Pandov dorëzoi në Prokurori dhe MPB parregullsitë në burgun e Shutkës: Pres hetim dhe padi penale

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Drejtorisë për ekzekutimin e sanksioneve, Aleksandar Pandov, sot në Prokurorinë Themelore Publike në Shkup ka dorëzuar informata lidhur me indikacionet për veprime të kundërligjshme në burgun e Shkupit, më saktësisht në burgun hetues të Shutkës. Këtë e ka konfirmuar për Infomax Pandov, i cili ka theksuar se në Ministrinë […]

Korrik 29, 2024 - 20:30
 0  6
Pandov dorëzoi në Prokurori dhe MPB parregullsitë në burgun e Shutkës: Pres hetim dhe padi penale
Burgu i Idrizovës, foto nga Burgu i Idrizovës

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Drejtorisë për ekzekutimin e sanksioneve, Aleksandar Pandov, sot në Prokurorinë Themelore Publike në Shkup ka dorëzuar informata lidhur me indikacionet për veprime të kundërligjshme në burgun e Shkupit, më saktësisht në burgun hetues të Shutkës. Këtë e ka konfirmuar për Infomax Pandov, i cili ka theksuar se në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe PThP  janë dorëzuar të gjitha informatat që aktualisht disponon, transmeton Portalb.mk.

“Pas një kontrolli të jashtëzakonshëm në burgun e Shutkës, jo vetëm ka pasur mungesë të të burgosurve, por ka pasur edhe parregullsi në të gjithë operacionin. Ne si Drejtori të gjitha provat e mbledhura, deklaratat e policisë së burgjeve dhe të burgosurve i kemi dorëzuar Ministrisë së Brendshme dhe Prokurorisë Publike. Hetimi ynë nuk mbaron këtu, tani është një drejtor i ri i cili do të përfshihet në zbardhjen e të gjitha parregullsive dhe krimeve të kryera në burg, por në hetimin e mëtejshëm do të përfshihen Ministria e Brendshme dhe Prokuroria Publike, ndërsa PThP ka të drejtë të thërrasë për deklarata dhe të ngjashme. Kur të plotësohet materiali, jam i sigurt se do të bëhet kallëzim penal, jo vetëm ndaj Filip Andovit, por edhe ndaj personave të tjerë”, theksoi Pandov.

Ndryshe në burgun “Shkupi” ose i njohur si burgu i Shutkës, mungojnë çdo ditë një numër i madh i të burgosurve, njoftoi në një konferencë për media drejtori i Drejtorisë për zbatimin e sanksioneve, Aleksandar Pandov më 22 korrik.

Ai po ashtu tha se natën e 19 të këtij muaji në Burgun “Shkupi” është bërë një vëzhgim i jashtëzakonshëm dhe është konstatuar se lista e të burgosurve që kanë marrë nga policia nuk përputhet me gjendjen aktuale që kanë gjetur.

Pandev tha se 11 të burgosur nuk ishin në qelitë e tyre dhe gjendja ishte e ndryshme nga ajo që u ishte dhënë në listë. Ai theksoi se disa të burgosur dilnin dhe hynin në burg sa herë të donin.

Sipas tij, zyrtarët e burgut kanë deklaruar se të burgosurit lëvizin me urdhër verbal të drejtorit Filip Andov – Sokol, për të cilin ka thënë se do të kërkojë që të shkarkohet.

Ai thotë se në këtë burg nuk ka pasur kontroll për shtatë vite.

Kujtojmë se ministri për Drejtësi, Igor Filkov, në qershor 2024 vlerësoi se institucionet për risocializim dhe rehabilitim janë në gjendje alarmante, pas vizitës së realizuar në burgun e Idrizovës.

Komiteti Evropian për Parandalimin e Torturës në raportin e fundit vëren mungesën e zbatimit të disa rekomandimeve në fushën e reformës së burgjeve dhe, në veçanti, në lidhje me situatën në Burgun e Idrizovës. KPT u bën thirrje autoriteteve të Maqedonisë së Veriut që t’i zbatojnë këto rekomandime dhe të shmangin nevojën që Komiteti të lëshojë deklaratë publike. Raporti thekson nevojën e një vlerësimi për përdorimin e forcës ndaj të burgosurve. Komiteti vëren se fenomeni i mbipopullimit të burgjeve mund të trajtohet efektivisht nga një politikë e modulimit të numrit të personave të dërguar në burg dhe jo nëpërmjet një amnistie tjetër. Gjithashtu përmenden kushtet e këqija higjienike për të burgosurat femra dhe të miturit në paraburgim.