Nxënësit veshën uniforma të UÇK-së për festat e nëntorit, Janevska paralajmëroi inspektim në shkollë “7 Marsi” në Çellopek të Tetovës
Inspektorati Shtetëror Arsimor sot do të hetojë rastin e shkollës fillore “7 Marsi” në fshatin Çellopek të Tetovës, ku gjatë performancës nxënësit mbanin armë plastike dhe ishin të veshur me uniforma të UÇK-së. Në një prononcim për Kanal 5, ministrja e Arsimit tha se nëse konstatohet shkelje e Ligjit për Arsimin Bazë, si dhe parimeve […]
Inspektorati Shtetëror Arsimor sot do të hetojë rastin e shkollës fillore “7 Marsi” në fshatin Çellopek të Tetovës, ku gjatë performancës nxënësit mbanin armë plastike dhe ishin të veshur me uniforma të UÇK-së. Në një prononcim për Kanal 5, ministrja e Arsimit tha se nëse konstatohet shkelje e Ligjit për Arsimin Bazë, si dhe parimeve të demokracisë, bashkëjetesës, ndjeshmërisë dhe vlerave themelore njerëzore, të cilat duhet të promovohen në shkolla, do të ketë sanksione për drejtorin dhe mësuesit. Ajo nuk përjashtoi mundësinë e denoncimit në polici, nëse konstatohet shkelje e të drejtave të fëmijëve, transmeton Portalb.mk.
“Kur në shkollë bëhet ndonjë ngjarje që promovon militantizëm me uniforma të ushtrisë së parregullt me emblema dhe me armë lodrash e pistoleta, nuk tregon këto vlera. Prandaj do të dërgojmë Inspektoratin Shtetëror të Arsimit të kontrollojë nëse gjërat po shkojnë sipas planit, nëse është raportuar për këtë lloj ngjarjeje, kush e ka miratuar këtë lloj ngjarjeje dhe çdo gjë tjetër që nënkupton punën e duhur të menaxhmentit, nëse korrespondon me Ligji për arsimin bazë, ku thuhet se nuk do të ketë diskriminim”, theksoi Janevska.
Videoja e shfaqjes, e cila është postuar në faqen e shkollës në Facebook, tashmë është tërhequr nga rrjetet sociale.
Për rastin dje informoi ministrja Janevska. Sipas informacioneve të Ministrisë, aktivitete të ngjashme ka pasur edhe në dy shkolla të tjera ku Janevska ka paralajmëruar se do të dërgojë inspektim.
“U bëj thirrje të gjitha shkollave të tjera që të distancohen nga aktivitete të tilla, të promovojnë vlera të vërteta njerëzore dhe të angazhohen për ndërtimin e brezave të pajisur me dije, jo me armë. Brezat që do ta duan vendin në të cilin kanë lindur dhe janë rritur dhe do të respektojnë të tjerët pa dallim etnik, fetar apo çfarëdo dallimi tjetër. Ky është qëllimi i vërtetë për të cilin hapen dhe ekzistojnë shkollat”, ka shkruar Janevska.
Nga Bashkimi Demokratik për Integrim kanë reaguar duke i quajtur kërcënime paralajmërimet e ministres Janevska. Sipas tyre, kjo është vazhdimësi e politikave antishqiptare që po zbatohen muajt e fundit, duke sulmuar çdo shprehje të identitetit dhe historisë shqiptare.
“Por kur në një shkollë maqedonase në Aerodrom, fëmijët veshën uniforma të Komitëve dhe bënë përshëndetje ushtarake, nuk pati asnjë reagim. Në atë kohë, Bashkimi Demokratik për Integrim nuk lejoi dhe si do të lejojë që aktivitete të tilla të shndërrohen në një vegël për tensione ndëretnike apo të përdoren për ndarje në shoqëri. Asokohe, përkundër dallimeve, nuk e kemi parë të nevojshme që fëmijët të jenë pjesë e konfliktit politik apo etnik. Por sot, kjo qeveri ka zgjedhur të sulmojë fëmijët shqiptarë dhe identitetin e tyre kombëtar, duke demonstruar qartë diskriminimin e saj të hapur. Nëse në të kaluarën kemi treguar tolerancë për aktivitete të ngjashme në frymën e bashkëjetesës, kjo nuk i jep kësaj qeverie të drejtën që sot të ndëshkojë shqiptarët për të njëjtat veprime. Kërkojmë që Ministrja e Arsimit të tërhiqet menjëherë nga kërcënimet ndaj shkollës në Çellopek dhe të ndalojë politizimin e aktiviteteve kulturore të fëmijëve. Çdo përpjekje për të krijuar ndarje dhe diskriminim nuk do të tolerohet. Shqiptarët nuk janë qytetarë të dorës së dytë dhe nuk do të lejojnë që identiteti dhe krenaria e tyre kombëtare të nëpërkëmbet”, thonë nga BDI.
