Një muaj nga thirrja publike, Arsovska ende taktizon dhe nuk emëron drejtor të Kopshtit Zoologjik
Ka kaluar plot një muaj që kur Qyteti i Shkupit, gjegjësisht kryetarja Danella Arsovska, shpalli thirrje publike për zgjedhjen e drejtorit të Kopshtit Zoologjik të Shkupit, por ende nuk ka asnjë epilog nga kjo thirrje edhe pse tashmë kanë përfunduar të gjitha afatet ligjore, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk. Mbetet dilema nëse në krye të institucionit […]
Ka kaluar plot një muaj që kur Qyteti i Shkupit, gjegjësisht kryetarja Danella Arsovska, shpalli thirrje publike për zgjedhjen e drejtorit të Kopshtit Zoologjik të Shkupit, por ende nuk ka asnjë epilog nga kjo thirrje edhe pse tashmë kanë përfunduar të gjitha afatet ligjore, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.
Mbetet dilema nëse në krye të institucionit do të vijë ish-drejtori Gjorgi Galetanovski, i cili ishte kandidati i vetëm që aplikoi në thirrjen publike, duke e pasur parasysh mbështetjen e madhe që ka në opinion.
Ende nuk dihet se për çfarë arsye Arsovska po taktizon dhe nuk emëron drejtor të këtij institucioni, i cili vitet e fundit nuk gëzon reputacion të madh në publik për shkak të një sërë skandalesh.
Afati për ankesa ka përfunduar para një jave, ndërsa nga Qyteti i Shkupit ende nuk ka asnjë njoftim në lidhje me thirrjen publike.
Në një konferencë për shtyp të mbajtur më 20 gusht, kryetarja Arsovska tha se hapin e parë duhet ta bëjë Këshilli Drejtues i Kopshtit Zoologjik.
“Ligji e përcakton se si bëhet kjo, gjegjësisht Këshilli Drejtues është ai që duhet ta bëjë hapin e parë, para se dokumentet të dorëzohen dhe shqyrtohen nga Qyteti i Shkupit, kështu që këtë e presim nga Këshilli Drejtues i institucionit”, tha Arsovska si përgjigje në pyetjen e gazetarëve për atë se kur do të merret vendimi nëse Galetanovski do të jetë drejtor i ri i Kopshtit Zoologjik.
Por, problemi u shfaq kur u konstatua se në të vërtetë Këshilli Drejtues ka vetëm një anëtar dhe se tre anëtarët e tjerë (përfshirë këtu edhe kryetarin) vetë Arsovska i ka emëruar drejtorë në institucione të tjera. Kjo ishte arsyeja se përse nuk kishte kuorum për mbledhjen e Këshillit Drejtues, ndërsa që atëkohë ka kaluar pothuajse një muaj – ende nuk janë emëruar anëtarë të rinj të Këshillit Drejtues, e as Arsovska, e cila ka të drejtë diskrecionale t’i shqyrtojë aplikacionet e pranuara, nuk ka vepruar.
Pak kohë më parë Galetanovski përmes një statusi në Facebook ka njoftuar se nuk ka kurrfarë informacioni nëse thirrja publike është anuluar, apo nëse ai është refuzuar. Ai bëri të ditur se një avokat do të shkojë e t’i marrë dokumentet, nëse ato janë shqyrtuar siç duhet.
“Dua edhe t’ju lus që të mos më dërgoni mua foto dhe pyetje për situatat aktuale atje sepse nuk jam i përditësuar me asgjë sa i përket Kopshtit Zoologjik, atje as që ka drejtor dhe kolegët janë lënë vetëm dhe ju lumtë për punën që bëjnë”, ka shkruar ndër të tjera Galetanovski dhe ka shtuar se Kopshti Zoologjik në Shkup duhet të depolitizohet.
Një nga skandalet e fundit në Kopshtin Zoologjik të Shkupit ka ndodhur para dy javësh, ndërsa për të ka njoftuar “Slloboden Peçat“. Ajo që ka ndodhur është se një punonjës i Kopshtit Zoologjik ka mbajtur një mace në një kafaz dhe e ka futur atë në ujë, e si pasojë e kësaj kafsha ka filluar të mbytet para syve të vizitorëve të shumtë. Macja ka filluar të luftojë për jetën e saj, ndërsa punonjësi kur ka dëgjuar britmat e vizitorëve ka thënë se macja po ia “mbyste zogjtë”, e ka marrë kafazin, ka hipur në furgon dhe ka ikur.
Tashmë në mandatin e tretë ushtrues detyre drejtor i Kopshtit Zoologjik në Shkup është Zoran Popov, por nuk dihet nëse mandati i tij si ushtrues detyre drejtor është vazhduar ose institucioni funksionon pa person që ta drejtojë atë.