Për shkak të ndryshimeve të Kodit Penal nuk ndiqet as larja e parave nga kriminelët në RMV
Për njëqind ish-zyrtarë të akuzuar 6 shtatori 2023 ishte një festë e vërtetë. Dy ditë para festës së Pavarësisë, kuvendi ua votoi vjetërsimin e veprave penale në çështjet gjyqësore, për të cilat u vareshin mbi kokë dënimet me burg, shkruan Prizma, transmeton Portalb.mk. Këtë ua mundësuan deputetët e shumicës qeverisëse LSDM dhe BDI. Ata i […]
Për njëqind ish-zyrtarë të akuzuar 6 shtatori 2023 ishte një festë e vërtetë. Dy ditë para festës së Pavarësisë, kuvendi ua votoi vjetërsimin e veprave penale në çështjet gjyqësore, për të cilat u vareshin mbi kokë dënimet me burg, shkruan Prizma, transmeton Portalb.mk.
Këtë ua mundësuan deputetët e shumicës qeverisëse LSDM dhe BDI. Ata i votuan ndryshimet në Kodin Penal, të cilat e dekriminalizojnë shfrytëzimin e pozitës zyrtare.
Me shtypjen e butonit “për” ata fshinë nga Kodi Penal paragrafin e posaçëm, i cili dënonte shfrytëzimin e pozitës zyrtare, kur ka dëme në buxhet.
Nëse deri atëherë veprat vjetërsoheshin për 40 vjet, me ndryshimet e vitit të kaluar vjetërsohen për 10 vjet. U ulën edhe dënimet për bashkim kriminal dhe për punë të pandërgjegjshme në shërbim.
Një vit më vonë, gjykatësit vetëm konstatojnë lëndë të vjetruara dhe prokurorët i ndryshojnë akuzat ose i tërheqin fare.
Kështu u vjetërsua lënda për përgjimin masiv “Target”, për prokurimin e pajisjeve për ish-DSK-në, “Thesari”, “I fuqishmi”, “Toplik”, “Producenti” dhe shkaktoi probleme edhe në rastin “Talir” për ndërtimin e paligjshëm të Pallatit të Bardhë, si dhe në raste të tjera.
Shpenzimet e këtyre lëndëve të dështuara paguhen nga buxheti, megjithëse ligji parashihte se ndryshimet nuk do të kishin ndikim mbi buxhetin.
Ndryshimet juridikisht “minuan” edhe raste të tjera, si për shembull rasti i ish-sekretarit të përgjithshëm të qeverisë, Dragi Rashkovski dhe të akuzuarve të tjerë, i cili për shkak të ndryshimeve në Kodin Penal filloi nga e para.
Viktorija Avramovska-Madiq, ish-zëvendësja e ministrit të drejtësisë, Krenar Lloga, siguronte se me Kodin Penal të ndryshuar gjykatësit do të gjykojnë më shpejt, sepse vjetërsimi i lëndëve është më i shkurtër.
Por në vend të një gjykimi më të shpejtë, ne jemi dëshmitarë të vjetërsimit të menjëhershëm. Në pyetjen e një gazetari se si janë bërë ndryshimet, Avramovska-Madiq u përgjigj se ndryshimet janë shkruar nga daktilografja “me urdhër të saj”. Ato ndryshime nuk e përfshinë pastrimin e parave, por krijuan zbrazëtira ligjore me të cilat bie poshtë edhe kjo vepër.
Gjykuar në korrik – e vjetërsuar në nëntor
Një inspektor policie donte të legalizonte një makinë që ishte kontrabanduar. Në korrik të vitit të kaluar ai u dënua me burgim me kusht. Katër muaj më vonë, me arritjen e aktgjykimit në gjykatën e shkallës së dytë, pas ndryshimeve në Kodin Penal, gjykatësit konstatuan se çështja ishte vjtërsuar.
Një drejtor i Ndërmarrjes Komunale në Tetovë është dënuar me burgim me kusht për shkak se ka lidhur tender vjetor me një kompani për grumbullimin e mbeturinave dhe larjen dhe pastrimin e rrugëve edhe pse oferta nuk ka qenë e pranueshme.
Kompania fituese e tenderit nuk ka pasur punonjës dhe makineri dhe ka përdorur resurset e ndërmarrjes komunale. Në aktgjykim, drejtori është urdhëruar që ta kompensojë kompaninë me 490.000 euro.
