Partitë shqiptare në Maqedoninë e Veriut vazhduan përplasjet rreth Ligjit për gjuhët

Deputetët e Frontit Evropian në opozitë, të udhëhequr nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), kanë reaguar ndaj deklaratës së kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi, i cili të enjten mbrëma tha se “gjuha maqedonase është gjuha e vetme zyrtare në Maqedoninë e Veriut”, raporton Radio Evropa e Lirë. Në një konferencë shtypi përpara Kuvendit, koalicioni deklaroi […]

dhjetor 27, 2024 - 20:00
 0  5
Partitë shqiptare në Maqedoninë e Veriut vazhduan përplasjet rreth Ligjit për gjuhët
Flamujt e Maqedonisë Veriut dhe Shqipërisë. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Deputetët e Frontit Evropian në opozitë, të udhëhequr nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), kanë reaguar ndaj deklaratës së kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi, i cili të enjten mbrëma tha se “gjuha maqedonase është gjuha e vetme zyrtare në Maqedoninë e Veriut”, raporton Radio Evropa e Lirë.

Në një konferencë shtypi përpara Kuvendit, koalicioni deklaroi se pohimi i Gashit “përbën një gënjeshtër të hapur dhe një tradhti të rëndë ndaj popullit shqiptar”.

“Është tronditëse, por jo e habitshme, që zoti Gashi si një person i përzgjedhur për të shërbyer si kukull në hierarkinë më të lartë të shtetit ka rënë kaq poshtë, duke arritur nivele vetëposhtrimi që as antishqiptarët më të zjarrtë nuk kanë guxuar t’i prekin. Ky akt i turpshëm nënshtrimi dhe tradhtie tregon mungesën e tij të integritetit, por edhe gatishmërinë për të minuar parimet kushtetuese të këtij shteti”, deklaroi më 27 dhjetor, Arbana Pasholli, deputete nga radhët e Frontit Evropian.

Gashi, gjatë një debati në televizionin Alsat, mes tjerash tha gjuha shqipe nuk është gjuhë zyrtare, por në përdorim zyrtar, dhe se njëjta, siç shtoi Gashi, “është gjuhë e përkthyer”.

Qëndrimit të Gashit në mbrojtje i doli edhe njëri nga liderët e koalicionit shqiptar VLEN, pjesë e Qeverisë maqedonase, Arben Taravari, njëherësh ministër i Shëndetësisë, i cili deklaroi të njëjtën.

“Ne mund të kemi lojëra fjalësh, sa të duam. Gjuha shqipe nuk është e barabartë me gjuhën maqedonase. Këtu pajtohemi të gjithë. Para vitit 1991, para pavarësisë, gjuhë zyrtare në Maqedoni [të Veriut], sipas Kushtetutës kanë qenë gjuha maqedonase, shqipe dhe turke. Tash është gjuha maqedonase dhe 20% të popullatës që e flasin gjuhën shqipe. Kështu që, ne duhet të punojmë në këtë drejtim, dhe a do të themi se a është zyrtare apo jo, është kështu ose ashtu, nuk është e barabartë. Ne duhet të insistojmë, edhe të mundohemi që gjuha shqipe të qëndron si fjalë, jo si përqindje”, tha Taravari të premten përpara gazetarëve.

Megjithatë, nga Fronti Evropian rikujtuan amendamentin e pestë të Kushtetutës së Maqedonisë së Veriut.

“Le t’i kujtojmë zotit Gashi disa fakte të pa kundërshtueshme: Amendamenti i pestë përcakton qartë gjuhën shqipe, si gjuhë zyrtare, krahas gjuhës maqedonase. Ligji për përdorimin e gjuhëve e konsolidon më tej përdorimin e gjuhës shqipe si zyrtare në të gjitha sferat e jetës publike”, shtoi Pasholli.

Çka thotë amendamenti i pestë?

Në tërë territorin e Republikës së Maqedonisë dhe në marrëdhëniet e saj ndërkombëtare, gjuhë zyrtare është gjuha maqedonase dhe alfabeti i saj cirilik. Gjuhë tjetër që e flasin së paku 20% e qytetarëve (gjuha shqipe), gjithashtu, është gjuhë zyrtare dhe alfabeti i saj, siç është përcaktuar me këtë nen.

Dokumentet personale të qytetarëve, të cilët flasin gjuhë zyrtare të ndryshme nga gjuha maqedonase, lëshohen në gjuhën maqedonase dhe alfabetin e saj, si dhe në atë gjuhë dhe alfabetin e saj, në përputhje me ligjin.

Ligji për përdorimin e gjuhëve, i cili ka qenë në qendër të diskutimeve gjatë viteve të fundit, është miratuar në vitin 2018 dhe ka hyrë në fuqi në vitin 2019. Ky ligj përbëhet nga 25 nene dhe ndryshimet kryesore që solli ishin: përdorimi i gjuhës shqipe edhe në procese gjyqësore, në bankënota dhe në uniforma policore.

Partia e kryeministrit maqedonas, Hristiajn Mickoski, VMRO-DPMNE-ja, e cila më 2018 ishte në opozitë, ndërsa tani në pushtet, së bashku me 12 iniciativa tjera, e kundërshtoi ashpër miratimin e ligjit, nuk mori pjesë në votim dhe e dërgoi këtë dokument menjëherë në Gjykatën Kushtetuese.

Më 11 dhjetor të këtij viti, Gjykata Kushtetuese nuk arriti të marrë një vendim për kushtetutshmërinë e Ligjit për gjuhët, duke shtyrë kështu seancën për shkak të bojkotit nga dy gjykatësit shqiptarë, Osman Kadriu dhe Naser Ajdari.

Ndryshe, Gjykata Kushtetuese më 20 mars të vitit 2025 do të mbajë seancë përgatitore rreth Ligjit për përdorimin e gjuhëve në Maqedoninë e Veriut, pasi më 11 dhjetori nuk mori vendim rreth kushtetutshmërisë së Ligjit për Gjuhët. Në seancë u soll vendim për një seancë të radhës, e ashtuquajtur përgatitore ku do të dëgjohen edhe ekspertë të tjerë juridik, e gjithë kjo për faktin e ndjeshmërisë së kësaj lënde. Politika ishte e zëshme si para ashtu edhe pas seancës së fundit të Kushtetueses.

Ligji për Zbatimin e Gjuhëve në fuqi hyri në janar të vitit 2019-të. Ai u miratua në 11 janar 2018, në mungesë të VMRO-DPMNE-së në atmosferë të tensionuar në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, me protesta dhe tentativa të panumërta të ish-presidentit Gjorgе Ivanov për ta bllokuar atë.