Mucunski në takim me Saracin: U theksua mbështetja e fortë e Gjermanisë për të ardhmen evropiane të vendit

Proceset integruese evropiane të vendit tonë, zhvillimet aktuale të brendshme politike dhe arritjet në fushat e reformës janë pjesë e temave të diskutuara në takimin e sotëm mes Ministrit të Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme Timço Mucunski dhe përfaqësuesit special të Republikës Federale të Gjermanisë për Ballkani Perëndimor, Manuel Saracin, transmeton Portalb.mk. “Vëmendje […]

Nëntor 27, 2024 - 19:00
 0  3
Mucunski në takim me Saracin: U theksua mbështetja e fortë e Gjermanisë për të ardhmen evropiane të vendit
Timço Mucunski dhe Manuel Saracin. Foto: MPJTJ

Proceset integruese evropiane të vendit tonë, zhvillimet aktuale të brendshme politike dhe arritjet në fushat e reformës janë pjesë e temave të diskutuara në takimin e sotëm mes Ministrit të Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme Timço Mucunski dhe përfaqësuesit special të Republikës Federale të Gjermanisë për Ballkani Perëndimor, Manuel Saracin, transmeton Portalb.mk.

“Vëmendje e veçantë i kushtohet pritjeve të lidershipit të ri të institucioneve evropiane dhe rolit të tyre në forcimin e politikës së zgjerimit të Bashkimit Evropian në periudhën e ardhshme”, thuhet në komunikatën e MPJTJ-së.

Mucunski shprehu mirënjohjen e tij për angazhimin personal të përfaqësuesit special Saracin në dinamizimin e proceseve integruese evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Ministri theksoi mbështetjen e vazhdueshme dhe të fuqishme të Gjermanisë për të ardhmen evropiane të vendit dhe vendeve të rajonit, veçanërisht përmes aktiviteteve në kuadër të procesit të Berlinit.

Sa i përket të ardhmes evropiane të vendit, Qeveria e Mickoskit ka deklaruar në vazhdimësi se vendi nuk do të bëjë asnjë hap përpara, pa një fund të dukshëm. Do të bëjmë lëvizje, thotë Mickoski, vetëm kur ta shohim qartë fundin, përndryshe nuk do të bëjmë asgjë.

Kujtojmë se, në raport me Bullgarinë, Maqedonia e Veriut duhet t’i bëj ndryshimet kushtetuese për të ecur përpara në rrugën eurointegruese. Ato nënkuptojnë shtimin e bullgarëve dhe kombeve tjera në Kushtetutë. Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare. Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese.