OSBE-ODIHR me 25 rekomandime për Maqedoninë e Veriut, kryesore janë blerja e votave dhe financimi i fushatave zgjedhore
Përderisa korniza ligjore ofron bazën për zgjedhje demokratike, asaj i mungon rregullimi i mjaftueshëm për një garë presidenciale, vlerëson raporti përfundimtar i OSBE-ODIHR i publikuar më 23 shtator për zgjedhjet presidenciale dhe të parakohshme parlamentare të Maqedonisë së Veriut të vitit 2024. Raporti i ofron 25 rekomandime Maqedonisë së Veriut për të përmirësuar procesin zgjedhor dhe për […]
Përderisa korniza ligjore ofron bazën për zgjedhje demokratike, asaj i mungon rregullimi i mjaftueshëm për një garë presidenciale, vlerëson raporti përfundimtar i OSBE-ODIHR i publikuar më 23 shtator për zgjedhjet presidenciale dhe të parakohshme parlamentare të Maqedonisë së Veriut të vitit 2024. Raporti i ofron 25 rekomandime Maqedonisë së Veriut për të përmirësuar procesin zgjedhor dhe për të mbështetur përpjekjet për ta sjellë atë më tej në përputhje me angazhimet e marra nga të gjitha shtetet e OSBE-së, si dhe me detyrimet dhe standardet e tjera ndërkombëtare për zgjedhje demokratike, transmeton Portalb.mk.
Në vijim mund të ndiqni të 25 rekomandimet e këtij misioni vëzhgues në Maqedoninë e Veriut, në të cilat ndër të tjera kërkohet identifikimi dhe hetimi për pretendimet për shkelje zgjedhore si blerja e votave, presioni ndaj votuesve dhe keqpërdorimi i burimeve administrative. Kërkohet të hulumtohen metoda alternative e financimit për mediat e shkruara, transmetuese dhe online brenda një kuadri të sigurt dhe transparent, bazuar në konsultimet gjithëpërfshirëse me të gjithë aktorët përkatës.
REKOMANDIME PËRPARËSORE
1. Kodi Zgjedhor duhet të rishikohet në mënyrë gjithëpërfshirëse për të eliminuar mospërputhjet, për ta harmonizuar me legjislacionin tjetër përkatës dhe për ta sjellë atë në përputhje me angazhimet e OSBE-së, detyrimet ndërkombëtare dhe praktikat e mira. Rregulla gjithëpërfshirëse për fushatën, duke përfshirë aksesin në media dhe financimin e fushatës në zgjedhjet presidenciale, duhet të vendosen për të garantuar mundësi të barabarta si për kandidatët presidencialë ashtu edhe për ato parlamentarë. Çdo reformë e tillë legjislative duhet të jetë publike, gjithëpërfshirëse dhe të kryhet mjaftueshëm përpara zgjedhjeve të ardhshme.
2. Për të siguruar efikasitetin operacional të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve dhe Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve, autoritetet duhet të sigurojnë ndarje adekuate, efektive dhe në kohë të buxhetit për këto organe, duke përfshirë edhe vitet jozgjedhore kur është e nevojshme, për të siguruar kushte adekuate për punësimin e mjaftueshëm të stafit të kualifikuar.
3. Të gjitha autoritetet përkatëse, duke përfshirë agjencitë e zbatimit të ligjit, duhet të bëjnë përpjekje të përbashkëta për të monitoruar, identifikuar dhe hetuar pretendimet për shkelje zgjedhore si blerja e votave, presioni ndaj votuesve dhe keqpërdorimi i burimeve administrative. Hetime të tilla duhet të kryhen në mënyrë të plotë, me kohë dhe transparente. Votuesit duhet të informohen sistematikisht për mekanizmat për raportimin e shkeljeve.
4. Institucionet përkatëse shtetërore dhe publike duhet të ndërmarrin hapa shtesë për të rritur pjesëmarrjen e grave në procesin zgjedhor dhe vendimmarrjen politike. Partitë politike duhet të identifikojnë dhe trajtojnë barrierat për përfshirjen e grave në politikë, duke përfshirë kryerjen e auditimeve gjinore dhe rishikimin dhe reformimin e praktikave brendapartiake që pengojnë përfaqësimin e tyre efektiv brenda strukturave partiake.
5. Mund të merret në konsideratë rishikimi i sistemit të financimit të fushatave zgjedhore, bazuar në kritere objektive, të qarta dhe të arsyeshme. Për kandidatët presidencialë, fondet publike mund të ndahen në mënyrë të barabartë, ndërsa për fushatat parlamentare, ndarja mund të bazohet proporcionalisht në rezultatet e zgjedhjeve të partive. Për aktivitetet e fushatës së partive joparlamentare dhe të partive të sapokrijuara, duhet të merret parasysh ndarja e fondeve publike, potencialisht bazuar në pragjet minimale të mbështetjes.
