“Nuk ka kush të punojë”: RMV me krizë burimesh njerëzore në sistemin gjyqësor, s’ka kandidatë në shpalljet për punësime
Sistemi gjyqësor në Maqedoninë e Veriut po përballet me mungesë të theksuar të stafit profesional dhe teknik, pavarësisht se mbi 82% e buxhetit të gjykatave shkon për paga. Këtë mes tjerash e thekson raporti vjetor i Këshillit Gjyqësor të RMV-së. Gjykatat nuk kanë administratorë, mungon stafi i IT-së dhe përkthyes, ndërkohë që vendet e shpallura […]


Sistemi gjyqësor në Maqedoninë e Veriut po përballet me mungesë të theksuar të stafit profesional dhe teknik, pavarësisht se mbi 82% e buxhetit të gjykatave shkon për paga. Këtë mes tjerash e thekson raporti vjetor i Këshillit Gjyqësor të RMV-së. Gjykatat nuk kanë administratorë, mungon stafi i IT-së dhe përkthyes, ndërkohë që vendet e shpallura për punësim mbesin bosh nga mungesa e interesit. Në disa gjykata, as kryetarët nuk kanë mbështetje administrative për të menaxhuar institucionin. Raporti tregon se ikja e punonjësve për shkak të ndërprerjes vullnetare të punësimit është e dukshme, dhe nuk ka interes nga kandidatët e rinj në shpalljet për punësim të ri, shkruan Portalb.mk.
“Burimet njerëzore janë burimet më të rëndësishme në dispozicion të çdo pushteti gjyqësor, dhe ky fakt ilustrohet më së miri nga përqindja e lartë e shpenzimeve për burimet njerëzore, e cila arrin në 82.06% në strukturën e anës së shpenzimeve të buxhetit gjyqësor. Cilësia, fushëveprimi dhe niveli i zhvillimit të burimeve njerëzore dhe potenciali i tyre përcaktojnë funksionimin, pavarësinë dhe efikasitetin e gjyqësorit, si dhe nivelin e besimit në gjyqësor në shoqëri. Shtylla kryesore në sigurimin dhe mbrojtjen e drejtësisë, të drejtave dhe lirive të njeriut është gjyqtari, prandaj sigurimi i kushteve të përshtatshme për ushtrimin e qetë të funksionit gjyqësor është një prioritet”, thuhet në raport.
Numri i të punësuarve në pushtetin gjyqësor më 31 dhjetori 2024 është 2,480 persona, ndërsa më 31 dhjetori 2023, ishin të punësuar gjithsej 2,611 persona.
Tabela e mëposhtme tregon lëvizjen e numrit të punonjësve në degën gjyqësore nga viti 2019 deri në vitin 2024, sipas kategorive të veçanta, me një rënie të dukshme të numrit të gjyqtarëve aktivë çdo vit.
“Në periudhën nga 01.01.2024 deri më 31.12.2024, në gjykata u realizuan gjithsej 196 punësime mbi baza të ndryshme, si vijon: 10 përmbarues u punësuan pas një konkursi të publikuar për një periudhë të pacaktuar kohore (pas marrjes së rinovimit të pëlqimit nga Ministria e Financave në përputhje me Planin e Vetëm Vjetor të Punësimit në Gjykata për vitin 2023), pastaj 181 përmbarues u punësuan pas konkurseve të publikuara për punësim për një periudhë të caktuar kohore, dhe 5 përmbarues u morën në punë nga organe dhe institucione shtetërore jashtë pushtetit gjyqësor,” thuhet në raport.
Numri i të punësuarve në Këshillin Gjyqësor të Republikës së Maqedonisë dhe Akademinë për Gjyqtarë dhe Prokurorë Publikë është 67 edhe atë:
Numri i të punësuarve në gjykatat e Republikës së Maqedonisë së Veriut është 2.413 persona.
“Plani i Vetëm Vjetor i Punësimit në Gjykata për vitin 2024 parashikoi 168 ngritje në detyrë dhe 255 punësime të përhershme, nga të cilat 178 persona ishin tashmë të punësuar në gjykata me kontratë me afat të caktuar deri në fund të vitit 2024, gjegjësisht ata në fakt duhej të transformonin punësimin e tyre nga kontratë me afat të caktuar në një kontratë të pacaktuar, duke pasur parasysh se të njëjtët persona kanë punuar në gjykata me kontratë me afat të caktuar për një numër më të madh vitesh”, thuhet në raport.
Lidhur me punësimet dhe ngritjet në detyrë të parashikuara në Planin e Vetëm Vjetor të Punësimit në Gjykata për vitin 2024, pas zgjedhjeve parlamentare, nga Ministria e Financave u kërkuan pëlqime individuale për punësime dhe ngritje në detyrë nga gjykata, por nga Ministria u dhapërgjigje negative për të gjitha kërkesat.
Në periudhën nga 01.01.2024 deri më 31.12.2024, në gjykata u realizuan 29 ngritje në detyrë pas shpalljeve të brendshme (pas marrjes së pëlqimit të rinovuar nga Ministria e Financave në përputhje me Planin e Vetëm Vjetor të Punësimit në Gjykata për vitin 2023).
Në Këshillin Gjyqësor të Republikës së Maqedonisë, në vitin 2024 janë realizuar 2 punësime me kohë të caktuar.
