Një antiplenumist dhe djalë i një lojalisti partiak do ta përfaqësojë rininë në Qeverinë e Mickoskit
Ngritja e Stole Pandovit (27) është në shumë gjëra e ngjashme me atë të historianit Aleksandar Pandov (53). Stole, ashtu si babai i tij Aleksandri, ishte ndër të parët me një pozicion të konfirmuar në qeverinë e re. Biri Stole është emëruar këshilltar për të rinjtë i kryeministrit Hristijan Mickoski. Babai Aleksandri u bë drejtor […]
Ngritja e Stole Pandovit (27) është në shumë gjëra e ngjashme me atë të historianit Aleksandar Pandov (53). Stole, ashtu si babai i tij Aleksandri, ishte ndër të parët me një pozicion të konfirmuar në qeverinë e re. Biri Stole është emëruar këshilltar për të rinjtë i kryeministrit Hristijan Mickoski. Babai Aleksandri u bë drejtor i Drejtorisë për Ekzekutimin e Sanksioneve, detyra e së cilës është të mbikëqyrë masat e burgimit dhe paraburgimit në vend. Edhe biri edhe babai janë pjesë e mijëra funksionarëve të zgjedhur pa konkurrencë dhe meritë. Maqedonia është një vend në të cilin punësimi pa konkurrencë dhe pa kriter është i normalizuar, aq sa emërimet që vijnë sipas preferencave partiake dhe ideologjike, por edhe personale të njerëzve të rëndësishëm të sistemit partiak, nuk e tronditin më askënd, shkruan IRL, transmeton Portal.mk.
Pas tetë vitesh në opozitë VMRO DPMNE-ja doli me një program në të cilin shpalli luftë kundër korrupsionit dhe kthimin e të rinjve në shtet – fund nepotizmit dhe kthim të vlerave të punësimit të bazuar në merita. Historia e ngritjes së të riut Pandov është shumë më tepër se një histori nepotizmi në institucione – por një përshkrim i kulturës biznesore të partive si një instrument për pushtimin e institucioneve që edhe pa atë tashmë janë në gjendje të mjerueshme.
Biografia e Aleksandar Pandovit në ueb-faqen e Drejtorisë për Ekzekutimin e Sanksioneve ende nuk është plotësuar. Pandovi ka qenë deputet në Kuvend nga viti 1998 deri në vitin 2002. Deri në vitin 2011 Pandov figuronte edhe si punonjës i kompanive të biznesmenit rus dhe ish-konsullit të nderit të Federatës Ruse Sergej Samsonenko, i cili është në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) për korrupsion që nga viti 2023. Nga viti 2020 Pandov bëhet kryetar i Institutit Patriotik të VMRO-DPMNE-së – “Goce Dellçev”, i cili përfaqëson dhe mbron idenë e pavarësisë së popullit maqedonas dhe tregon nevojën e respektit për luftëtarët në të gjitha luftërat nacional-çlirimtare për Maqedoninë.
Djali i tij, Stole Pandov, prej pesë vitesh është pjesë e Komitetit Ekzekutiv të Unionit të Forcave Rinore të VMRO-DPMNE-së (UFR). Në periudhën parazgjedhore në profilet e rrjeteve sociale të Stoles mund të shihej se ai ishte plotësisht i përkushtuar ndaj aktiviteteve partiake. Si anëtar i UFR-së ai shpërndante rregullisht foto nga vizitat në degët lokale të UFR-së. Këtë vit ka shpërndarë çanta me material promovues parazgjedhor si çakmakë, stilolapsa, bluza dhe fletore derë më derë nëpër komunat e Shkupit. Nuk kanë munguar edhe fotografitë me kryeministrin Hristijan Mickoski, ndërsa përshkrimi i këtyre fotografive është shkruar në frymën e fitores që mbretëronte në atë kohë në parti. Pas marrjes së Qeverisë kryeministri e zgjodhi Stolen për ta këshilluar për rininë.
I vetmi informacion publik për Stolen është se ai është djali i Aleksandër Pandovit dhe se shkollën e mesme e ka kryer në gjimnazin privat “Nova”, e më pas ka studiuar në universitetin privat “American College”.
