Për institucionet në Tetovë personat me karroca mbeten të padukshëm, nuk ka as kushte infrastrukturore dhe as trajtim të denjë

Infrastrukturë e cila e pengon lëvizjen, rampa të prishura dhe jashtë standardeve të nevojshme, mungesë e ashensorëve. Këto janë vetëm disa nga problemet dhe sfidat e përditshme me të cilat ballafaqohen personat me aftësi të veçanta nëpër institucionet publike në Tetovë. Ata ankohen se pakujdesia institucionale i jep edhe një shtresë vështirësie jestës së tyre. […]

Korrik 18, 2024 - 13:30
 0  8
Për institucionet në Tetovë personat me karroca mbeten të padukshëm, nuk ka as kushte infrastrukturore dhe as trajtim të denjë
Ndalesë për hyrjen e personave me karrocë te NPK Tetova. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Infrastrukturë e cila e pengon lëvizjen, rampa të prishura dhe jashtë standardeve të nevojshme, mungesë e ashensorëve. Këto janë vetëm disa nga problemet dhe sfidat e përditshme me të cilat ballafaqohen personat me aftësi të veçanta nëpër institucionet publike në Tetovë. Ata ankohen se pakujdesia institucionale i jep edhe një shtresë vështirësie jestës së tyre. Dy të rinjtë, Lavdrim Veli dhe Gadaf Memeti për Portalb.mk flasin për përvojat e tyre jo aq të këndshme që çdo ditë i përjetojnë nëpër shumë institucione në qytet. Nga ana tjetër, institucionet nga të cilat kërkuam përgjegjësi, nuk e kanë prioritet përmbushjen e nevojave të këtyre personave.

Komuna e Tetovës, Ndërmarrja Publike Komunale “Tetova”, Ndërmarrja Publike “Parkingu i Qytetit”, Stacioni Policor, Kadastra, Spitali i Tetovës janë vetëm disa nga institucionet të cilat janë të paarritshme për personat në karrocë. Ata ende përballen me pengesa të mëdha për qasje nëpër këto institucione themelore, dhe për pasojë, janë të privuar edhe nga marrja e shërbimeve si qytetarë të vendit.

Çdo ditë sfidë në vete

Qasja e barabartë për të gjithë është një e drejtë njerëzore, thotë i riu Lavdrim Veli. Mirëpo, kjo e drejtë, kësaj kategorie, iu mohohet në shumë institucione të komunës.

Lavdrimi, i cili gjendet në vitin e fundit në studimet deridiplomike në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Tetovës, thotë se për të çdo ditë e re është sfidë më vete, por pavarësisht kësaj, ai thotë se kurajon e ka të trashëguar për t’u përballur me këto sfida.

“Ne përballemi çdo ditë me pengesa, sidomos kur kemi ndonjë problem ose duhet të marrim ndonjë shërbim në institucionet publike. Në veçanti, theksohen rampat dhe mungesa e ashensorëve. Ndonjëherë na duhet të ngjitemi në katet më lartë, si në të dytin apo të tretin, dhe me këtë, detyrohet personeli i këtyre institucioneve të dalë dhe të na ndihmojë. Për mua çdo ditë e re është një sfidë më vete, thotë ai.

Ai tutje shpjegon edhe për vështirësitë e hasura në institucionet publike në Tetovë.

“Raste konkrete kam pasur te Komuna e Tetovës, si dhe te Ndërmarrja Publike Komunale “Tetova”, qe gjendet te Tregu i Gjelbër. Te këto institucione, njëri posedon ashensor vetëm për katin përdhese, ndërsa për katet më lart nuk ka, ndërsa tjetri nuk posedon fare. Për këtë jam detyruar të marr një person shoqërues që të ngjitet dhe të thërrasë personat kompetent për të marrë shërbimin që më takon. Edhe pse duhet theksuar se ata gjithmonë kanë shprehur gatishmërinë, dhe asnjëherë nuk kanë hezituar për të na ndihmuar, megjithatë kjo nuk e zgjidh problemin tonë, thotë 21 vjeçari Lavdrim Veli.

