Nga Shkupi do të ketë fluturime drejt Gjenevës dhe Parisit, do të nisin në prill dhe nëntor

Gjeneva dhe Parisi janë dy linjat e reja ajrore që po futen nga Aeroporti Ndërkombëtar i Shkupit. Dy destinacionet, siç bëjnë të ditur Ministria e Transportit (MT), janë prezantuar me kërkesë të diasporës dhe me to do të operojë kompania ajrore “EasyJet”. Fluturimi për në Paris, për në aeroportin “Orly”, do të nisë nga 2 […]

Jan 22, 2025 - 20:00
 0  4
Nga Shkupi do të ketë fluturime drejt Gjenevës dhe Parisit, do të nisin në prill dhe nëntor
Aeroporti Ndërkombëtar Shkupi, foto: Portalb.mk

Gjeneva dhe Parisi janë dy linjat e reja ajrore që po futen nga Aeroporti Ndërkombëtar i Shkupit. Dy destinacionet, siç bëjnë të ditur Ministria e Transportit (MT), janë prezantuar me kërkesë të diasporës dhe me to do të operojë kompania ajrore “EasyJet”. Fluturimi për në Paris, për në aeroportin “Orly”, do të nisë nga 2 prilli, ndërsa linja për në Gjenevë nga 3 nëntori i këtij viti, transmeton Portalb.mk.

Ministria thekson se destinacionet e reja janë pjesë e mbështetjes financiare të Qeverisë në kuadër të thirrjes publike për mbështetje për futjen e linjave të reja ajrore.

“Dëshirojmë të theksojmë se thirrja publike është ende e hapur dhe mund të aplikojnë të gjitha linjat ajrore të interesuara që plotësojnë kriteret e parashikuara nga thirrja. Besoj se do të inkurajojmë kompanitë e tjera ajrore që t’i përgjigjen thirrjes, tashmë jemi duke negociuar me disa dhe pres që të futen edhe destinacione të tjera nga aeroportet vendase. Ne kemi potencial, kemi kapacitet dhe besoj se sërish do të rrisim konkurrencën e aeroporteve në rajon”, thotë ministri i Transportit Aleksandar Nikolloski.

Në tetor të vitit të kaluar, MT informuan se këtë vit do të prezantohen fluturimet direkte në gjashtë destinacione të reja – Dubai, Barcelona, ​​Lion, Shtutgart, Bazel dhe Stamboll nga aeroportet e Shkupit dhe Ohrit.

Kujtojmë se linja ajrore hungareze Wizz Air po tërhiqet nga aeroporti i Salzburgut në Austri, duke anuluar fluturimet për në Shkup.

Një nga arsyet e tërheqjes së Wizz Air është kostoja e tarifave të aeroportit.

Wizz Air ka anuluar gjashtë linja nga Aeroporti i Shkupit në vitin 2024. Me fillimin e sezonit të fluturimeve dimërore, fluturimet për në Koln, Kopenhagë dhe Stokholm-Skavsta janë anuluar, pas Krishtlindjeve nuk do të ketë fluturime për në Bremen, si dhe shitjet e biletave për në Salzburg janë pezulluar gjithashtu që nga prilli. Luksemburgu u ndërpre vetëm pas dy muajsh fluturim.

Në vitin 2023, në njoftimin e Qeverisë për subvencionimin e kompanive ajrore, Wizz Air ka marrë subvencione për fluturimet për në Lubjanë, Salzburg, Luksemburg dhe Shtutgart, por nga këto linja operon vetëm linja ajrore Shkup-Lubjanë. Në njoftimin e ri të qeverisë të publikuar në vjeshtën e vitit 2024, linja ajrore hungareze me kosto të ulët ka marrë subvencione për Lionin, Barcelonën dhe Shtutgartin, të cilat nuk u bënë kurrë funksionale edhe pse ishte përzgjedhur në njoftimin e mëparshëm. Sipas marrëveshjes së subvencionit, Wizz Air do t’i operojë këto linja për tre vjet.