Osmani uron Vitin e Ri: Të ecim përpara me përvojën dhe mësimet nga viti që po e lëmë
Presidentja Vjosa Osmani ka uruar Vitin e Ri 2025. Në një komunikatë nga Presidenca e Kosovës, Osmani ka uruar që Kosova të ecën përpara me përvojën dhe mësimet që ka marrë nga viti 2024. “Në të vërtetë, viti 2024 nuk ka qenë gjithnjë i lehtë – na kanë përcjellë sfidat nga ato ekonomike e deri
Presidentja Vjosa Osmani ka uruar Vitin e Ri 2025. Në një komunikatë nga Presidenca e Kosovës, Osmani ka uruar që Kosova të ecën përpara me përvojën dhe mësimet që ka marrë nga viti 2024.
“Në të vërtetë, viti 2024 nuk ka qenë gjithnjë i lehtë – na kanë përcjellë sfidat nga ato ekonomike e deri te ato të sigurisë. Por, ne kemi qëndruar të vendosur, krah për krah, duke i kapërcyer pengesat me vendosmëri të palëkundur. Këto sfida na kujtojnë përgjegjësinë që kemi për të ruajtur shtetin, sovranitetin e shtetit tonë dhe paqen tonë për brezat e ardhshëm. E pavarësisht situatave jo të lehta, ne dëshmuam edhe njëherë qëndrueshmërinë tonë dhe përkushtimin tonë për të trasuar rrugë të reja e për të eliminuar pengesat në rrugëtimin tonë kolektiv”, ka thënë ajo në urimin e Vitit të Ri.
Osmani ka përmendur sukseset e Kosovës në kulturë, sport e teknologji. Ka thënë se më 2024 Kosova fuqizoi sektorin e sigurisë dhe ka dëshmuar para botës se ka potencial.
“Ëndrra jonë për një Kosovë edhe më të begatë, edhe me më shumë dinjitet, me mundësi edhe më të mëdha dhe mirëqenie për çdo familje vazhdon. Rruga jonë mund të jetë e vështirë, por ne e dimë se asnjë ëndërr nuk është e paarritshme kur jemi bashkë, dhe kur na udhëheqë guximi, ambicia e shëndoshë dhe parimësia. Teksa po hyjmë në vitin 2025, ne do të vazhdojmë të ecim me hapa të sigurt për në familjen euroatlantike, duke siguruar të ardhmen tonë si kontribues për paqen, stabilitetin dhe demokracinë globale”, ka thënë Osmani.
Osmani ka uruar që 2025-a të sjellë paqe në vend të luftës, qetësi ku s’ka rahati, shëndet ku ka ballafaqim me sëmundje, siguri aty ku ka dhunë e barazi për të gjithë.