Nga Velesi me klikime: Për biznes apo për politikë
I vërshuan konservatorët amerikanë me storje që donin t’i lexonin, i shfrytëzuan algoritmet e mediave sociale pikërisht për atë për të cilën janë krijuar, fituan para, dhe ia dhanë qytetit të tyre titullin “Kryeqyteti botëror i lajmeve të rreme”. Dhjetëra ekipe mediatike nga e gjithë bota dhe dhjetëra studiues nga universitetet në mbarë botën kanë […]


I vërshuan konservatorët amerikanë me storje që donin t’i lexonin, i shfrytëzuan algoritmet e mediave sociale pikërisht për atë për të cilën janë krijuar, fituan para, dhe ia dhanë qytetit të tyre titullin “Kryeqyteti botëror i lajmeve të rreme”. Dhjetëra ekipe mediatike nga e gjithë bota dhe dhjetëra studiues nga universitetet në mbarë botën kanë shkruar për këtë fenomen. Për shkak të tyre, ka ndryshuar mënyra se si paguhet reklamimi dhe publikimi i përmbajtjeve në mediat sociale, e madje edhe presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro i akuzoi ata për rezultatet e zgjedhjeve të fundit në të cilat ai mezi u rizgjodh. Ndoshta jo në një numër kaq të madh, jo në mënyrë aq të dukshme dhe jo aq fitimprurëse, mirëpo “klikuesit” nga Velesi që “i ndihmuan Trump-it të fitonte” me përmbajtje virale në internet në vitin 2016 janë ende këtu – ose më saktë, kultura e përpjekjes për fitim të shpejtë të parave në internet është ende e pranishme, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.
Në shtator të vitit të kaluar, në kulmin e fushatës presidenciale në SHBA, Forbes zbuloi “ferma për klikime” – faqe në Facebook për patriotët amerikanë. “Forbes” identifikoi 67 faqe të rreme (jo-amerikane që paraqiteshin si amerikane) në Facebook, 33 prej të cilave ishin me seli në Maqedoninë e Veriut. Deri më 20 gusht të vitit të kaluar, të gjitha faqet së bashku kishin më shumë se nëntë milionë ndjekës, që është më shumë se numri i ndjekësve të “The Wall Street Journal” ose “The Washington Post”. Nga ana tjetër, faqet jo-maqedonase ishin nga 23 vende të tjera, duke përfshirë Kanadanë, Francën, Marokun, Vietnamin, Venezuelën… “Forbes” konstatoi se pjesa më e madhe e përmbajtjeve ishte krijuar me ndihmën e inteligjencës artificiale, e pasi kërkuan mendim nga pronari i Facebook-ut, “Meta”, faqet u hoqën.
Megjithatë, administratorët që dikur kishin qindra faqe të lajmeve të rreme, tani janë shumë më pak të interesuar për politikën amerikane – arsyeja nuk është në një etikë të re kundër lajmeve të rreme, as në masat e sigurisë kibernetike për të parandaluar ndikimin e dëmshëm të huaj në rrjetet sociale – por, thjesht se nuk ka më (shumë) para në të.
Krahas faqeve sporadike për audiencën e djathtë amerikane, që sot janë më shumë përjashtim sesa rregull, “klikuesit” nga Velesi, siç njihen në qytet, sot janë më të interesuar për mënyra të tjera për të fituar para, sërish përmes konservatorëve.
Pikërisht veteranët ushtarakë, patriotët dhe familjet e tyre janë një nga audiencat e synuara për “marketing digjital” që nxënësve ua rekomandon Mirko Çeshellkoski, i cili hulumton mbi këtë temë, unanimisht e përmendin si themelues të “industrisë së lajmeve të rreme”.
Njeriu që aksidentalisht “i ndihmoi” Trump-it të fitonte mandatin e tij të parë
“Një ekspert autodidakt i mediave sociale”, siç përshkruhet në hulumtim, ose “njeriu që e ndihmoi aksidentalisht Trumpin të fitonte”, siç e përshkruan veten, Mirko Çeshellçkoski, mban trajnime për “marketingun digjital” që nga viti 2011.
Lidhur me titullin e dytë, të cilin e veçon me krenari në intervistat për mediat e huaja, thotë se i është imponuar nga disa ekipe gazetareske.
“Dukej e fuqishme dhe interesante, prandaj edhe ne e përdorëm në disa fushata marketingu” – thotë Çeshellkoski.
I pyetur për “industrinë e lajmeve të rreme” të Velesit dhe mbështetjen për Trumpin në atë kohë, Çeshellkoski thotë se ato ishin vetëm një “përputhje momentale e rrethanave” dhe se nuk ka pasur përpjekje për të përsëritur trendin në ciklet e ardhshme zgjedhore, e as edhe në atë të fundit.