Nga ana tjetër, Vjollcë Berisha nga ASh krahu i Ziadin Selës, ka shkruar se sjellja e ministres është krejtësisht ksenofobe dhe pa fijen e respektit ndaj bashkështetasve të vet shqiptarë.
“Nuk ka nevojë ta sqaroj se në asnjë moment nuk jam për të stimuluar kurrnjëlloj dhune dhe nuk mendoj se atë e ka bërë ndonjë shkollë që ka kremtuar me shfaqje festive 28 Nëntorin, aq më pak shkolla që u paskësh lëvduar së fundmi për kultivim të barazisë, miqësisë e demokracisë, siç pretendon shefja e Arsimit. Liria është njëra nga vlerat themelore të njerëzimit, lufta për ta pasur atë është frymëzim që në radhë të parë jepet në shkollë. Mirënjohja si vlerë e lartë qytetëruese, është gjithashtu ndjenjë që ushqehet kundrejt luftëtarëve të lirisë. Shkollat i kanë edhe në programet e tyre mirënjohjet për ata që i çliruan, mirënjohje që artikulohen e mëkohen në radhë të parë me këngë, poezi, recitale e pjesë skenike. Kostumografia dhe rekuizitat skenografike janë mjetet kryesore për një shfaqje teatrale siç ka qenë ajo e nxënësve që kanë qenë në rolin e luftëtarëve për ta mbajtur lart krenarinë dhe kujtesën kombëtare, pa fyer askend, pa sharë e urrejtur njeri. Thjesht, duke himnizuar, siç është bërë e bëhet kudo. Ata kanë shkërbyer (imituar) ushtarë, ushtarë si ata bustet e të cilëve me qindra vjet shenjojnë sheshet e botës pa nxitur kurrfarë dhune e keqedukimi. Nëse ky vend pati nevojë për një luftë, për një ushtri, më së paku janë fajtorë ata fëmijë dhe prindërit e mësuesit e tyre, ndaj të cilëve ministrja “fjalëshumë e punëpak” drejtohet me ton përçmues, për nivelin e tyre kulturor, përgatitjen profesionale dhe aftësitë prindërore. Ajo duhet ta dijë më së mirë se edhe lufta, edhe pasojat, edhe ushtria e armët erdhën për shkak të mënyrës armiqësore, ksenofobe, plot të meta trashëguar nga sistemi jugosllav i mosnjohjes së shqiptarëve si komb shtetformues, erdhi nga zemërngushtësia dhe paaftësia e shtetit të ri për ta mbajtur veshur petkun e udhëheqësit të moderuar, demokrat, pa paragjykime, me nivel e kulturë evropiane. U pa në dritë të diellit se hegjemonizmi primitiv dhe opinga me të cilën i shkilnin shqiptarët në tokën e tyre, e solli edhe atë nevojë për armë, të cilën më së paku e dëshironin shqiptarët. Edhe sot, nga kjo distancë kohore, toni ofendues i ministres për bashkëqytetarët e saj mjerisht flet se asgjë s’ka ndryshuar në mendësinë e tyre, madje edhe në atë të elitave politike e arsimore të shumicës prej tyre”, shkroi Berisha.
Ndryshe, me rastin e ditës 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit, u arrestuan tetë persona, tre prej të cilëve përfunduan në paraburgim 8 ditor, për shkak të grisjes së flamurit të Maqedonisë së Veriut dhe përfshirjes në rrahje.