PDK kërkon rivotim në Mitrovicë të Jugut
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda, pas dyshimeve të bazuara për cenimin e procesit zgjedhor në Mitrovicë, ka kërkuar që kjo komunë të shkojë në rivotim. Gruda, në një konferencë për media, tha se PDK do ta mbrojë deri në fund vullnetin e qytetarëve të Mitrovicës dhe integritetin e zgjedhjeve në Kosovë, sepse


Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda, pas dyshimeve të bazuara për cenimin e procesit zgjedhor në Mitrovicë, ka kërkuar që kjo komunë të shkojë në rivotim.
Gruda, në një konferencë për media, tha se PDK do ta mbrojë deri në fund vullnetin e qytetarëve të Mitrovicës dhe integritetin e zgjedhjeve në Kosovë, sepse vota dhe demokracia janë të shenjta.
“Mitrovica duhet të shkojë në rivotim, sepse janë disa qendra, ndër më të mëdhatë në atë qytet, ku janë vërejtur parregullsi të tilla. Sepse vetëm përmes një procesi të pastër, mund të garantohet legjitimiteti i rezultatit dhe besimi i qytetarëve në demokraci. PDK siguron qytetarët e Kosovës se do të ndjekë çdo rrugë ligjore dhe institucionale për të garantuar që e vërteta të dalë në dritë dhe që çdo aktor përgjegjës të përballet me drejtësinë. Dje, komisionerët e PDK-së, gjatë procesit të numërimit kanë vërejtur parregullsi si fletëvotime me një numër serik të caktuar, që u takonin një klase votimi, janë gjetur në klasë tjetër, madje edhe në qendra të tjera votimi, prandaj ata kanë alarmuar menjëherë organet e rendit dhe drejtësisë dhe tashmë procesi i numërimit është ndalur.
Gruda tha se bartja e fletëvotimeve nuk ka guxuar të ndodhë, duke vlerësuar se integriteti i procesit zgjedhor në Mitrovicë është cenuar rëndë, sepse është shkelur Ligji për Zgjedhjet, rregullat e KQZ-së, si dhe standardet e Komisionit të Venecias për një proces të drejtë dhe të lirë zgjedhor.
“Kodi që ndodhet në çdo fletëvotim shërben si element identifikues i vendvotimit dhe si mekanizëm sigurie për të parandaluar bartjen e fletëvotimeve nga një qendër në tjetrën. Ky kod është një nga elementet themelore të integritetit zgjedhor, që mbron vullnetin e lirë të qytetarit nga çdo tentim manipulimi apo keqpërdorimi. Prandaj, çështja e kodit nuk është thjesht teknike, por një çështje thelbësore ligjore dhe kushtetuese që lidhet drejtpërdrejt me sigurinë e votës dhe legjitimitetin e rezultatit zgjedhor. Rastet e konstatuara konkretisht janë këto: Në shkollën “Abdullah Shabani”, janë gjetur tre fletëvotime që i takonin klasave të tjera. Në shkollën “Ismail Qemali”, është gjetur një fletëvotim që i përkiste qendrës “Universiteti Isa Boletini.” Në një klasë të shkollës “Abdullah Shabani”, është gjetur fletëvotimi që i takon qendrës së votimit të shkollës “Migjeni”. Në shkollën “Migjeni”, janë gjetur gjithashtu fletëvotime të bartura nga një klasë në tjetrën”, deklaroi ai.