Por edhe në këtë rast në vend të futjes së parave në buxhet, shpenzohen para nga buxheti. Kur arriti rasti në Apel, pesë gjykatësit e apelit nuk kishin zgjidhje tjetër veçse të jepnin aktgjykim refuzues dhe të pandehurve iu shpërblyen shpenzimet për procedurën.
Në raste të tilla vjetërsimi ishte i sigurt, ishte vetëm çështje ditësh.
Por filluan të vinin edhe lëndë të tilla në të cilat shfrytëzimi i pozitës zyrtare lidhet me pastrimin e parave.
Dhe me qenë se një vepër vjetërsohet, e dyta nuk mund të ndiqet penalisht bashkë me të.
Nëse nuk ka shfrytëzim të pozitës – nuk ka as pastrim parash
“Pa vërtetuar kryerjen e veprës paraprake, nuk është relizuar as qenia e veprës penale të pastrimit të parave”.
Kjo fjali e shkurtër, e cila së fundi është shkruar nga gjykatësit e Apelit të Shkupit në dy vendime, “peshon” miliona euro, dhe është e rëndësishme sepse i hap rrugën pamundësisë së ndjekjes penale të pastrimit të parave.
Para ndryshimeve në Kodin Penal neni për keqpërdorimin e pozitës zyrtare rregullonte tri veprime – tejkalim, shfrytëzim dhe moskryerje të një veprimi zyrtar. Me ndryshimet deputetët e fshinë shfrytëzimin si veprim, ndërsa pikërisht për këtë u akuzuan shumica e zyrtarëve.
Sipas Kodit Penal për të ekzistuar pastrimi i parave, paratë duhet së pari të fitohen në mënyrë të paligjshme përmes një vepre penale (e ashtuquajtura vepër paraprake). Por nëse ajo vepër është shfrytëzim i detyrës zyrtare, me ndryshimet në Kodin Penal nuk mund të ndiqet më penalisht.
Dhe në momentin që dikush nuk mund të ndiqet penalisht për shfrytëzim të pozitës së tij zyrtare, ai nuk mund të ndiqet penalisht as për pastrim parash.
Dy vendimet e Gjykatës së Apelit në Shkup kanë të bëjnë me lëndët “Rashkovski” dhe “Imperia” për biznesmenin Zoranço Mitrovski. Ato lëndë dështuan pikërisht për shkak të ndryshimeve në Kodin Penal.
Gjykatësit e Apelit Gjoko Ristov, Zoran Dimitrievski, Tanja Mileva, Gordana Sajkovska, Jusuf Ajrullahi, Tatjana Dukovska dhe Aleksandra Risteska në vendimet e tyre kanë sqaruar se për shkak të ndryshimeve ligjore për keqpërdorimin e pozitës zyrtare nuk mund të ekzistojë as pastrimi i parave dhe ky qëndrim, sipas tyre, është në përputhje me praktikën gjyqësore. Kërkuam mendim profesional nga profesoresha e Fakultetit Juridik “Justiniani I”, Aleksandra Deanoska-Trendafillova, e cila me vite të tëra ligjëron të drejtën penale. Ajo është në të njëjtën linjë me arsyetimet e gjykatësve të Apelit.
Deanoska-Trendafillova thekson se fakti se “shfrytëzimi” është fshirë nga neni për keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar në Kodin Penal, do të thotë se shteti e ka dekriminalizuar këtë vepër penale dhe atë në mënyrë “krejtësisht të pajustifikuar”.
Ajo shtjellon se ligji ofron mundësi për ndjekjen penale të pastrimit të parave nëse ka pengesa ligjore, por këtu bëhet fjalë për “dekriminalizimin e një prej akteve të mëparshme të kryerjes në formën bazë të keqpërdorimit”.
“Pengesa për ndjekjen penale, për shembull, janë vjetërsimi i veprës, amnistia, falja etj., por jo dekriminalizimi”, thotë profesoresha.
Ajo thekson se me dekriminalizimin nuk bëhet fjalë për “pengesë për ndjekje penale, por thjesht për mosekzistim të veprës penale”.
Përveç kësaj, siç thotë ajo, gjykata sipas detyrës zyrtare është e detyruar të marrë parasysh ekzistencën e një ligji të mëvonshëm, më të butë për shkelësin.
“Kjo është ndoshta arsyeja se pse gjykatësit interpretojnë se nuk mund të ketë as pastrim parash në një rast të tillë.”