“Absolutisht jo… ishte vetëm një moment në histori dhe qëllimi nuk ishte të ndikohej në zgjedhje, por të krijohen përmbajtje virale për çfarëdo teme. Ka pasur tentativa për të dy kandidatët, por audienca e presidentit ishte shumë më e fortë, më e fuqishme, më e zëshme dhe e etur për t’i ndarë të gjitha ato informacione të mira për të, të cilat kryesisht ishin të vërteta, të marra nga mediat kryesore, ndoshta edhe pak të ekzagjeruara”, thotë Çeshellkoski.
Ai pohon se nuk ka dhe nuk ka pasur një “industri të Velesit” të lajmeve të rreme, sidomos jo për përmbajtje politike:
“Nuk ka ndonjë grup apo komunitet që funksionon së bashku. “Secili e udhëheq biznesin e tij dhe i zhvillon aftësitë e veta digjitale, komunikuese dhe të biznesit në mënyrë të pavarur,” thotë Çeshellkoski, i cili ende mban kurse për “biznes online”.
Rregullat e publikimit dhe reklamimit e kanë ndryshuar tashmë “industrinë e Velesit” që nga zgjedhja e parë e Trump-it. Tani, “industria” po ndryshon edhe për shkak të inteligjencës artificiale: “IA-ja po e ndryshon industrinë tonë të marketingut digjital, nga themeli. Tani për tani është shumë i dobishme dhe kursen shumë kohë. Megjithatë, me kalimin e kohës do të jetë e rrezikshme edhe për gazetarët si ju edhe për industri të tëra…”, thotë Çeshellkoski, duke shtuar se sot ata përdorin e IA-në si mjet për kursim të kohës dhe për automatizim, për të përshpejtuar fushatat e marketingut, tekstet…
Ndoshta Mirko Çeshellkoski mund ta ketë filluar trendin me faqet me përmbajtje virale, por një tjetër sipërmarrës e futi politikën amerikane në to.
“Kisha një faqe interneti që punësonte amerikanë”
Nëse Mirko është “pacienti zero” për industrinë e përmbajtjeve virale, Trajçe Arsov është “pacienti zero” për përmbajtjet politike për konservatorët amerikanë.
Në vitin 2015, siç thotë ai vetë, me sugjerim të vëllait të tij, avokati i ri Arsov nga Velesi, e ndërthuri interesin e tij për konservatorët amerikanë me mundësinë për të fituar para në internet dhe krijoi një nga faqet e para maqedonase për politikën amerikane – usapoliticstoday.com.
“Para faqes sime, kishte djem nga Velesi që kishin faqe për gjëra të tjera – ushqim të shëndetshëm, vetura… që nga viti 2012. Kur u përhap ky trend, vëllai im doli me një ide: “ti e merr vesh politikën, hajde ta bëjmë një faqe interneti për këtë” – më tha. Unë jam vërtet i interesuar dhe e kuptoj politikën në SHBA, e cila është më e rëndësishmja në botë. Në atë kohë, SHBA-të kishin më shumë reklama dhe më shumë para nga reklamat, dhe ueb-faqja ishte bërë për të përfituar. Trump-i dhe mbështetja për të ishin pasojë, jo shkak për ueb-faqet” – thotë Arsov.
Sipas raporteve të rregullta financiare të Facebook-ut, një klikim nga një përdorues amerikan vlente katër herë më shumë se klikimi i një joamerikani.
Kështu filloi faza e parë e krijimit të ueb-faqeve maqedonase për audiencën e krahut të djathtë amerikan.
“Vëllai im, unë dhe disa të njohur filluam seriozisht të merremi me krijimin e një ueb-faqeje me njerëz që u njohin punën e tyre – krijues profesionistë të përmbajtjes.” Kjo ishte një ueb-faqe që punësonte amerikanë. Gjysma e tyre ende punojnë për ueb-faqet e njohura konservatore. Jo vetëm ueb-faqja ime, kishte edhe të tjera që punësuan autorë amerikanë për publikun amerikan. Të gjitha ueb-faqet serioze kishin për synim të zgjasnin, të ishin projekte financiare afatgjata. Një pjesë e madhe e fitimeve shkonte për autorët amerikanë, sepse atyre duhet t’u jepni honorare amerikane” – thotë Arsov.
Përderisa mediat e mëdha tradicionale, sipas Arsovit, i kushtonin vëmendje kryesisht demokratëve, hapësira e internetit ishte e mbushur me media që synonin konservatorët dhe përmbajtje të afërta me to – “një vend i tyre nën diell”.
“Ne ishim një kërcënim për to, një konkurrencë për ueb-faqet amerikane. Ueb-faqja ime arriti në top 500 në Aleksa. Deri atëherë kisha dy milionë abonentë. Heqja e faqeve tona u konvenonte edhe konservatorëve, sepse ua reduktoi konkurrencën” – konsideron avokati.
