Fetai: Nuk ka arsye për sabotim të Qeverisë aktuale, Taravari po punon për rikthimin e BDI-së në pushtet
Zëvendëskryeministri Arben Fetai mbrëmë në emisionin Click Plus në TV21 deklaroi se nuk ekziston asnjë arsye për të sabotuar Qeverinë aktuale, ndërsa hodhi akuza ndaj kreut të Aleancës për Shqiptarët (ASH), Arben Taravari, duke e cilësuar atë si nismëtar të një agjende që synon kthimin e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) në pushtet. Fetai theksoi se […]


Zëvendëskryeministri Arben Fetai mbrëmë në emisionin Click Plus në TV21 deklaroi se nuk ekziston asnjë arsye për të sabotuar Qeverinë aktuale, ndërsa hodhi akuza ndaj kreut të Aleancës për Shqiptarët (ASH), Arben Taravari, duke e cilësuar atë si nismëtar të një agjende që synon kthimin e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) në pushtet. Fetai theksoi se koalicioni qeverisës VLEN- ASH gëzojnë përkrahje të gjerë popullore dhe ndërkombëtare, dhe se qeveria mbetet stabile, transmeton Portalb.mk.
“Përpjekja për largimin e ASH-së nga Qeveria është në funksion të një skenari për rikthimin e BDI-së. Për këtë Taravari ka pasur bisedime me Mickoskin. Së shpejti do të dalë Mickoski do t’i shpalosë të gjitha. Është një rrugë e gabuar që po ndiqet nga z. Taravari,” tha Fetai.
Megjithatë ai shtoi se vazhdon të ketë marrëdhënie personale korrekte me Taravarin, por se kanë qëndrime të ndryshme, duke nënvizuar se shumica e zyrtarëve të ASH-së ende janë pjesë aktive e Qeverisë.
“ASH ka rreth 50 zyrtarë të emëruar në poste shtetërore dhe vetëm tre prej tyre kanë dhënë dorëheqje. Të gjithë të tjerët vijojnë detyrën,” tha ai.
Ai përjashtoi mundësinë e zhvillimit të zgjedhjeve të njëkohshme parlamentare dhe lokale, duke theksuar se zgjedhjet lokale do të mbahen në afatin e parashikuar. Sipas tij, fitues të këtyre zgjedhjeve do të jenë koalicioni VLEN dhe partia VMRO-DPMNE.
“Nuk ka zgjedhje të dyfishta. Kjo dilemë mbyllet sonte,” deklaroi Fetai.
Sipas tij, Taravari nuk kishte bazë statutore për të shpallur vendimin për largimin e ASH-së nga Qeveria.
“Nuk ishte mbledhje e kryesisë, por një format i shpikur, që nuk njihet nga statuti i partisë. Vendime të tilla merren vetëm nga Kuvendi i partisë. Unë refuzova të legjitimoj një proces të tillë,” shtoi ai.
Kujtojmë se ish-ministri Arben Taravari dha zyrtarisht dorëheqjen javën e kaluar, pas vendimit të partisë së tij për t’u larguar nga Qeveria.
Ndryshe turbulencat në koalicionin VLEN dhe në Qeveri u shkaktuan nga krahu i Aleancës për Shqiptarët në partnerin qeveritar VLEN, kur kjo e fundit vendosi të dilte me listat e veta të këshilltarëve në zgjedhjet lokale në tetor.
Kjo nuk u pranua nga partnerët e tij të koalicionit në VLEN. Kjo u pasua nga largimi i Taravarit nga koalicioni VLEN, dhe në publik lindën spekulime se ai po negocionte me kreun e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti.