Derisa ishte në opozitë kryeministri Mickoski vazhdimisht i kritikonte punësimet në baza partiake. Në vitin 2022 në emisionin “Rruga drejt” në Alsat ai deklaroi se librezat partiake nuk do të jenë kriter punësimi, por njohuritë dhe aftësitë, ndonëse, siç tha ai, kjo gjë nuk do t’i pëlqejë as shumë personave në parti.
“Mua si person, nëse më jepet mundësia të drejtoj qeverinë, mund t’ju premtoj se baza do të jetë sistemi i meritave”, u përgjigj Mickoski në vitin 2023 në pyetjen për punësimet në baza partiake si arsye për largimin e të rinjve nga vendi.
Më vonë, duke folur nga pozita e profesorit, ai tha se tetë nga 10 studentë të tij vendosin të largohen nga Maqedonia pas diplomimit dhe bëri thirrje për respektim të meritokracisë në punësime.
Megjithatë, të rinjtë mendojnë të largohen nga Maqedonia që në përfundim të arsimit të mesëm. Anastasija Bogoevska është nxënëse në gjimnazin “Josip Broz Tito”, ajo është në vitin e katërt dhe tashmë ka vendosur që pas diplomimit t’i bëjë gati valixhet dhe të largohet nga vendi.
Në bisedë me IRL-në ajo thotë se nuk e sheh të ardhmen e saj në Maqedoni sepse avantazhi për punësim dhe avancim të mëtejshëm në karrierë është libreza partiake. Ajo dëshiron të studiojë dhe më pas të punësohet në një vend tjetër sepse, siç thotë ajo, dëshiron që njohuritë dhe puna e saj të vlerësohen.
“Shumë njerëz të brezit tim tashmë po përpiqen dhe aplikojnë për bursa. Po t’u jepej mundësia do të largoheshin edhe ata”, thotë Bogoevska.
Premtimi për respektimin e sistemit të meritave i kryeministrit Mickoski nga opozita u harrua me ardhjen e tij në pushtet. Tani që është njeriu i parë i Qeverisë, nga atje nuk duan të përgjigjen se çfarë cilësish dhe aftësish të Stoles kanë qenë vendimtare për ta fituar besimin dhe pozitën në Qeveri. Ata nuk u përgjigjen as edhe nëse ka pasur kandidatë të tjerë për pozitën e këshilltarit për të rinjtë.
E vetmja përgjigje nga Qeveria ishte se deri më tani janë punësuar vetëm disa këshilltarë të jashtëm që janë profesorë, shkencëtarë, biznesmenë të shquar, ekspertë dhe profesionistë që posedojnë njohuri dhe përvoja të veçanta në fushat e planifikimit afatgjatë dhe strategjik në fushën ekonomike, sistemin politik dhe zhvillimin e qëndrueshëm.
“Për çdo emërim apo caktim të një personi konkret në kuadër të Qeverisë janë bërë analiza të biografive të tyre dhe është bërë përzgjedhja sipas kompetencave të përcaktuara”, kanë thënë nga shërbimi për media i Qeverisë. Edhe ata, njëlloj si paraardhësit e tyre, nuk duan t’i ndajnë procedurat e përzgjedhjes.
Pandovi nuk ka program, por ndoshta ka dhënë biografi
Në një bisedë telefonike me IRL, Pandov tha se emërimi i tij është vendim i kryeministrit Mickoski dhe se nuk e di nëse ka pasur kandidatë të tjerë për të njëjtën pozitë.
E pyetën nëse ka dorëzuar CV dhe planin e punës.
“Nuk kam dhënë biografi dhe program”, tha Pandov. Pas disa sekondash, ai ndryshoi mendje.
“Mendoj kam dhënë biografi, por nuk kam dhënë plane për kryerjen e pozitës time, po veproj sipas programit ekzistues”, u përgjigj Pandov, i cili fillimisht është njohur me sektorin e rinisë.
Ai nuk kishte dëshirë të zbulojë më shumë detaje dhe na udhëzoi që përgjigje në pyetjet të kërkojmë me shkrim nga kabineti i kryeministrit, sepse emërimi i tij ka qenë vendim i Mickoskit.
“Tani ju më bëni pyetje të tilla, e unë as që isha i përgatitur që të më bënit pyetje”, tha Pandov.