Së shpejti, administratorët e rinj të faqeve “clickbait”, një trend i nisur nga Mirko Çeshellkoski, e përqafuan trendin e nisur nga Arsovi – ueb-faqet politike. Në vitin zgjedhor 2016 në SHBA, banorët e Velesit hapën më shumë se 140 ueb-faqe politike “clickbait” që synonin përkrahësit e konservatorëve amerikanë. “Shumë fillestarë filluan për shkak të Çeshellkoskit” – thotë Arsovi, “por askush nuk filloi të merret me politikën për shkak të tij”. Asnjëra nga ueb-faqet e para serioze nuk filloi me të.”
“Trendi vazhdoi si një ortek. “Fëmijët” ishin faza e dytë. Ata shikonin nëpër grupet e Facebook-ut se çfarë është më tërheqëse, bënin “copy-paste” dhe përmes grupeve e përhapnin “outreach”-in e tyre – reagimet ndaj përmbajtjeve të tyre. Thelbi ishte se ata krijuan ueb-faqe të menjëhershme sepse ishte e lehtë. Njerëz që as nuk e dinin se çfarë po shkarkojnë dhe ripostojnë. Burimi ishin gjithmonë ueb-faqet amerikane. Velesasit nuk krijonin, por vetëm postonin” – thekson Arsovi.
Qëllimi i ueb-faqeve dhe faqeve në Facebook, të cilat gjeneronin të ardhura nga reklamat, sipas Arsovit, nuk ishte të ndikonin, por të përfitonin nga politika amerikane. Kjo është arsyeja pse ky fenomen nuk përfundoi me zgjedhjet e 2016-ës dhe as nuk u përsërit në ciklet e ardhshme zgjedhore amerikane.
“Ata nuk ishin aktivë në asnjërin nga ciklet e mëvonshme zgjedhore, sepse asnjëherë nuk kanë qenë në fushatë. Të gjitha ueb-faqet që ishin aktive në ato zgjedhje (në vitin 2016, v.j.) vazhduan të funksionojnë mirë edhe pas zgjedhjeve, edhe në vitin 2017, me të njëjtin ritëm. Kjo zgjati deri në vitin 2018, kur Facebook-u vendosi ta heqë metodën e promovimit të ‘përmbajtjes”, thotë Arsov.
Një kontroll i thjeshtë i domenit usapoliticstoday.com në arkivin e internetit waybackmachine tregon se postimet e fundit politike në favor të Presidentit Donald Trump janë postuar vërtet në vitet 2017 dhe 2018. Por, gjithashtu tregon se kjo adresë ka pasur një numër të madh vizitash në vitin 2019 dhe 2020, që ishte poashtu vit zgjedhor në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo nënkupton që ka mundësi të jenë shpërndarë artikuj të vjetër nga kjo ueb-faqe në rrjetet sociale. Në vitin 2021, në këtë domen janë vendosur përmbajtje krejtësisht të tjera – për lojëra të fatit në internet.
Arsov: “I rremë ishte lajmi për lajmet e rreme”
Në kulmin e fushatës presidenciale të vitit 2016 në SHBA, një javë para zgjedhjeve, BuzzFeed publikoi se më shumë se njëqind ueb-faqe që e mbështesin Trump-in drejtohen nga një qytet në Maqedoni.
Në storjen e “BuzzFeed” u citua artikulli i Agjencisë së Lajmeve “Meta”, e cila shtatë muaj më parë, që në fillim të prillit të vitit 2016, raportoi se maqedonasit nga Velesi kishin hapur ueb-faqe që përhapnin artikuj në favor të Donald Trump-it. Meqenëse ata që i kanë regjistruar domenet e këtyre faqeve të internetit nuk i kanë fshehur të dhënat e tyre, Meta.mk që në atë kohë kontaktoi me pesë nga pronarët. Disa prej tyre thanë se e bëjnë këtë për argëtim, disa për përfitime financiare, e disa sepse besojnë se Donald Trump-i do t’i fitojë zgjedhjet.
Pas zgjedhjeve në SHBA, të cilat Trump-i me të vërtetë i fitoi, “Buzzfeed” dhe “Guardian” numëruan 150 ueb-faqe nga Velesi, por theksuan se “industria globale e dezinformimit”, siç e quajtën ata, ekziston edhe në Rumani, Bangladesh, Vietnam… Kurse sfera e interesit është shumë më e gjerë se sa vetëm zgjedhjet presidenciale amerikane.
Zbulimi i “BuzzFeed” e bëri Velesin menjëherë një senzacion mediatik. Mediat më të mëdha në botë, e veçanërisht ato amerikane, dërguan urgjentisht ekipet e tyre për të intervistuar administratorët e rinj të faqeve të internetit në Veles, të njohur që atëherë si “klikues”.
Ish-qyteti industrial, atëherë, por edhe në vitet në vijim, u vizitua nga dhjetëra ekipe gazetareske, si dhe dhjetëra studiues akademikë, të cilët e përdorën atë si rast studimi në punime shkencore në revista shkencore prestigjioze. Mediat morën dëshmi “të dorës së parë” dhe Velesit iu dha titulli “kryeqyteti botëror i lajmeve të rreme”.