Lavdrim Veli, nga Komuna e Tetovës, student në vitin e tretë në Fakultetin Filozofik në UT. Foto: Enis Shaqiri/Portalb.mk

Veli përmend edhe Kadastrën si rast konkret.

“Gjithashtu, duhet të përmend një rast tjetër te kadastra e Tetovës, e cila gjendet në katin e tretë në Qendrën Tregtare në Tetovë. Në këtë institucion, ne si persona që jemi përdorues të karrocave e kemi të pamundur të ngjitemi lartë, shpjegoi Veli.

Nga ana tjetër, për të riun Gadaf Mehmedi, institucionet më të vështira për t’u qasur janë Spitali i Tetovës, Stacioni Policor si dhe Komuna e Tetovës, për shkak se siç tha ai, rampat për personat me nevoja të veçanta janë të ndërtuara me pjerrtësi të papërshtatshme.

“Fatkeqësisht, këtu te ne në Tetovë ekziston mungesa e qasjes nëpër institucionet publike. Edhe pse kam folur shumë herë për këtë temë, kushtet vazhdojnë të mos përmbushen. Në shumë institucione nuk ekzistojnë fare rampat për personat me nevoja të veçanta, dhe aty ku ka, shpesh janë me pjerrtësi të papërshtatshme, duke bërë të pamundur përdorimin e tyre. Shumë institucione publike kanë mangësi në lidhje me rampat”, tha Mehmedi.

Ai veçoi Spitalin si një nga institucionet më të rëndësishme në të cilin qytetarët si ai janë të detyruar të drejtohen, por që mbeten të zhgënjyer nga qasshmëria që ofrohet për ata.

“Ndoshta dy apo tre objekte më të reja kanë ashensorë, por edhe këto shpesh kanë rampa të pjerrëta që paraqesin rrezik për personat që i përdorin, thotë Mehmeti.

Mehmeti theksoi se në një qytet ku ndihma më shpesh vjen nga përkushtimi individual i personelit, dhe jo nga zgjidhjet strukturore, personat me aftësi të veçanta do të vazhdojnë të përballen me një realitet të hidhur dhe shpesh tragjik.

Gadaf Memedi, nga Komuna e Tetovës, i sapo diplomuar në gjuhë dhe letërsi gjermane. Foto: Enis Shaqiri/Portalb.mk

“Tani pyetja është: a jetojmë në një vend ku ka njerëz të gatshëm nëpër institucione për të ndihmuar? Po. Por a përmbushin kushtet institucionet dhe a mundet personi t’i qaset këtyre institucioneve pa ndihmën e askujt? Fatkeqësisht, përgjigjja është jo. Pra, me fjalen qasje duhet të nënkuptojmë një person me aftësi të veçanta, i cili dëshiron të kryej çfarë do lloj pune në këto institucione duhet të jetë në gjendje ta bëjë atë i vetëm, pa ndihmën e askujt. Dhe kjo fatkeqësisht mungon te ne”, thotë Mehmeti.

Kasami: Po ndërmarrim zhvillimin e planit të mobilitetit për këtë çështje

Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami për Portalb.mk ka bërë të ditur se komuna po harton planin e mobilitetit, i cili është pjesë e planit gjeneral urbanistik të Tetovës.

Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami i shoqëruar nga kryeshefi i SPB Tetovë dhe Drejtori i NP Parkingut të Qytetit. Foto: Enis Shaqiri/Portalb.mk

“Në kuadër të planit të mobilitetit janë të parapara të gjitha format e lëvizjes të qytetarëve dhe veturave, dhe në kuadër të kësaj do të parashihet dhe të bëhet një studim i veçantë edhe për personat me nevoja të veçanta që edhe ata të kenë qasje në të gjitha rrugët dhe trotuaret e Komunës së Tetovës, por edhe të institucioneve më të rëndësishme”, tha Kasami.
Kasami njoftoi se komuna më herët e ka pasur një projekt të tillë, për personat me aftësi të veçanta, me financim nga jashtë, por i njëjti fatëkeqësisht siç tha, nuk është realizuar.
“E kemi pasur më herët një projekt me financim të jashtëm por fatkeqësishtë kjo na dështoi. Tani më në kuadër të planit të mobilitetit do të meren hapa konkrete edhe për qasjen e këtyre qytetarëve në institucionet përkatëse, si dhe për sigurinë dhe mobilitetin e tyre në rrugët e Tetovës”, tha Kasami.

