Para shtetërore për partitë në RMV: Me 100 vota deri në 70.00 euro në vit

Për të themeluar një parti në Maqedoninë e Veriut nevojiten 1.000 nënshkrime dhe që e njëjta parti të financohet nga buxheti i shtetit mund të mjaftojnë vetëm rreth njëqind vota të marra në zgjedhjet lokale në një komunë, transmeton Portalb.mk nga Prizma. Në këtë mënyrë, 93 votat në Berovë në zgjedhjet lokale të vitit 2021 […]

qershor 28, 2024 - 09:00
 0  9
Para shtetërore për partitë në RMV: Me 100 vota deri në 70.00 euro në vit
Euro - Denarë. Foto: Gwengoat në Canva

Për të themeluar një parti në Maqedoninë e Veriut nevojiten 1.000 nënshkrime dhe që e njëjta parti të financohet nga buxheti i shtetit mund të mjaftojnë vetëm rreth njëqind vota të marra në zgjedhjet lokale në një komunë, transmeton Portalb.mk nga Prizma.

Në këtë mënyrë, 93 votat në Berovë në zgjedhjet lokale të vitit 2021 i sollën partisë së vogël konservatore Rodina të ardhura vjetore prej mbi 60 mijë euro për katër vitet e ardhshme.

Në të njëjtën mënyrë shumë të njëjtë parash nga shteti për punë kanë siguruar edhe demokratët, partia e manastirasit me karrierë hollivudiane, Jorgo Ognenovski, por edhe ajo e bashkëqytetarit të tij Goran Taskovski, Epoka e tretë maqedonase, e cila është themeluar më pak se një vit para zgjedhjeve lokale.

Në grupin me të njëjtat të ardhura hyjnë edhe partitë Tvoja dhe Integra. Vitin e kaluar u janë paguar 68 mijë euro nga buxheti i shtetit, ndërsa një vit më parë 60 mijë euro për financimin e aktiviteteve partiake.

Këto parti kanë dallime të mëdha në ideologjinë dhe veprimet e tyre, por kanë të përbashkët se janë parti të reja, më të vogla, të cilat kanë dalë vetë në zgjedhje dhe kanë pasur rezultate modeste, për të cilat kanë fituar para solide nga shteti.

Dhe kjo vetëm për faktin se në zgjedhjet lokale, të paktën në një komunë, kanë arritur të fitojnë një përqind të numrit të përgjithshëm të votave. Ndonjëherë, si në rastin e Rodinës, për këtë mund të mjaftojnë edhe më pak se 100 vota, gjë që do t’i sigurojë partisë të ardhura vjetore solide deri në zgjedhjet e ardhshme.

Demokratët kaluan pragun e një përqindshit me 700 vota të marra në Manastir, kurse partisë së re Epoka e tretë maqedonase i mjaftuan 30 vota në komunën e Novacit, që është e barabartë me 1.4 përqind të votuesve që votuan në zgjedhjet e fundit lokale në komunën e vogël jugore.

Si të arrihet deri te paratë publike për partitë e reja

Në RMV, qytetarët janë ata që financojnë punën e partive, ndaj çdo vit ndahet një pjesë e buxhetit të shtetit për këtë qëllim. Sa më i madh të jetë buxheti, aq më i madh është kulaçi për partitë.

Vitin e kaluar, p.sh., ishte 6.5 milionë euro.

Legjislacioni maqedonas parashikon që 30 përqind e këtyre parave të shpërndahen në mënyrë të barabartë për partitë dhe koalicionet që kanë arritur të fitojnë të paktën një përqind të votave në zgjedhjet e fundit lokale apo parlamentare. Pjesa e mbetur prej 70 përqind ndahet sërish mes partive, por sipas mandateve të fituara për këshilltar apo deputet. Sa më shumë mandate, aq më shumë para.

Dhe duke qenë se partitë e vogla fitojnë rrallë mandate, paratë që marrin janë kryesisht nga pjesa më e vogël e kulaçit, ajo për votat e fituara.

Vitin e kaluar, p.sh., për kalimin e pragut partitë dhe koalicionet morën nga 68 mijë euro, por kësaj llogarie iu shtuan rreth 3300 euro për çdo këshilltar apo deputet.

Prandaj me një këshilltar në zgjedhjet e fundit lokale dhe 200 vota në Jegunovc me të cilat e kaloi pragun e një përqindshit, partia proruse e Janko Baçevit, Maqedonia e Bashkuar, vitin e kaluar arriti të marrë ardhura shtetërore prej 71 mijë eurosh. Nga ana tjetër me tre këshilltarë i janë paguar mbi 78 mijë euro TMRO-së së Vanço Shehtanskit.

Partitë i marrin këto para për katër vjet, deri në zgjedhjet e ardhshme.

Deri te paratë përmes koalicioneve

Ndonjëherë, partitë përpiqen të marrin më shumë mandate dhe ndikim në rrugë më të shkurtër, dhe këtë e bëjnë përmes koalicioneve me partitë e mëdha. Kjo nuk do të thotë se do të marrin më shumë nga paratë e shtetit, sepse do të duhet t’i ndajnë me partitë e koalicionit, në varësi të marrëveshjes me ta. Prandaj, në koalicionet e mëdha, për shumicën e partnerëve, në të shumtën e rasteve mbeten thërrime.

Nga ana tjetër, praktika tregon se motivi kryesor i koalicioneve nuk janë domosdoshmërisht paratë e shtetit, por pozitat zyrtare.