“Mediat bënë një lajm të rremë”, është kategorik Arsovi. “Ekipi i parë erdhi me kamera për të filmuar se si bëhen lajmet e rreme. Një mik tha, do të flasë dikush para kamerës? Sa më paguajnë për ta thënë atë që e duan? Treqind dollarë – iu përgjigjën. E nuk ueb-faqe. Ai është duke qëndruar përpara një ekrani me ueb-faqen e dikujt tjetër, dhe po tregon disa shifra shikueshmërie, nga kushedi se cila faqe” – thotë avokati.
Sipas Arsovit, për mediat e huaja deklarata kanë dhënë të gjithë ata që kanë qenë të gatshëm të tregojnë një storje interesante për një shpërblim monetar.
“Ata krijuan “përmbajtje” dhe të gjithë e merrnin atë storje. Erdhën nga SHBA-të, nga Britania, nga Norvegjia, nga çdo vend i mundshëm. Përveç nga Maqedonia. “Vetëm një gazetar dhe një medie nga Maqedonia më kontaktoi për të më pyetur” – thotë Arsovi.
Arsovi i akuzon mediat e huaja se e kanë “spinuar” storjen për ueb-faqet e Velesit dhe kanë krijuar një mit për lajmet e rreme dhe “fermat e trolleve”.
Arsovi pretendon se storja e tyre ishte sipërmarrëse:
“Qëllimi ishte vetëqëndrueshmëria dhe fitimi. Ne në ueb-faqe publikonim edhe deri në 15-20 përmbajtje çdo ditë. E tani, nga të gjitha ato përmbajtje, do të gjeni edhe ndonjë përmbajtje konspirative, të dyshimtë. Nga 3500 përmbajtje të publikuara, kanë gjetur katër-pesë lajme të rreme, katër-pesë kanë gjetur dhe na akuzuan për lajme të rreme”, shpjegon Arsovi, duke i arsyetuar përmbajtjet në ueb-faqen e tij, në kundërshtim me të gjitha analizat e deritanishme.
Ai pranon se “fëmijët” që u përfshinë në fazën e dytë duke kopjuar dhe ripublikuar, bënin plagjiaturë, por sipas tij, ata “thjesht po merrnin storje amerikane”.
“Kur shpërtheu flluska, ata i hoqën të gjitha ueb-faqet, por ueb-faqet amerikane mbetën funksionale” – shton Arsovi.
Ai thekson se ideja për prezantimin e “fermës së trolleve” është një narrativ i gabuar:
“Narrativi është i shtrembëruar. Ueb-faqet shkonin natyrshëm, por publiku e mori vesh për shkak të ueb-faqeve politike. Asnjë nga ueb-faqet me përmbajtje tjetër nuk u pësoi, sepse as që dinin për to. Narrativ i gabuar është se janë përhapur lajme të rreme. Ky është lajmi më i madh i rremë”, thotë Arsovi, në mbrojtje të aktiviteteve të tij.
Edhe pse ka krijuar ueb-faqe që prezantohen si media pa qenë në fakt të tilla, ai drejton gishtin pikërisht nga mediat, veçanërisht ato të huaja, të cilat sipas tij i kanë “ngjitur” pretendimet për lajme të rreme për të pasur një storje më të mirë.
“Kishte qëllim të keq!” Qëllimi ishte të na akuzonin për përhapjen e lajmeve të rreme” – thotë Arsovi, duke shtuar: “Kam dëshmi pagesash, njëqind, dyqind, treqind, deri në pesëqind dollarë, euro, varësisht se nga është ekipi. Bënin dokumentarë, pastaj filmonin, Velesi në murg, muzikë tronditëse, fëmijët “vajtojnë”, nuk ka para… e gjithë kjo e paguar për të qenë para kamerës. Në vend që të ishim temë biznesi, u bëmë temë për rubrikën e krimit”, thotë avokati, duke u përpjekur të dëshmojë pikëpamjen e tij për stojen e “klikuesve”.
“Facebook-u na ka për borxh – Trumpi nuk na shpagoi”
Pas zbulimit të qindra faqeve të internetit dhe faqeve në Facebook jo-amerikane që fitojnë para nga përmbajtjet amerikane, por edhe që ndikojnë në opinionin publik midis votuesve amerikanë, por veçanërisht pas hetimit amerikan për ndërhyrjen e huaj në zgjedhjet e vitit 2016, platformat e mediave sociale i ndryshuan rregullat e tyre për publikimin dhe, më e rëndësishmja, për vendosjen e përmbajtjeve të sponsorizuara. Papritur, qindra ueb-faqeve iu ndërprenë të ardhurat, kurse qindra faqe në Facebook (të ashtuquajtura “pejxhe”) u fshinë.
Aktorët kryesorë të fenomenit të Velesit konsiderojnë se kanë pësuar dëm, e jo publiku apo rrjetet sociale, andaj Arsov pohon:
“Edhe kur i hoqën “pejxhet”, unë përsëri kisha vizita në ueb-faqe. Por, ai na e vodhi të gjithë investimin në `ndërtimin e trafikut` (rritjen e numrit të vizitave) përmes Facebook-ut! Paratë që ishin dhënë për promovim nuk ia ktheu askujt. Të gjithë atyre që kishin faqe interneti, kur “Google Ads” i hoqi reklamat, “Google” ua ktheu gjithçka që kishin fituar. Facebook-u jo” – thotë avokati.