6. Për të siguruar akses në mjete juridike efektive, kuadri ligjor duhet të rishikohet për të eliminuar kufizimet e panevojshme në të drejtat e votuesve për të paraqitur ankesa zgjedhore.
7. KSHZ-ja duhet të marrë masa për të ulur incidencën e mospërputhjeve procedurale gjatë numërimit të votave dhe gabimeve aritmetike në protokollet e rezultateve, duke përfshirë rishikimin e procedurave dhe protokolleve të rezultateve dhe rritjen e trajnimit të anëtarëve të këshillit zgjedhor
REKOMANDIME TJERA
Sistemi Zgjedhor dhe Kuadri Ligjor
8. Për të garantuar barazinë e votave, legjislacioni duhet të përcaktojë një metodologji dhe rregulla të qarta dhe të qëndrueshme për një rishikim periodik të kufijve të rretheve nga një organ i pavarur. Përcaktimi i kufijve të rretheve duhet të kryhet në kohë, transparente, të paanshme dhe gjithëpërfshirëse, shumë përpara zgjedhjeve të ardhshme.
Administrata Zgjedhore
9. Për të rritur efektivitetin e emërimit të Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve dhe këshillave zgjedhore, duhet t’i kushtohet vëmendje përditësimit dhe rishikimit të bazës së të dhënave të nëpunësve civilë dhe publikë dhe zgjerimit të kritereve të pranueshmërisë për të zgjeruar grupin e të emëruarve të përshtatshëm. Për të garantuar stabilitetin e këtyre organeve, legjislacioni duhet të vendosë një afat të arsyeshëm për ndryshime në përbërjen e tyre përpara ditës së zgjedhjeve.
10. Të gjithë aktorët përkatës duhet të koordinohen për të siguruar pjesëmarrjen e pavarur të personave me lloje të ndryshme të aftësive të kufizuara në të gjithë procesin zgjedhor, në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe praktikat e mira, duke siguruar që mjediset dhe shtrirja e qendrave të votimit të jenë të aksesueshme në mënyrë të pavarur dhe se informacioni rreth procesit zgjedhor të jetë disponueshëm në formate të aksesueshme.
Regjistrimi i votuesve
11. Për të garantuar që të gjithë qytetarët që kanë të drejtë të ushtrojnë efektivisht të drejtën e tyre për të votuar, autoritetet duhet të marrin masat e duhura për të siguruar që të gjithë votuesit, duke përfshirë ata pa dokumente të vlefshme identifikimi, të përfshihen efektivisht në regjistrin e votuesve. Kodi Zgjedhor duhet të ndryshohet për të parashikuar përditësime të regjistrit të zgjedhësve ndërmjet dy raundeve të zgjedhjeve presidenciale.
12. Për të rritur saktësinë e regjistrit të zgjedhësve, duhet të krijohen mekanizma adekuat për përditësimin, harmonizimin dhe pastrimin e bazave përkatëse të të dhënave shtetërore që shërbejnë si bazë për regjistrin. Autoritetet duhet të lehtësojnë kryerjen e auditimeve domethënëse të regjistrit të votuesve dhe bazave të tjera përkatëse të të dhënave.
Regjistrimi i Kandidatit
13. Për të nxitur më tej pluralizmin në regjistrimin e kandidatëve, legjislacioni zgjedhor duhet të rishikohet për të ofruar mundësinë e kandidaturave individuale.
14. Kërkesa për kandidatët e mundshëm për të zbuluar identitetin e tyre etnik duhet të rishqyrtohet.
Fushata zgjedhore
15. Legjislativi duhet të marrë në konsideratë, në konsultim me rregullatorin e medias dhe palët e tjera të interesuara, hapat për të rregulluar aktivitetet e fushatës dhe reklamat politike në mediat online dhe portalet e rrjeteve sociale, si dhe financimin e tyre.
Financimi i fushatës
16. Për të parandaluar rrugët për transaksione “quid pro quo” (favor a avantazh i dhënë në këmbim të diçkaje), dispozitat ligjore në lidhje me donacionet për fushatat elektorale duhet të rishikohen për të harmonizuar afatet kohore të donacioneve me periudhën e fushatës dhe për të hequr mundësinë e dhurimit pas zgjedhjeve.
17. Të gjitha raportet e financimit të fushatës duhet të përfshijnë informacion mbi kontributet dhe shpenzimet e bëra, duke përfshirë ato nga partitë politike që mbështesin kandidatët presidencialë. Raportet duhet të dorëzohen në mënyrë elektronike në një format lehtësisht të kërkueshëm dhe të bëhen publike menjëherë pas dorëzimit. Afatet për dorëzimin dhe auditimin e raporteve financiare përfundimtare duhet të shkurtohen për të harmonizuar me praktikat e mira ndërkombëtare.
