Nuk pranojmë ultimatume, nuk pranojmë të jemi më viktima, paralajmëroi kryeministri Mickoski në Bruksel
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, sot ka marrë pjesë në takimin e zhvilluar ndërmjet liderëve e Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësuesve të Bashkimit Evropian. Ai zhvilloi edhe takim me kryetaren e Komisionit Evropian, Ursulla don der Llajen, dhe kryetarin e Këshillit Evropian, Sharl Mishel, transmeton Portalb.mk. “Patjetër procesi integrues në kuadër të Bashkimit Evropian […]
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, sot ka marrë pjesë në takimin e zhvilluar ndërmjet liderëve e Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësuesve të Bashkimit Evropian. Ai zhvilloi edhe takim me kryetaren e Komisionit Evropian, Ursulla don der Llajen, dhe kryetarin e Këshillit Evropian, Sharl Mishel, transmeton Portalb.mk.
“Patjetër procesi integrues në kuadër të Bashkimit Evropian dhe për ne, por edhe për rajonin ta bazohet në procesin ku vlerësohen arritjet, dhe jo në bilateralizim, gjegjësisht në çështje bilaterale, të cilët do të jenë faktor vendimtar”, deklaroi Mickoski.
Ai vlerësoi që Maqedonia e Veriut tashmë dy dekada e gjysmë është viktimë e proceseve bilaterale.
“Edhe një herë kam theksuar se ne nuk mundemi edhe më tutje të pranojmë ultimatume dhe për neve principi që ata janë aty, ne jemi jashtë, nëse doni të jeni aty duhet të pranoni, na falni por ne nuk mund të pranojmë diçka të tillë. Por në anën tjetër na thonë se kanë dëshirë të jemi aty si shtet anëtar i Bashkimit Evropian. Përgjigjja ime në këtë tezë është, nëse ka dëshirë, atëherë ka edhe mënyrë”, deklaroi Mickoski.
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut theksoi që në takime ka paralajmëruar se Maqedonia e Veriut nuk do të jetë më viktimë për procesin eurointegrues.
“Sakrifica është diçka tjetër. Por ne u poshtëruam shumë herë. Do t’ju kujtoj se në emër të vlerave evropiane ndryshuam flamurin, ndryshuam kartëmonedhat, ndryshuam disa herë Kushtetutën, ndryshuam emrin, çfarë nuk bëmë për të treguar se vërtet duam të jemi pjesë e familjes evropiane. Dhe kur dikush më thotë se është rule of unanimity ose rregulli i një vote, të lutem, ky është një ultimatum”, deklaroi Mickoski.
Ndryshe, marrëdhëniet ndërkombëtare dhe zbatimi i Planit të Rritjes Rajonale ishin temat e bisedës në drekën e sotme të punës që Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen zhvilloi me liderët e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Kujtojmë se Maqedonia e Veriut duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese si kusht për të ecur përpara në rrugën eurointegruese, gjegjësisht për të hapur negociatat me Komisionin Evropian. Ato nënkuptojnë që përpos kombeve tjera, të shtohen edhe bullgarët në të si popull shtetformues.