Nesër përfundon masa “Shporta e Vitit të Ri” në RMV
Nesër përfundon shporta e Vitit të Ri, e cila zgjati një muaj dhe u formua me iniciativën e sektorit të biznesit. Ajo përfshinte mbi një mijë produkte dhe autoritetet prisnin që çmimi i produkteve ushqimore bazë të ulej me të paktën 10 përqind, transmeton Portalb.mk. Meqenëse ishte iniciativë e sektorit të biznesit, nuk kishte asnjë […]
Nesër përfundon shporta e Vitit të Ri, e cila zgjati një muaj dhe u formua me iniciativën e sektorit të biznesit. Ajo përfshinte mbi një mijë produkte dhe autoritetet prisnin që çmimi i produkteve ushqimore bazë të ulej me të paktën 10 përqind, transmeton Portalb.mk.
Meqenëse ishte iniciativë e sektorit të biznesit, nuk kishte asnjë vendim të qeverisë, ndërsa Inspektorati Shtetëror i Tregut mund që vetëm të monitoronte çmimet në përputhje me Ligjin për Mbrojtjen e Konsumatorit dhe Ligjin për Tregtinë, gjegjësisht janë parë çmimet e produkteve që janë në Shportën e vitit dhe çmimet më të ulëta në të njëjtat produkte që ishin në 30 ditët e fundit.
Që në fillim të shportës së Vitit të Ri, nga opinioni publik pati reagime se për shkak të uljes së disa produkteve ushqimore, çmimet e produkteve të tjera që nuk ishin pjesë e shportës u rritën ndjeshëm.
Ministria kompetente e Ekonomisë dhe Punës apeloi tregtarët që t’i përmbahen marrëveshjeve, duke njoftuar se nëse kjo nuk ndodh, do të aktivizohet vendimi për ngrirjen e çmimeve ose kufizimin e marzheve.
Nga ana tjetër, Enti Shtetëror i Statistikave bëri të ditur se inflacioni në dhjetor të vitit të kaluar ishte 4.4 përqind më i lartë se e njëjta periudhë e vitit 2023 dhe se kërcimi më i madh ishte tek ushqimet.
Masën e Shportës së Vitit të Ri, Qeveria e shpalli me 5 dhjetor, pas mbi një muaji konsultimesh me biznesin. Kjo iniciativë për “Shportën e Vitit të Ri” u iniciua nga prodhuesit, shpërndarësit dhe tregtarët e produkteve ushqimore dhe produkteve alkoolike dhe joalkoolike të cilët u ofruan të dorëzojnë listë të produkteve të tyre më të shitura gjatë festave të Vitit të Ri që do të shiten me aksion me çmime më të ulëta prej 10 e më shumë përqind.