Edhe pse gjatë vitit 2024 u realizuan punësime të reja në gjykata, situata e mungesës së personelit të nevojshëm në gjyqësor ishte e pranishme edhe gjatë këtij viti, veçanërisht:
- Gjykata Supreme e RMV-së; Gjykata e Apelit(GjA) të Manastirit, GjA të Gostivarit, GjA të Gjevgjelisë dhe GjA të Kërçovës nuk kanë administratorë gjyqësorë, gjë që e rëndon më tej punën e kryetarit të gjykatës, përkatësisht e bën më të vështirë menaxhimin e gjykatës.
- Numri i stafit të IT-së në gjykata është vazhdimisht në rënie dhe shpalljet për vende pune për staf të ri të IT-së shpesh nuk kanë kandidatë. Qendra kompjuterike në Gjykatën e Lartë duhet të plotësojë në kohën e duhur pozicionin e specialistëve të IT-së në kategorinë e punonjësve menaxherialë, duke pasur parasysh se kjo qendër koordinon pajisjet harduerike dhe sistemet softuerike për të gjitha gjykatat. Stafi i IT-së në gjykata është i mbingarkuar me punë, veçanërisht në gjykatat me juridiksion të zgjeruar, siç janë Gjykata Themelore Penale e Shkupit dhe Gjykata Themelore Civile nr. 351 e Shkupit, gjë që krijon probleme të mëdha në punën e vazhdueshme të Këshillit.
- Stafi profesional dhe administrativo-teknik që janë drejtpërdrejt në shërbim të gjyqtarëve dhe kryerjes së funksionit të tyre (asistentët e gjykatës, daktilografët, përkthyesit, stafi i dorëzimit, nëpunësit, etj.).
- Staf profesional në fushën e menaxhimit të burimeve njerëzore, kontrollit të brendshëm financiar publik, marrëdhënieve me publikun, personel teknik për përdorimin e pajisjeve të ndryshme (pajisje për regjistrime audio dhe audio-video të seancave dëgjimore), përkthyes, korrektorë etj., pra personel që nuk është i lidhur drejtpërdrejt me funksionin gjyqësor, por që imponohet si domosdoshmëri nga proceset moderne të funksionimit të institucioneve.
- Staf teknik ndihmës (higjienistë, mirëmbajtës, shoferë, etj.).
- Në Këshillin Gjyqësor i Republikës së Maqedonisë punëson vetëm një specialist të IT-së, dhe ka nevojë për më shumë specialistë të IT-së, nuk ka numër të mjaftueshëm këshilltarësh që punojnë me anëtarët e Këshillit, nuk ka staf mbështetës profesional dhe teknik të mjaftueshëm, nuk ka numër të mjaftueshëm auditorë të brendshëm që duhet të auditojnë funksionimin e gjykatave, nuk ka departament të themeluar për bashkëpunim ndërkombëtar, nuk ka përkthyes në shqip dhe anglisht, dhe lektorë për maqedonisht. Ka mungesë stafi, pra vende të lira pune, në pjesën e shërbimit profesional që punon për Këshillin e Buxhetit Gjyqësor. Ikja e punonjësve për shkak të ndërprerjes vullnetare të punësimit është e dukshme, dhe nuk ka interes nga kandidatët e rinj në shpalljet për punësim të ri.
Ky raport nënvizon domosdoshmërinë e një reforme të thellë për të siguruar funksionimin normal të sistemit gjyqësor, duke rikujtuar se “cilësia, fushëveprimi dhe niveli i zhvillimit të burimeve njerëzore dhe potenciali i tyre përcaktojnë funksionimin, pavarësinë dhe efikasitetin e gjyqësorit, si dhe nivelin e besimit në gjyqësor në shoqëri.”
Ndryshe, në raport është shënuar edhe se gjatë vitit të kaluar ka pasur një numër të lartë kërkesash për përgjegjësi disiplinore, gjithsej 97, ndaj gjyqtarëve 210 gjyqtarëve, por është shkarkuar vetëm një gjyqtar dhe janë shqiptuar vetëm gjashtë masa disiplinore. Kjo ngre dyshime serioze për efikasitetin dhe llogaridhënien në sistem. Krahas kësaj, raporti evidenton edhe 20 transferime të përkohshme të gjyqtarëve dhe ndryshim të mbi 50% të trupës së gjyqtarëve porotë.
Gjithashtu theksohet se 134,729 lëndë të pazgjidhura dhe një ngarkesë të shtuar prej 3,724 rasteve të prapambetura. Edhe pse janë marrë masa për zgjidhjen e lëndëve të vjetra dhe përmirësimin e efikasitetit, vetëm 7 nga 34 gjykatat janë vlerësuar si të përditësuara në zgjidhjen e çështjeve. Përveç kësaj, ulja e numrit të gjyqtarëve, duke u reduktuar me 34 gjatë vitit 2024, ka shtuar edhe më shumë barrën për sistemin gjyqësor, duke bërë që drejtësia të përballet me një krizë të dukshme. “Gjykatat nuk arritën të përballonin fluksin e lëndëve dhe e rritën ngarkesën e lëndëve të pazgjidhura,” thotë raporti, duke vënë në pah nevojën për reformë urgjente dhe një plan të koordinuar veprimi,