Nga antiplenumist në këshilltar për politika rinore në Qeveri
Të rinjtë për të cilët Pandovi duhet t’i japë këshilla kryeministrit Mickoski vitet e fundit u përballën me probleme serioze. Disa prej atyre që dëshironin të studionin në kryeqytet pas mbarimit të shkollës së mesme u desh të jetonin në kushte mizore në disa nga konviktet e studentëve. Ata ushqeheshin me vakte të varfra studentore, prandaj dhe organizuan protesta. Shumica e studentëve u ankuan se edhe tarifat e pashmangshme të universiteteve shtetërore ishin shumë të larta. Dhe pothuajse të gjithë në atë moshë përballen me frikën e punësimit pas përfundimit të studimeve. Ata druajnë edhe për ekzistencën e tyre në të ardhmen dhe për këtë arsye një pjesë e madhe e të rinjve u shpërngulën nga Maqedonia në vende ku puna e tyre do të njihet dhe vlerësohet. Këto probleme dhe frikа janë më pak të njohura për njerëzit që i kanë pasur mundësitë dhe privilegjet e shkollimit privat që nga shkolla e mesme, siç është këshilltari i ri për të rinjtë, Stole Pandov.
Meqenëse biografinë e Pandovit nuk e morëm nga Qeveria, ne kërkuam sërish që të na e dërgojë. Biografinë e diktoi në telefon. Ai na tha se ka punuar në Sparkasse Bank për katër vjet dhe se ka ndërruar disa departamente atje, pastaj ka punuar në Croatia Insurance për gati dy vjet.
I pyetur nëse ka marrë pjesë në aktivizmin e studentëve apo të shkollave të mesme, Pandov tha se ishte kontraplenumist.
Ai e konsideron veten si zgjidhja e duhur për pozitën që ka marrë, sepse në vitet e kaluara ka udhëtuar shumë kilometra nëpër qytetet e Maqedonisë për të parë se si jetojnë të rinjtë. Ai pretendon se babai i tij nuk ka pasur asnjë rol në emërimin e tij, edhe pse ndër vite njerëzit kanë konsideruar se gjithçka që ai ka arritur në jetë ka qenë meritë e babait të tij.
“Babai im nuk ka intervenuar kurrë për asgjë për mua. Nuk më ka çuar as në evente. Të gjitha punët i kam bërë vetë me ekipin e UFR-së, kam pesë vite edhe në Komitetin Ekzekutiv”, thotë Pandov në një bisedë me IRL-në.
Të kënaqur me zgjedhjen e Stoles si këshilltar për të rinjtë në qeveri shprehen edhe bashkëpartiakët e tij nga UFR-ja.
E pyetëm kryetarin e UFR-së, Sergej Popov, nëse Stole Pandov ishte zgjidhja më e mirë për këtë pozicion në krahasim me anëtarët e tjerë të UFR-së.
“Mendoj se zgjedhja është e shkëlqyer. Nuk e di nëse është më i miri, por është i shkëlqyer”, thotë Popov.
Popov në një bisedë për IRL thotë se kushdo që të zgjidhej për këtë pozitë nga UFR-ja do të thoshte se është më i miri sepse të gjithë janë bashkëpartiakët e tij dhe të gjithë janë njerëz cilësorë. Ai nuk e dinte se Stole do të emërohej këshilltar për të rinjtë, sepse partia dhe kryeministri Mickoski asnjëherë nuk kanë biseduar për temën e punësimeve.
Kryetari i studentëve dhe ai i nxënësve të shkollave të mesme e kanë njoftuar Stolen me funksionimin e universiteteve dhe shkollave shtetërore
IRL e kontaktoi edhe kryetarin e studentëve të Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” (UKM), Aleksandar Nikollovski dhe kryetarin e nxënësve të shkollës së mesme Berin Muhamed. Të dy kanë qenë të parët që kanë inicuar një takim me këshilltarin e ri.
Aleksandar Nikollovski përshkroi se takimi me Stole Pandovin ka shkuar shkëlqyeshëm dhe se ai ka qenë i hapur për komunikim. Në takimin fillestar ata janë njohur, pasi Stole nuk ka qenë aq i njoftuar me funksionimin dhe aktivitetet studentore të UKM-së. Nikollovski thotë se Stole nuk ka kompetenca të mëdha, por i përfaqëson të rinjtë dhe qëndrimet dhe kërkesat dhe qëndrimet e tyre ia përcjell Qeverisë.
