MPJ demantoi se ka tërhequr ambasadorët e emëruar nga Pendarovski

Në lidhje me informacionin që është publikuar mëngjesin e sotëm në disa prej portaleve se MPJ ka tërhequr ambasadorët e emëruar nga Pendarovski, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme bën të ditur se bëhet fjalë për pretendime të pasakta që nuk korrespondojnë fare me gjendjen aktuale, transmeton Portalb.mk. “Lidhur me procedurën për […]

shkurt 27, 2025 - 14:00
 0  4
MPJ demantoi se ka tërhequr ambasadorët e emëruar nga Pendarovski
Ministria e Punëve të Jashtme (MPJ), RMV Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Në lidhje me informacionin që është publikuar mëngjesin e sotëm në disa prej portaleve se MPJ ka tërhequr ambasadorët e emëruar nga Pendarovski, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme bën të ditur se bëhet fjalë për pretendime të pasakta që nuk korrespondojnë fare me gjendjen aktuale, transmeton Portalb.mk.

“Lidhur me procedurën për tërheqjen e një numri të caktuar të ambasadorëve, ju njoftojmë se Ministria është në komunikim të rregullt dhe të vazhdueshëm me Kabinetin e Presidentit të Shtetit. Përmes sistemit zyrtar të komunikimit të brendshëm, deri më tani nëntë ambasadorë janë njoftuar për përfundimin e mandatit të tyre. Në periudhën e ardhshme presidenti pritet të nënshkruajë dekretet për revokimin e tyre”, thuhet në njoftim.

Ministria thekson se i gjithë koordinimi dhe komunikimi institucional, përfshirë atë me përfaqësitë diplomatike-konsullore, bëhet ekskluzivisht përmes një sistemi të brendshëm të mbrojtur dhe jo përmes postës elektronike.

“Njëkohësisht, theksojmë se në rrjetet sociale dhe në disa media në periudhën e fundit shfaqen shpesh foto të fabrikuara dhe të pasakta të gjoja komunikimit me e-mail mes punonjësve të Ministrisë. Për zbardhjen dhe përpunimin e duhur të këtyre dukurive, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme tashmë ka paraqitur denoncim dhe ka kërkuar ndërhyrjen e Departamentit për Krimet Kompjuterike në MPB. Me këtë rast, u bëjmë thirrje mediave që para se të publikojnë çdo informacion që ka të bëjë me kompetencat dhe punën e Ministrisë, që fillimisht të kontrollojnë autenticitetin dhe besueshmërinë e tij”, thonë nga MPJTJ.