Një muaj paraburgim ndaj 82-vjeçarit të dyshuar për krim*e lufte kundër popullsisë civile
Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special më 13 shtator 2024, ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh ndaj Tomislav Pantiq, i cili dyshohet për krime lufte ndaj popullsisë civile. Në vendimin e siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, thuhet se masa e paraburgimit të dyshuarit Pantiq do t’i llogaritet prej kohës së ndalimit më 12 […]
Në vendimin e siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, thuhet se masa e paraburgimit të dyshuarit Pantiq do t’i llogaritet prej kohës së ndalimit më 12 shtator 2024 deri më 11 tetor 2024, derisa veprimet hetimore ndaj tij thuhet se kanë filluar më 9 shtator 2024.
Masa e paraburgimit sipas këtij aktvendimi të njëjtit i është caktuar në bazë të nenit 184 (i cili parasheh kushtet e nevojshme për caktimin e paraburgimit) paragrafi 1 nën paragrafi 1.1 dhe 1.2, pika 1.2.1 të Kodit të Procedurës Penale.
Sipas këtij vendimi, Pantiq dyshohet se ka kryer veprën penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile” e sanksionuar me nenin 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë (LP-RSFJ), si ligj në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale, që mbi këtë dyshim edhe Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) e ka bazuar kërkesën e saj për caktimin e paraburgimit ndaj të njëjtit.
Tutje, në arsyetimin e këtij vendimi, thuhet se ekziston dyshimi i bazuar se i njëjti ka kryer veprën penale për të cilën dyshohet, ngase sipas gjykatës kjo vërtetohet nga provat që janë bashkangjitur në shkresat e lëndës si dhe në kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit.
Caktimin e paraburgimit, gjykata e ka arsyetuar edhe me faktin se ka arsye për të besuar se nëse i njëjti gjendet në liri do të mund të pengoj rrjedhën normale të procedurës penale, ashtu që i njëjti mund t’i shmanget procedurës dhe do të ishte i pakapshëm nga organet e drejtësisë.
“Meqenëse, i pandehuri dyshohet për vepër penale të një rrezikshmërie të lartë shoqërore të sanksionuar dhe me normat ndërkombëtare, si dhe duke pasur parasysh pasojat për të cilat dyshohet të jenë shkaktuar si rezultat i veprimeve inkriminuese të cilat i vihen në barrë të pandehurit, andaj gjykata vendosi si në dispozitiv të këtij aktvendimi”, thuhet tutje në vendimin e gjykatës.
Gjykata po ashtu thuhet se ka marrë për bazë edhe faktet se i dyshuari Pantiq është shtetas serb dhe gjendet me vendbanim të përhershëm në Serbi dhe nga vlerësimet juridike shoqërore sipas kësaj gjykate dihet qartë se shteti i Serbisë në mënyrë notore e ka shprehur mos bashkëpunimin juridik në çështjet penale me Republikën e Kosovës.
Kështu, caktimi i masës e paraburgimit sipas kësaj gjykate tani për tani është e vetmja masë për rrjedhjen e pa penguar të procedurës penale për këtë çështje.