“Në të ardhmen është më mirë që si përfaqësues të të rinjve në Qeveri të zgjidhet dikush që ka luajtur rol në aktivizmin e shkollave të mesme apo universitare”, thotë Nikollovski.
Studentët tashmë kanë kërkuar takim me kryeministrin Mickoski dhe të njëjtin qëndrim do ta shprehin edhe në takim. Sipas Nikollovskit, kjo nuk do të thotë se janë kundër zgjedhjes aktuale të këshilltarit për të rinjtë në Qeveri, por do të ishte normale që në të ardhmen zgjedhjet të bëhen në koordinim me unionet e studentëve dhe nxënësve të shkollave të mesme. Në këtë mënyrë do të zgjidhej një përfaqësues për interesat e të rinjve në Qeveri, i cili tashmë ka pasur përvojë në organizata të shkollave të mesme dhe organizata studentore.
Udhëheqësi i nxënësve të shkollave të mesme, Berin Muhamed, është takuar dy herë me Stole Pandovin. Takimi i parë ka qenë në Qeveri dhe është biseduar për hapjen e këshillave rinore dhe qendrave rinore për nxënësit e shkollave të mesme. Takimi i dytë, i rastësishëm, në Berlin.
“Ne u takuam edhe në Berlin, ai erdhi ditët e fundit bashkë me kryeministrat dhe delegatët. Nuk e di sa aktiv dhe i përfshirë ka qenë deri më tani në organizatat e shkollave të mesme dhe në organizatat studentore”, thotë Muhamed.
Në takimin e parë ku Stole nga posti i këshilltarit për të rinjtë duhej të dëgjonte nevojat e Unionit të nxënësve të shkollave të mesme, ai u dha atyre edhe numrin e Ministrisë së Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, në të cilën departamenti i të rinjve është ende jofunksional.
Të rinjtë janë vetëm një pjesë e emrit të Ministrisë së re të Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë
Në premtimet parazgjedhore të rinjtë ishin në fokus të programeve politike. Programi i VMRO-DPMNE-së ishte një mori idesh që do të përmirësonin standardin jetësor të të rinjve. Një nga idetë ishte që t’i propozohej Kuvendit riorganizimi i kompetencave të disa ministrive, përfshirë Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale. Ideja ishte që segmenti rinor të fitojë rëndësi sektoriale dhe prioritetizim në Ministrinë e re të Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë. Në kuadër të ministrisë së re do të krijohej një qendër për hulumtimin e çështjeve rinore, e cila do të ketë për qëllim ta monitorojë zbatimin e planeve operacionale që do të dalin nga Strategjia Kombëtare për Rininë.
Kanë kaluar katër muaj nga formimi i Qeverisë së re. Faqja e Ministrisë së re të Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë ende nuk është përditësuar, kështu që vazhdon të qëndrojë emri i vjetër i Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale. Emri i ri gjendet vetëm në lajmet për aktivitetet e ministrit Fatmir Limani. Por për momentin në këtë ministri rinia është vetëm në emër.
Departamenti i ri për të rinjtë në ministri nuk është hapur ende për shkak se ndryshimet në organizimin e brendshëm dhe sistematizimin e vendeve të punës nuk janë dërguar ende për miratim në mënyrë që të mund të krijohet departamenti i ri.
“Ende nuk është hapur qendra hulumtuese, formimi i së cilës është planifikuar në kuadër të sektorit të rinisë. Nuk ka të punësuar dhe persona të angazhuar me punë që punojnë në fusha me interes për të rinjtë”, thonë nga Ministria.
Nga të gjithë të rinjtë nga vendet e Evropës Juglindore ata që jetojnë në Maqedoni më së shumti duan të shpërngulen
Rezultatet e hulumtimit “Studimi për të rinjtë nga Evropa Juglindore”, i realizuar nga Fondacioni Fridrih Ebert, tregoi se 42,67 përqind e të rinjve në Maqedoni dëshirojnë të largohen nga vendi. Të rinjtë kanë deklaruar se duan të largohen nga vendi për shkak të standardit dhe kushteve të dobëta sociale, jetësore dhe ekonomike.