Ajo mendon se zgjidhje të tilla ligjore duhet të ndryshohen urgjentisht dhe definitivisht, në raste të tilla, e drejta të jetë në funksion të drejtësisë.
Darko Avramovski, nga koalicioni “Të gjithë për gjykim të drejtë”, thotë se gjykatësit kanë dy mundësi.
Njëra është të vendosin “nëse në momentin kur personi i ka vënë paratë në qarkullim, ato janë fituar me vepër penale (ende nuk ka qenë e dekriminalizuar)”, apo të vendosin se “dekriminalizimi i shfrytëzimit të pozitës zyrtare nënkupton edhe ligjshmërinë e pasurisë së fituar”.
Në rastin e dytë, kjo do të nënkuptonte pamundësi të ndjekjes së mëtejshme për pastrim parash dhe konfiskim të pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme.
Ndërkohë, derisa gjykatat “i hedhin poshtë” akuzat si të vjetërsuara apo problematike, qeveria ndryshoi dhe lideri i ri i LSDM-së opozitare, Venko Filipçe, vlerësoi se kanë gabuar me ndryshimet në Kodin Penal.
Në krye të Ministrisë së Drejtësisë në qershor erdhi ministri i ri Igor Fillkov, i cili tashmë organizoi një konferencë për shtyp në korrik. Ndër disa çështje që kanë të bëjnë me sektorin e drejtësisë, ai bëri të ditur se do të formojë një grup të ri pune, i cili do të punojë për ndryshimet në Kodin Penal ekzistues, pikërisht për pjesët kontestuese.
Vetëm pak muaj më parë paraardhësi i tij Krenar Loga dërgoi deri te Sekretariati për Çështjet Evropiane një Kod Penal krejtësisht të ri, i cili duhej ta dërgonte dokumentin deri te Komisioni Evropian për mendim.
Nga Ministria e Drejtësisë nuk dhanë përgjigje për atë se çfarë përmban ai version i Kodit Penal në rubrikën për keqpërdorimin e pozitës zyrtare, duke u arsyetuar se bëhet fjalë për një projektligj, për të cilin do të ketë seancë publike.
Kujtojmë se ndryshimet në Kodin Penal, të cilat Qeveria i përcaktoi “fshehurazi” dhe Kuvendi i miratoi në mënyrë eksprese pas procedurës së shkurtuar (me flamur evropian), dhe i nënshkroi presidenti Stevo Pendarovski. Të njëjtat u botuan në “Gazetën Zyrtare” të datës 7 shtator 2023.
Ndryshimet lidhen me 38 nene të Kodit Penal, nga të cilët qeveria tha se 35 janë për përputhje me direktivat e BE. Ajo që shkaktoi një stuhi reagimesh negative në opinion është se ndryshimet përfshinin ndryshime në nenet që kanë të bëjnë me shpërdorimin e pozitës dhe kompetencave zyrtare (neni 353) dhe bashkim kriminal (neni 394). Me votimin, deputetët ulën dënimet e parashikuara për të dyja veprat, vendosën kufirin maksimal të dënimit dhe shfuqizuan një paragraf nga neni për shpërdorimin e pozitës dhe kompetencave zyrtare. Duke vepruar kështu, ata parashikuan vjetërsimin e mëhershëm të veprave kriminale.
Ndryshime të tilla ligjore VMRO-DPMNE-ja i kishte kërkuar në vitin 2018 në takimet e atëhershme të kryesisë së Zoran Zaevit dhe Hristijan Mickoskit, me qëllim të vjetërsimit të veprave të ish-funksionarëve të akuzuar nga Qeveria e Nikolla Gruevskit.
- LEXO: Po “përgatiten” ndryshime të reja të Kodit Penal në RMV
- LEXO: RMV-së urgjentisht i duhet Kod i ri Penal për të zbutur dëmet që lanë rastet e vjetëruara të korrupsionit të lartë
- LEXO: Kundërspin: VMRO-DPMNE votoi kundër amendamenteve të Kodin Penal, por, në të vërtetë i mbështeti ato
- LEXO: RMV, “Gazeta Zyrtare” i publikoi ndryshimet në Kodin Penal që amnistojnë krimet e funksionarëve, reagimet e partive si “plumba qorr”
- LEXO: Ndryshimet në Kodin Penal që amnistojnë krimet e funksionarëve kaluan edhe filtrin e Pendarovskit
- LEXO: RMV, me shpejtësi të paparë u miratua Ligji për uljen e dënimeve me burg për funksionarët, siç kërkoi VMRO 5 vjet më parë