tha Janevska.

Kujtojmë se, më 27 dhjetor Kuvendi miratoi ligjet e reja për arsim.

Më 20 dhjetor, Qeveria tërhoqi projektligjin për arsimin e mesëm me të cilin parashikohej që himni shtetëror të intonohet në fillim dhe në fund të vitit shkollor dhe në patronazhet e shkollave.

Kujtojmë që nismë për intonimin e humnit shtetëror nëpër shkolla pati vjeshtën e vitit 2023, ku disa komuna të Shkupot të cilat drejtohen nga kryetarët e VMRO-DPMNE-së e cila ishte në opozitë aso kohe. Ky veprim u cilësua si veprim provokativ dhe me tendencë për nxitjen e raporteve mes bashkësive etnike. Ndërkaq në korrik të vitit 2024 Këshilli Komunal i Velesit vendosi që në vitin e ri shkollor 2024/25, çdo të hënë në turnin e parë dhe të dytë do të këndohet himni kombëtar i Maqedonisë së Veriut në fillim të mësimit në shkollat fillore.