Facebook-u fshiu mijëra faqe dhe grupe si pjesë e masave kundër “sjelljes joautentike të koordinuar“, faqeve dhe grupeve të ndërlidhura që e prezantonin veten në mënyrë të rreme. Disa prej tyre i paguanin reklamat e tyre në Facebook. Për ilustrim, Facebook-u në mars të vitit 2019 për këtë arsye hoqi 2.632 ueb-faqe, grupe dhe profile nga Irani, Rusia, Maqedonia e Veriut dhe Kosova. Prej tyre, 513 faqe të lidhura me Iranin shpenzuan rreth 15,000 dollarë për reklamim në Facebook deri në momentin që u hoqën. Aktualisht nuk ka ndonjë vlerësim se sa qytetarët e Maqedonisë kanë shpenzuar për reklamim në Facebook për faqet për mashtrim të klikimeve.
Arsovi, si avokat, pretendon se kjo është madje edhe bazë për padi, sepse kompania i ka shkelur rregullat amerikane për tregti të ndershme dhe konkurrencë të jolojale.
Megjithatë, atij i vjen më shumë keq që ka mbetur sajesa “Velesi – qendër e lajmeve të rreme”.
“Filluam në vitin 2015 dhe jemi munduar të punojmë sa më profesionalisht, me autorë, duke qenë të kujdesshëm në kërkimin e fotografive për ilustrim që të mos i shkelim të drejtat e autorit, duke i kontrolluar përmbajtjet përmes checkplagiarism.com”, na tha Arsovi. Ai thotë se qëllimi ishte afatgjatë dhe se patën një ndikim të fortë. Mbi të gjitha, ai thotë se nuk e kanë manipuluar publikun, duke shpjeguar: “publikonim përmbajtje pro-republikane në një media të dedikuar për njerëzit e afërt me republikanët. Publiku e dinte se çfarë të priste. Kurrë nuk jemi shtirë si neutralë. Ishim të njëanshëm, mbanim anë, nuk pretendonim se ishim të paanshëm” – thotë Arsovi. Ai shton se ende e posedon ueb-faqen e tij të parë dhe herë pas here e përditëson atë. Ai nuk e di nëse ndonjë nga të rinjtë nga Velesi vazhdon të postojë përmbajtje, por është i sigurt se nuk postojnë përmbajtje politike.
Ai thotë se në njërin prej dokumentarëve ku është intervistuar, gazetari e ka pyetur nëse Donald Trump i ka falënderuar për fitoren. “Duhet të na falënderojë”, thotë “pacienti zero” i ueb-faqeve politike, siç e kanë quajtur mediat e huaja.
Nga zgjedhjet tek veteranët dhe kartelat trampiste
Arsov u përmend edhe në rastin e “rrëmbimit” të faqes së Facebook-ut “Veteranët për Trump-in” në vitin 2018, i cili u publikua nga “Washington Post”. Por, avokati pretendon se vëllai i tij e ka blerë ligjërisht faqen. Para tij, faqja, sipas “Washington Post”, ishte “rrëmbyer” nga një sipërmarrës nga Kumanova, i cili u premtoi pronarëve të atëhershëm se do të rriste shikueshmërinë dhe numrin e vizitave në faqe përmes firmës së tij të marketingut. Më vonë, Facebook ua ktheu faqen pronarëve fillestarë.
Deri më sot, nuk ka asnjë informacion zyrtar nëse, ku dhe çfarë lloj hetimi po zhvillohet për këtë rast. Duke iu përgjigjur pyetjeve, në dhjetor të vitit 2024, Ambasada e SHBA-së në Shkup udhëzoi që të përgjigjet të kërkohen nga autoritetet hetuese amerikane.
“Ambasada bashkëpunon me organet amerikane të hetimit dhe me platformat e mediave sociale për t’iu kundërvënë kërcënimeve të sigurisë kibernetike. Rekomandojmë të kontaktohen drejtpërdrejt organet e zbatimit të ligjit për informacione mbi rezultatet ose hetimet në vazhdim. Ngritja e kapaciteteve për siguri kibernetike mbetet fokus i bashkëpunimit SHBA-Maqedonia e Veriut për të parandaluar keqpërdorimin e platformave digjitale”, thuhet në reagimin e Ambasadës për “Veteranët e Trump-it”.
Përveç “rrëmbyesve” të faqes “Veteranët e Trump-it”, nga Kumanova e kanë origjinën edhe disa operatorë të tjerë të faqeve të lajmeve të rreme në Facebook. Mes tyre janë edhe dy pjesëtarë të ARM-së dhe një inspektor në MPB, ish-kadet i Akademisë Ushtarake. Në janar të vitit 2019, ARM-ja nisi procedurat disiplinore dhe filloi hetimin e përgjegjësisë penale për pjesëtarët e saj. Por, asnjëherë nuk u konstatua se ata kanë kryer vepër penale, e për procedurat penale sot më nuk ka të dhëna.
