Gjykata Penale ende pa përgjigje ndaj akuzave për ndërtimin e Teatrit të Tetovës

Gjykata Penale në Shkup nuk është përgjigjur ende ndaj aktakuzave dhe propozim-aktakuzave të prokurorisë rreth ndërtimit të Teatrit dhe Bibliotekës në Tetovë, pas dorëzimeve nga Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, transmeton Portalb.mk. “Në periudhën nga viti 2014 deri në vitin 2020 në Tetovë, i pandehuri i parë S.Sh. si […]

dhjetor 20, 2024 - 14:01
 0  3
Gjykata Penale ende pa përgjigje ndaj akuzave për ndërtimin e Teatrit të Tetovës
Objekti i ri i Teatrit dhe Bibliotekës së Tetovës. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Gjykata Penale në Shkup nuk është përgjigjur ende ndaj aktakuzave dhe propozim-aktakuzave të prokurorisë rreth ndërtimit të Teatrit dhe Bibliotekës në Tetovë, pas dorëzimeve nga Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, transmeton Portalb.mk.

“Në periudhën nga viti 2014 deri në vitin 2020 në Tetovë, i pandehuri i parë S.Sh. si pronar dhe menaxher i personit të akuzuar juridik nga Tetova, së bashku dhe në bazë të marrëveshjes paraprake me të akuzuarin e tretë H.F. atëkohë drejtori i Institucionit Nacional – Qendra për Kulturë “Iljo Anteski – Smok” – Tetovë dhe me të pandehurin e katërt A.A. – kryetari i Komisionit të Prokurimit Publik, ndërsa më pas edhe ushtrues detyre i drejtorit të Qendrës së Kulturës, me vetëdije ka anashkaluar rregulloret dhe rregullat e procedurës për dhënien e kontratës së prokurimit publik dhe ka keqpërdorur pozitën dhe autoritetin zyrtar. Me veprimet që përbëjnë kryerje të shumëfishtë të së njëjtës vepër, të pandehurit për personin e dytë të akuzuar juridik kanë arritur përfitime pasurore të mëdha në shumë prej 832.983.064,00 denarë“, thuhej në njoftimin e Prokurorisë.

Në vitin 2018 dhe 2021, ata kryen procedura të reja të prokurimit publik – njëra për përgatitjen e dokumentacionit të projektit për fazën enterier për një ndërtesë në ndërtim dhe e dyta subjekt marrëveshje – faza e dytë për ndërtimin e një godine të re për Teatrin dhe Bibliotekën e Tetovës. Me lidhjen e kontratave të reja në vlerë të përgjithshme prej 1.345.917.098.000 denarë pa TVSH, kanë tejkaluar vlerën e kontratës bazë për një përqindje prej 93% të çmimit të kontraktuar në kontratën bazë, e cila është 694.495.000 denarë pa TVSH.

Në mënyrë shtesë, duke mos përmbushur detyrimet ligjore për evidentimin dhe raportimin e detyrimeve tatimore dhe për shkak se nuk kanë përgatitur një projekt bazë të situatës së ndryshuar, në dëm të Buxhetit të RMV-së nga mjetet shtesë të miratuara dhe të destinuara për projektin dhe prokurimin publik të enterierit për teatrin obligohen dhe paguajnë shuma të konsiderueshme dhe prej 232.699.289,00 denarë për TVSh, të cilën nuk e kanë regjistruar dhe raportuar me kohë dhe nga e cila do të liroheshin.

Kujtojmë se ndërtimi i Objektit të Teatrit dhe Bilbiotekës ishte premtuar që më 6 tetor të vitit 2010, kur ministrja e atëhershme e Kulturës, Elizabeta Kançeska-Milevska e prezantoi zgjidhjen ideore për pamjen e teatrit multifunksional, që duhet të ofrojë teatër, kinema dhe bibliotekë. Gurë-themeli për ndërtimin e këtij objekti u hodh më 28 nëntor të vitit 2014. Punimet janë zhvilluar shumë ngadalë dhe me shumë probleme të cilat Portalb i ka dokumentuar ndër vite.