Në buxhetin e RMV-së nuk janë paraparë mjete për 100 autobusët e rinj, këstet për blerjen e tyre do të paguhen nga viti 2028

Para për mbi 100 autobusët e rinj nuk do të ketë në Buxhetin e vitit të ardhshëm, pasi këstet për blerjen e tyre do të fillojnë të paguhen nga shkurti-marsi 2028, tha sot kryeministri Hristijan Mickoski nga foltorja e Parlamentit, duke iu përgjigjur pyetjes së deputetes së LSDM-së, Sanja Lukarevska, pse në mjetet buxhetore për […]

Nëntor 28, 2024 - 19:00
 0  3
Në buxhetin e RMV-së nuk janë paraparë mjete për 100 autobusët e rinj, këstet për blerjen e tyre do të paguhen nga viti 2028
Dorëzimi i 6 autobusëve ekologjik për NTP-në nga BE. Foto: Qyteti i Shkupit

Para për mbi 100 autobusët e rinj nuk do të ketë në Buxhetin e vitit të ardhshëm, pasi këstet për blerjen e tyre do të fillojnë të paguhen nga shkurti-marsi 2028, tha sot kryeministri Hristijan Mickoski nga foltorja e Parlamentit, duke iu përgjigjur pyetjes së deputetes së LSDM-së, Sanja Lukarevska, pse në mjetet buxhetore për vitin e ardhshëm nuk parashihen para për blerjen e autobusëve që ai paralajmëroi, transmeton Portalb.mk.

Nuk do t’i shihni paratë në këtë buxhet për autobusët e rinj, pasi do të blihen, ndërsa detyrimet do të fillojnë të paguhen në shkurt-mars 2028. Do t’i shihni në buxhetin e vitit 2028, sepse kushti që ne të hyjmë në këtë proces është që të ketë të paktën një grejs periudhë trevjeçare. Mund të përballojmë afërsisht 100 deri në 120 autobusë që nuk do të përfundojnë vetëm në Shkup, por edhe në qytete të tjera ku është i organizuar transporti publik. Shumica e tyre do të jenë në Shkup, ne jemi qeveri e gjithë vendit”, tha kryeministri Mickoski.

Nëse gjithçka shkon mirë, sipas kryeministrit, tenderi për autobusët duhet të shpallet deri në fund të vitit.

Kryeministri Hristijan Mickoski javën e kaluar tha se Qeveria është në fazën e analizimit të projektit për blerjen e 100 deri në 120 autobusëve elektrikë për Shkupin dhe qytetet tjera në vend që kanë transport publik urban.

Ndryshe, dje, këshilltarët e VMRO-DPMNE-së për të 26-tën herë refuzuan të votojnë blerjen e autobusëve të rinj.

“Përsëri bllokuan projektin BRT, i cili do t’i jepte Shkupit 60 autobusë të rinj si pjesë e transportit të shpejtë me autobus. Sikur të mos mjaftonte kjo, këshilltarët e VMRO-DPMNE-së refuzuan të fusin në rend dite pikën me kërkesë të transportuesve privatë, me të cilën kërkojnë rritje të kompensimit për transportin publik, gjithçka me qëllim thellimin e krizës dhe rritjen e kaosit. Prandaj, apelojmë qytetarët që herën tjetër kur të kenë mundësi të votojnë në zgjedhjet lokale për zgjedhjen e Këshillit të Qytetit të Shkupit, të mos u besojnë premtimeve të VMRO-DPMNE-së”, thanë nga Qyteti.

Kujtojmë se Bashkimi Evropian dhuroi gjashtë autobusëve ekologjikë për NTP Shkup. Promovimi i autobusëve u bë në prani të drejtorit të NTP-së, kryetares së qytetit të Shkupit, ministrit të Mjedisit jetësor, si dhe Delegacionit të BE-së në vend.

Donacioni vjen pasi autobusët e NTP-së kanë ndërprerë qarkullimin për shkak të mungesës së naftës, pas së cilës Qeveria ka vendosur që qytetit të Shkupit t’i huazojë naftë nga rezervat shtetërore të naftës. Të nesërmen e këtij vendimi, banorët e Shuto Orizarit, të udhëhequr nga kryetari i tyre Kurto Dudush, kanë protestuar para qytetit dhe kanë kërkuar dorëheqjen e kryetares, pasi në këtë komunë ka më shumë se 730 ditë që nuk ka transport.

Problemi me transportin publik të qytetit kulmoi me 20 nëntor pasi, për shkak të mungesës së naftës, shumica e autobusëve të NTP-së mbetën të parkuar në bazat e tyre. Janë vënë në qarkullim 25 autobusë me gaz natyror dhe disa të tjerë që kanë rezervë nafte.

Kryeministri Hristijan Mickoski paralajmëroi nga Beogradi mundësinë e blerjes së autobusëve të rinj elektrikë për tejkalimin e këtij problemi të vazhdueshëm.

Prej se Arsovska është kryetare, transporti publik në Shkup është kolaps dhe nuk funksionon. Nuk ka autobusë të rregullt, duhet të presësh një orë në stacione, dhe kur vjen autobusi është plot me pasagjerë.

Danela Arsovska u bë kryetare e Shkupit si kandidate e VMRO-DPMNE-së me premtimin për transport falas për të gjithë qytetarët dhe blerjen e 250 autobusëve të rinj ekologjikë.