Të dhënat për shkeljet janë fshirë nga evidenca
“Duke qenë se kjo bëhet fjalë për një ngjarje që ka ndodhur gati pesë vite më parë, të dhënat për procedurën e përcaktimit të përgjegjësisë disiplinore dhe masat e shqiptuara disiplinore janë fshirë nga evidenca zyrtare. Sipas legjislacionit pozitiv të Republikës së Maqedonisë së Veriut, pas skadimit të një periudhe të caktuar, të dhënat lidhur me sanksionet e shqiptuara – gjoba ose kundërvajtje, fshihen nga evidenca e mbajtur për dënimet e shqiptuara. Në mënyrë analoge me këtë rregull të përgjithshëm juridik veprohet edhe me evidencën që ka të bëjë me masat disiplinore” – u përgjigjen nga Shtatmadhoria e ARM-së.
Por, ngushëllues është fakti që të paktën nuk ka faqe të reja lajmesh të rreme të administruara nga ushtarët.
“Për sa i përket pyetjes nëse janë vërejtur që atëherë raste të ngjashme të administrimit të faqeve/profileve me lajme të rreme, Ju njoftojmë se nuk janë vërejtur ngjarje të tilla”, thuhet në reagimin e Shtatmadhorisë.
As ambasada amerikane nuk ka vërejtur ndonjë “fabrikë të lajmeve të rreme” maqedonase në zgjedhjet e fundit.
“Ambasada është në dijeni të pretendimeve për fushata dezinformuese që përfshijnë individë në Maqedoninë e Veriut gjatë fushatës presidenciale të vitit 2016 dhe koordinohet me autoritetet e tjera kompetente për të monitoruar zhvillimet në fushën e manipulimit të informacionit. Si pjesë e veprimeve të koordinuara në të gjithë Qeverinë e SHBA-së, Departamenti i Shtetit punoi për të luftuar operacionet dashakeqe, të mbështetura nga Kremlini, që tentonin të ndikonin në zgjedhjet e vitit 2024 në SHBA. Do të vazhdojmë t’i ekspozojmë aktorët e huaj keqdashës që ndërhyjnë ndërkombëtarisht dhe i minojnë zgjedhjet e lira dhe të drejta, dhe t’i mbajmë ata përgjegjës,” u përgjigj Ambasada në dhjetor të vitit 2024.
Megjithatë, në Veles, pas kaq shumë vitesh pas aferës, kur Trump është rikthyer në pushtet, përsëri ka zhvillime të reja. Në shkurt të vitit të kaluar, “Radio Evropa e Lirë” zbuloi shitjen e “kartelave të rrejshme të Trump-it”, karta debiti me fotografinë e Donald Trump-it në platformën Telegram. Nga 69 profile të shitësve të kartelave, 45 ishin të vendosur në Veles. Për blerësit, mbështetësit amerikanë të Partisë Republikane. Thënë të drejtën, edhe Radio Evropa e Lirë gjithashtu thekson se çdo produkt ishte etiketuar si suvenir, dhe një skemë të ngjashme tashmë kishin përdorur tre kompani nga Kolorado, që kanë shitur “Trump Coins”. Sistemin e quajtën “Trump rebate banking sistem” (TRB), dhe ideja ishte që të ashtuquajturat “koine” apo kartelat e blera sot, nesër, nëse Trump-i vjen në pushtet, do të vlejnë shumë më tepër. Vetë Trump-i gushtin e kaluar lëshoi në përdorim serinë e katërt të “kartelave të Trump-it”, kurse djemtë e tij Eric dhe Don Jr. në Telegram udhëheqin një grup të quajtur “World Liberty Financial”, që lidhet me kriptomonedhën e Trump-it. Grupi ka më shumë se 50.000 anëtarë. Përndryshe, Trump-i shiti edhe atlete, bluza, bibla dhe suvenire të tjera si pjesë e fushatës.
Për momentin nuk ka informacione nëse po merren masa ndaj shitësve maqedonas të “kartelave të Trump-it”.
“Ambasada është në dijeni të pretendimeve në lidhje me aktivitetet mashtruese. Inkurajojmë vigjilencë kundër mashtrimit dhe e theksojmë rëndësinë e bashkëpunimit ndërkufitar në përballjen me mashtrimet kibernetike. Rekomandojmë të kontaktohen organet e zbatimit të ligjit për informata zyrtare në lidhje me këtë dhe raste të ngjashme. Ambasada do të vazhdojë t’i mbështesë përpjekjet e vazhdueshme në Maqedoninë e Veriut për përmirësimin e edukimit digjital dhe rritjen e ndërgjegjësimit për sigurinë kibernetike” – thuhet në reagimin e Ambasadës së SHBA-ve.