Kujtojmë që në një debat për këto probleme, në tetor të vitit 2023 kryetari i Komunës së Tetovës Bilall Kasami u shpreh i gatshëm që do të punojnë në këtë drejtim në Tetovë, megjithatë situata në terren mbetet e pandryshuar.

Institucionet heshtin

Portalb.mk e kontaktoi Spitalin e Tetovës për të biseduar rreth kushteve infrastrukturore që posedon ky institucion shëndetësor për personat me aftësi të veçanta, megjithatë  morëm përgjigje as në e-mail, as në thirrjet telefonike.

Edhe nga Stacioni Policor i Tetovës nuk arritëm të marrim ndonjë përgjigje zyrtare, megjithatë nga bisedat jozyrtare me punonjësit aty thanë se disa nga ato pak ndryshime që janë bërë kanë qenë me “vetiniciativa personale”.

“Jemi të vetëdijshëm për sfidat që personat me nevoja të veçanta përballen kur vizitojnë stacionin tonë. Megjithatë, mund të konfirmoj se ekzistojnë disa shërbime të posaçme për personat me aftësi të veçanta, siç është nxjerrja e dokumentacionit të udhëtimit. Për këto raste, personeli special shkon në vendndodhjen e tyre për t’i fotografuar dhe për të vazhduar më tej me procesin e nxjerrjes së dokumenteve, duke lehtësuar kështu një pjesë të rëndësishme të procedurës për ta”, tha një zyrtar policor.

Vetëm dy parashtresa diskriminimi

Përmes Ligjit për qasje të lirë në informata publike nga Komisioni për Parandalim dhe Mbrojtje nga Diskriminimi (KPMD) mësuam se nga Tetova nga viti 2021 deri në qershor 2024 ka pasur vetëm dy parashtresa diskriminimi për personat me aftësi të veçanta.

“Nga Komuna e Tetovës në periudhën nga viti 2021 deri në qershor 2024 janë dorëzuar dy ankesa”, thanë nga KPMD.

Ndërkaq në nivel shtetëror në lidhje me diskriminimin e personave me aftësi të veçanta, nga viti 2021 deri në qershor 2024 janë punuar 38 parashtresa.

“Përkatësisht: 8 në vitin 2021, 15 në vitin 2022, 9 në vitin 2023, 6 në vitin 2024. Diskriminimi në bazë të aftësisë së kufizuar është konfirmuar në 14 raste. Tre nga rastet e diskriminimit për shkak të aftësisë së kufizuar janë konstatuar në vitin aktual 2024”, përfunduan nga KPMD.

Problem në të gjithë vendin, kritika të vazhdueshme nga BE-ja

Rrjedhimisht, kjo problematikë nuk është e theksuar vetëm në Tetovë, por thuaj se në të gjitha qytetet e vendit. Në këtë drejtim, vendi vazhdimisht merr kritika nga BE-ja. Për shembull Bashkimi Evropian, në Raportin e përditësuar vjetor 2023 mbi të Drejtat e Njeriut dhe Demokracinë në Botë thekson se çështja e diskriminimit dhe margjinalizimit të personave me aftësi të kufizuar mbetet problem që kërkon zgjidhje.

Kujtojmë që në dhjetor të vitit 2024 Qeveria e RMV-së miratoi Strategjinë Nacionale për të Drejtat e Personave me Nevoja të Veçanta 2023-2030, me Plan Veprimi të strategjisë nacionale për vitin 2023-2026.