18. Për të rritur transparencën dhe efektivitetin e mbikëqyrjes së financimit të fushatës, Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit dhe Enti Shtetëror i Revizionit duhet të kenë burime adekuate dhe të kenë ekspertizën e nevojshme teknike. Këto institucione duhet të kryejnë një kontroll efektiv të financimit të fushatës dhe të marrin në konsideratë të duhur dhe në kohë të gjitha raportet dhe ankesat në lidhje me parregullsitë e supozuara.
Media
19. Praktika e financimit të shtetit që u paguhet drejtpërdrejt organeve të medias mund të rishikohet. Nëse ruhet, për të rritur përgjegjshmërinë dhe transparencën, legjislacioni duhet të përcaktojë kritere të qarta dhe objektive për pranueshmërinë e portaleve të lajmeve online për rimbursimin shtetëror të reklamave politike me pagesë.
20. Për të siguruar akses të barabartë në burime dhe për të kontribuar në një mjedis të përgjithshëm mediatik me cilësi më të lartë dhe më të larmishëm, mund të hulumtohen metoda alternative e financimit për mediat e shkruara, transmetuese dhe online brenda një kuadri të sigurt dhe transparent, bazuar në konsultimet gjithëpërfshirëse me të gjithë aktorët përkatës.
Zgjidhja e mosmarrëveshjeve zgjedhore
21. Duhet t’i kushtohet vëmendje zgjatjes së afateve për denoncime dhe vendime për ankesa dhe apelime zgjedhore për t’u përafruar me praktikat e mira ndërkombëtare.
22. Duhet të lehtësohet akses më i madh në mjetet juridike, si p.sh. përmes një sistemi plotësisht funksional të paraqitjes në internet. Administrata zgjedhore duhet të shqyrtojë tërësisht të gjitha ankesat në kohën e duhur dhe të miratojë vendime të bazuara, të cilat duhet të publikohen menjëherë.
Ditët e zgjedhjeve
23. Për të garantuar fshehtësinë e votës, duhet të rishikohen kriteret ligjore për ngritjen e qendrave të votimit. Në veçanti, qendrat e votimit me më pak se dhjetë votues duhet të bashkohen me qendrat e votimit aty pranë dhe fletëvotimet e tyre të hidhen së bashku.
24. Për të parandaluar votimin në grup dhe për të ruajtur zgjedhjen e lirë për secilin votues, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve duhet të zgjerojë sesionet e trajnimit dhe fushatat e edukimit të votuesve. Zyrtarët zgjedhorë duhet të zbatojnë masa mbrojtëse procedurale efektive gjatë votimit, të tilla si informimi i votuesve për procesin e votimit dhe respektimi i rregullave për votimin e asistuar për të parandaluar votimin në grup ose familjar.
Zhvillimet pas-zgjedhore
25. Rregullat në Kodin Zgjedhor për shpalljen e pavlefshme të rezultateve të zgjedhjeve duhet të rishikohen për t’u siguruar që ato janë në proporcion me shkeljet e konstatuara. Pavlefshmëria duhet të konsiderohet vetëm për shkelje të rënda që ndikojnë në rezultatet dhe mund të kushtëzohet me një prag të përcaktuar. Për të gjitha pavlefshmëritë, ligji duhet të kërkojë përsëritjen e votimit.
Këto rekomandime, ofrohen me synimin për të përmirësuar më tej zhvillimin e zgjedhjeve në Maqedoninë e Veriut dhe për të mbështetur përpjekjet për t’i sjellë ato plotësisht në përputhje me angazhimet e OSBE-së dhe detyrimet dhe standardet e tjera ndërkombëtare për zgjedhje demokratike.
ODIHR-i vendosi një Mision Vëzhgimi Zgjedhor më 21 mars 2024, i cili qëndroi në vend deri më 19 maj.
Të 57 shtetet pjesëmarrëse në të gjithë rajonin e OSBE-së janë zotuar zyrtarisht të ndjekin menjëherë vlerësimet dhe rekomandimet zgjedhore të ODIHR-it.
Kujtojmë se zgjedhjet e njëmbëdhjeta parlamentare në RMV u mbajtën me 8 maj 2024 së bashku me zgjedhjet e shtata presidenciale. Fituese absolute në zgjedhjet parlamentare doli VMRO-ja me 58 deputetë. Ndërsa garën për të parin e shtetit e fitoi Gordana Siljanovska Davkova, poashtu e mbështetur nga VMRO-DPMNE-ja.