“Gazetaria nuk është fitimprurëse, mirëpo lajmet e rreme janë”
Fenomeni i “industrisë” së Velesit ka qenë shkaktar për një sërë punimesh hulumtuese akademike dhe shkencore, si dhe dhjetëra artikuj, kronika dhe dokumentarë në mediat në mbarë botën. “Trollët e Velesit” u bënë edhe temë ei punimeve shkencore në revista profesionale me faktor ndikimi në fushat e sigurisë, politikologjisë/shkencave politike, komunikologjisë, sociologjisë… por, edhe ekonomisë.
Nga dhjetëra punime të konsultuara, dallohen dy – njëri për qartësinë dhe thjeshtësinë e përfundimit, dhe njëri për guximin e përfundimit, në kundërshtim me gjithë hulumtimin e mëparshëm.
“Prodhimi i përmbajtjeve me interes publik nuk është veçanërisht fitimprurës, por krijimi i lajmeve të rreme është.” Ky është, në fakt, një nga përfundimet më shqetësuese me pasojat më të mëdha – theksojnë autorët e punimit “Optimizimi i përmbajtjeve në komunikimin politik: Mësime nga faqet e lajmeve të rreme në Veles, Maqedoni” nga Petre Raluka dhe Sara Trajçevska nga Universiteti i Konstancës, Rumani, i botuar në vitin 2021 në Revistën Rumune të Shkencave Politike.
“Ajo për të cilën, në fakt, ne jemi dëshmitarë, është një mjedis i ri me përmbajtje ku lulëzojnë lajmet e rreme, e jo ato të vërtetat. Besojmë se ky është problemi themelor që duhet zgjidhur nëse synojmë një ekosistem më të mirë informacioni dhe qytetarë të informuar”, thuhet në studim.
Krijuesit e përmbajtjes, thonë autorët, i japin audiencës pikërisht atë që duan ta dëgjojnë, pavarësisht nga e vërteta, dhe e quajnë atë marketing në internet.
“Ky lloj menaxhimi i përmbajtjeve ka shumë pak gjasa të zhduket, dhe në fakt do të lulëzojë, sepse është fitimprurës. “Vlera e tregut të lajmeve të rreme është më e lartë se përmbajtja gazetareske si një e mirë publike” – thonë autorët, të cilët kanë identifikuar një tendencë në rritje të mjegullimit të kufirit midis marketingut dhe gazetarisë.
“Qëllimi i krijuesve të përmbajtjeve nga Velesi ka qenë gjithmonë që t’i optimizojnë përmbajtjet për të rritur numrin e vizitave, pavarësisht nga e vërteta. Ata thjesht kaluan nga përmbajtjet komerciale në ato politike, dhe më pas u kthyen përsëri në ato komerciale. Përmbajtjet që ata i prodhojnë nuk janë vetëm politike, por edhe në shumë fusha të tjera fitimprurëse: sport, kozmetikë/kujdes, trafik… Parimi është i njëjtë, optimizimi i përmbajtjeve dhe vizitave përmes profilizimit të publikut. Prandaj, aktiviteti me përmbajtjet nga Velesi i Maqedonisë nuk ka për qëllim të jetë gazetari, por marketing. Marketingu synon të përshtatet me nevojat e konsumatorit me një produkt apo shërbim, dhe pikërisht këtë po e bëjnë këta të rinj”, përfundon studimi.
Një alternativë ndaj lajmeve të rreme, sipas autorëve të studimit, është gazetaria, e cila nënkupton një punë të mundimshme pa një rezultat të garantuar pozitiv: “Në një situatë të tillë, vlera e tregut të lajmeve të rreme është qartësisht më e lartë se vlera e shërbimit publik/vlerës shoqërore të përmbajtjeve cilësore gazetareske” – thuhet në të.
“Mantra sipërmarrëse që erdhi me ideologjinë neoliberale pas rënies së socializmit në Evropën Lindore predikon iniciativën dhe motivimin personal për të qenë të begatë dhe për të fituar para. Të rinjtë nga Velesi i Maqedonisë e bënë pikërisht këtë në shoqërinë e tyre të sapolindur të tregut, me mjetet që i kishin në dispozicion”, përfundon Raluka në studim.
“Vetëm sepse nuk ka prova nuk do të thotë se nuk ka rusë”
Një pjesë e asaj që është shkruar për fenomenin e “industrisë së lajmeve të rreme në Veles”, në fakt i vërteton pohimet e Arsovit dhe Çeshellkoskit – se motivet themelore ishin ekonomike, ndoshta financiare fitimprurëse, por jo edhe politike, të cilat më vonë u imponuan spontanisht.
Mekanizmin ekonomik, motivet dhe themeluesi konfirmohen edhe nga studimi “Industria maqedonase e lajmeve të rreme dhe zgjedhjet në SHBA në vitin 2016” nga studiuesja Heather Hughes dhe profesori Israel Weismel-Manor nga Universiteti i Haifës, i botuar në gusht të vitit 2020, në revistën “Political Science and Politics”. Por, ky studim është unik në atë që ka një përfundim që nuk paraprihet nga asnjë fjali e vetme në të gjithë punimin.
