Irani akuzon IAEA dhe synon vazhdimin e programit bërthamor

Rreth një javë pas bombardimit të impianteve të tij më të rëndësishme bërthamore, Irani synon të vazhdojë programin e tij bërthamor. “Për sa kohë që Republika Islamike e Iranit është anëtare e Traktatit për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore (NPT), ajo duhet të jetë në gjendje të ushtrojë të drejtat e saj”, tha në Teheran zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, […]

qershor 30, 2025 - 19:00
 0  4
Irani akuzon IAEA dhe synon vazhdimin e programit bërthamor

Rreth një javë pas bombardimit të impianteve të tij më të rëndësishme bërthamore, Irani synon të vazhdojë programin e tij bërthamor. “Për sa kohë që Republika Islamike e Iranit është anëtare e Traktatit për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore (NPT), ajo duhet të jetë në gjendje të ushtrojë të drejtat e saj”, tha në Teheran zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Ismail Baghai. “Të drejtat e Iranit si anëtar i këtij traktati janë absolutisht të qarta – përfshirë edhe të drejtën për përdorimin paqësor të energjisë bërthamore.”

Ndërprerja e bashkëpunimit me IAEA-n

Gjatë një telefonate me Presidentin francez Makron, të dielën në mbrëmje (29.06), Presidenti i Iranit Masud Peseshkian  tha se Teherani e ka ndërprerë bashkëpunimin me IAEA-n për shkak të sjelljes “destruktive” të shefit të saj, Rafael Grossi, ndaj Iranit. Vendimi i parlamentarëve iranianë për të pezulluar bashkëpunimin me IAEA-në ishte “një përgjigje e natyrshme ndaj sjelljes së pajustifikuar, jokonstruktive dhe destruktive të Drejtorit të Përgjithshëm” të IAEA-së, tha Peseshkian në telefonatën me Macron-in.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranin Baghai i hodhi gjitthashtu poshtë kërkesat e IAEA-s për të inspektuar impiantet bërthamore të Iranit duke thënë se qeveria duhet të zbatojë vendimin e fundit të parlamentit për të pezulluar përkohësisht bashkëpunimin me Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA).

“Spiun i regjimit sionist”

Akuza dhe kërcënime ndaj drejtorit të përgjithshëm të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike ngriti edhe gazeta ultrakonservatore iraniane “Kayhan”. Kjo gazetë e akuzoi edhe drejtorin e përgjithshëm të IAEA-së, Rafael Grossi si “spiun të regjimit sionist” të Izraelit dhe kërkoi ekzekutimin e tij. Ambasadori iranian në Kombet e Bashkuara, Amir Saeid Iravani, tha të dielën (29.06) se ndaj Grossit ose inspektorëve nuk ekziston “asnjë kërcënim” dhe se inspektorët në Iran janë të sigurt.

Reagime nga grupi E3

Gjermania, Franca dhe Britania e Madhe i dënuan kërcënimet e bëra nga gazeta iraniane kundër drejtorit të përgjithshëm të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA), Rafael Grossi. “U bëjmë thirrje autoriteteve iraniane të tregohen të përmbajtur në ndërmarrjen e hapave që mund t’i japin fund bashkëpunimit me IAEA-n”, thanë sot (30.06) ministrat e jashtëm të të ashtuquajturit grup E3.

Ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul (CDU), homologu i tij francez Jean-Noël Barrot dhe Ministri i Jashtëm Britanik David Lammy i kërkuan Iranit që të rifillojë menjëherë bashkëpunimin e plotë me Agjencinë e Energjisë Atomike dhe të garantojë sigurinë e inspektorëve dhe personelit të IAEA-s në Iran./DW