Kështu, për shembull, vitin e kaluar Dostoinstvo-ja e vogël ka marrë vetëm 4.000 euro nga koalicioni me LSDM-në. Nuk ka këshilltarë dhe deputetë, por udhëheqësi i saj Stojançe Angellov u bë drejtor i Qendrës për Menaxhim me Kriza. Në zgjedhjet e fundit parlamentare, partia bëri koalicion me VMRO-DPMNE-në.

Përndryshe, pjesa më e madhe e gjashtëdhjetë partive të regjistruara në vend kanë marrë para shtetërore vitin e kaluar. Rreth njëzet kanë përfituar nën 10.000 euro ndërsa të tjerat deri në 100.000 euro. Dy parti, VMRO-DPMNE dhe LSDM, përfituan më shumë se një milion euro.

Para shtetërore për demokraci më të madhe

Partitë nuk kanë detyrime të mëdha sa i përket shpenzimit të parave shtetërore, veçse që duhet t’i përdorin për aktivitete partiake. Prandaj, obligimi kryesor i tyre është që t’i kushtojnë vëmendje afateve ligjore për dorëzimin e raporteve tek institucionet për të mos ndërprerë pagesat e tyre. Kjo do të thotë që ata duhet të dorëzojnë me kohë raport për donacionet e pranuara, llogarinë vjetore dhe raportet financiare.

Nëse nuk e bëjnë, atëherë u ndalohet pagesa, siç ndodhi për partinë e vogël Lëvizja për shtet dhe drejtësi, e cila kaloi pragun e një përqindshit në Tearcë me disa qindra vota.

Komisioni Evropian në raportet e tij rregullisht thekson se për të luftuar korrupsionin është e nevojshme të përmirësohet transparenca e financimit të partive politike në vend.

Duke qenë se partitë kanë nevojë për para për aktivitetet e tyre, praktika e shoqërive demokratike tregon se dhënia e parave publike redukton presionin e donatorëve të mëdhenj ndaj tyre dhe varësinë nga një burim. Ky është arsyetimi edhe në Maqedoni, ku partitë më të vogla nuk kanë shumë donatorë, madje edhe kur kanë, paratë i dhurojnë më së shumti liderët e tyre dhe drejtuesit e lartë.

Nuk mbledhin shumë para as nga anëtarësimet, ndaj paratë e shtetit janë mjetet e tyre bazë për punë.

Është gjithashtu interesante se më shumë para shtetërore nuk sjellin gjithmonë një rezultat më të mirë zgjedhor. Nëse Integra, pa financim nga shteti, në zgjedhjet parlamentare të vitit 2020 e vetme arriti të fitonte mbi 12 mijë vota, në koalicion me dy parti të tjera në zgjedhjet e këtij viti, arriti  vetëm deri në 4.200.

Situata është e ngjashme me Demokratët dhe Tvoja, të cilët patën një rezultat më të keq zgjedhor këtë vit se katër vjet më parë.

Para nuk ka vetëm për listat e pavarura

Ndërkohë që financimi publik i partive shoqërohet me nevojën për zgjedhje dhe demokraci më të madhe në shoqëri, shteti që ndan miliona shuma për partitë, nuk ka para për listat e pavarura civile, të cilat marrin shumë vota.

Në zgjedhjet e fundit lokale me lista të tilla u zgjodhën rreth gjashtëdhjetë këshilltarë, por duke qenë se nuk janë të regjistruar si parti, për ta nuk ka as një thërrime të kulaçit shtetëror, që duhet të shërbejë si nxitje për demokracinë.

Po ashtu, para zgjedhjeve të sivjetme, me miratimin e partive parlamentare, procesi i kandidimit të listave të pavarura për deputetë, si dhe listave të pavarura për këshilla në disa komuna u vështirësua edhe më shumë.

Nëse deri para pak kohe u duheshin 1.000 nënshkrime për të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare, tani duhet të sigurojnë të paktën një përqind të votuesve. Kur bëhet fjalë për zgjedhjet parlamentare, kjo do të thotë se atyre do t’u duhen tre herë më shumë, nga 2.400 deri në 3.400 nënshkrime, në varësi të njësisë zgjedhore.

Nga ana tjetër, për themelimin e një partie duhen vetëm 1.000 nënshkrime nga qytetarët. E njëjta parti më pas, me një numër të vogël votash në zgjedhje, mund të sigurojë të ardhura vjetore prej disa dhjetëra mijëra eurosh.

Martina Ilievska nga Instituti për Demokraci (IDSCS) bën me dije se duhet menduar në drejtim të dhënies së parave shtetërore me qëllim dhe në mënyrë të kushtëzuar, “për të minimizuar rrezikun e formimit të partive, të cilat do të varen nga financat publike pa ndonjë ndikim”.

“Financimi i kushtëzuar me arritjen e efekteve të caktuara, si p.sh. rritja e pjesëmarrjes së grave apo të rinjve në parti, ndihmon funksionimin e partive politike, por edhe i inkurajon ato të promovojnë grupe të caktuara dhe të investojnë në edukimin e anëtarësimit, gjë që në afat të gjatë rezulton me promovimin e aktivitetit të tyre politik”, bën me dije Ilievska.

Ministria e Drejtësisë po përfundon këto ditë përllogaritjet për shpërndarjen vjetore të parave publike për partitë. Rezultatet e zgjedhjeve parlamentare të këtij viti nuk do të përfshihen në pagesën për vitin 2024. Shuma do të jetë rekorde, mbi 7 milionë euro.