“Fakti që nuk ka dëshmi për ndonjë përfshirje nga Agjencia Ruse e Hulumtimeve në Internet (IRA) nuk e përjashton mundësinë që ata të jenë përfshirë në prapaskenë, pa dijeninë e të rinjve maqedonas. Përndryshe, është e mundur që operacioni i fshehtë i IRA-s ruse të ishte aq efektiv sa që Çeshellkoski dhe të gjithë të tjerët të mos kenë qenë në dijeni për këtë ose refuzojnë të pranojnë se ishin manipuluar nga IRA”, përfundon profesori Israel Weismel-Manor në faqen e pestë, të fundit të punimit, në të cilin asnjëherë nuk përmendet kontakti i të anketuarve me rusët.
Pjesa e punës në terren e hulumtimit u krye nga Heather Hughes në maj të vitit 2018 në Veles, e gjithashtu ndoqi edhe njërin nga kurset e marketingut digjital të Çeshellkoskit.
“Hulumtimi ynë e konfirmon (1) rolin kyç që Çeshellkoski e luajti në krijimin e industrisë, (2) motivin ekonomik që i shtyu përhapësit e lajmeve të rreme dhe (3) mënyrën në të cilën kryesisht të rinjtë me aftësi të dobëta të gjuhës angleze ishin në gjendje të gjeneronin kaq shumë trafik dhe të përhapnin kaq shumë dezinformata” – përfundon studimi.
Gjatë përgatitjes së këtij studimi, u publikua edhe hulumtimi i Laboratorit Maqedonas të Gazetarisë Hulumtuese (IRL) dhe Projektit për Raportimin për Krimin e Organizuar dhe Korrupsionin (OCCRP), në të cilin ata zbulojnë se Trajçe Arsov është pronar i “ueb-faqes së parë nga Velesi”. Në hulumtim, IRL zbulon gjithashtu se gjatë vitit 2015, në Maqedoni erdhi Ana Bogaçeva, në atë kohë shefe e Departamentit për analizën e të dhënave e Agjencisë Ruse të Hulumtimeve në Internet, subjekt që ishte i përfshirë në hetimin e Prokurorit Special, Robert Mueller, për ndërhyrjen ruse në zgjedhjet e vitit 2016 në SHBA. Megjithatë, IRL në hulumtimin e tij thekson se as ata, e as partnerët e tyre nga OCCRP nuk kanë gjetur lidhje mes gruas ruse dhe ueb-faqeve maqedonase.
Në studim, ekipi i referohet hulumtimit të IRL, por me interpretimin dhe përfundimin e tij:
“Duke folur me operativët, burimet lokale dhe me Mirko Çeshellkovskin, në hulumtimin tonë në terren, nuk gjetëm prova për pretendimet e fundit (përfshirjen ruse, v.j.), por gjetëm mjaft konfirmime për narrativin origjinal”, thuhet në përfundimin e studimit të Weismel-Manor-it.
Si studimet, ashtu edhe vetë operatorët e ueb-faqeve, aktivitetin e tyre e përkufizojnë si “marketing në internet”. Në sytë e tyre, siç përfundon edhe studimi rumun, ajo që ata e bëjnë nuk ka të bëjë me gazetarinë dhe informimin, dhe për këtë arsye nuk është patjetër të jetë e vërtetë. Kjo shmangie e plotë e komponentit etik në aktivitetet e tyre është veçanërisht e theksuar në “bizneset” si shitja e “kartelave të Trump-it”, të cilat, megjithëse jo formalisht, janë në kufi të mashtrimit. Jo më pak i dëmshëm është “krijimi i përmbajtjeve” që dezinformon miliona dhe shkakton lloje të tjera dëmesh.
“Raporti i ‘Freedom House’ për lirinë e internetit për vitin 2017 tregon se taktikat e manipulimit dhe dezinformimit në internet luajtën një rol të rëndësishëm në zgjedhjet në të paktën 18 vende në vitin 2016.” Risia kryesore është se mediat e reja mundësojnë që dezinformatat të instrumentalizohet edhe nga njerëzit e thjeshtë, si ata në Veles”, thekson studimi rumun.
Kjo mënyrë për të fituar para mund të jetë e shpejtë dhe efikase, ndoshta edhe e ligjshme, por jo edhe e padëmshme. Në fund të fundit, siç përfundon Weismel-Manor: “Nëse maqedonasit po fitojnë para, sigurisht që demokracia po e paguan faturën.”
Përndryshe, e lartpërmendura Ana Bogaçeva ishte ndaluar në mesin e tetorit të vitit 2019 në bisedë informative në Minsk të Bjellorusisë, me kërkesë të Interpolit. Por, siç njoftoi në atë kohë Ambasada e Federatës Ruse në Minsk, ajo ishte lënë në liri.