Pjesëmarrja e VLEN në tubimet e VMRO-së dëshmon varësinë e plotë politike
Arbër Ademi: VLEN nuk është më zë i shqiptarëve, por jehona e padronëve politikë Nënkryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Arbër Ademi, ka reaguar ashpër pas pjesëmarrjes së ministrit të The post Pjesëmarrja e VLEN në tubimet e VMRO-së dëshmon varësinë e plotë politike appeared first on Flaka, në çdo lajm... .

Arbër Ademi: VLEN nuk është më zë i shqiptarëve, por jehona e padronëve politikë
Nënkryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Arbër Ademi, ka reaguar ashpër pas pjesëmarrjes së ministrit të Shëndetësisë dhe shefit të shtabit zgjedhor të koalicionit VLEN për Komunën e Gostivarit, Azir Aliu, dhe vetë kandidatit të këtij koalicioni, në tubimin e VMRO-DPMNE-së në Gostivar.
“Pjesëmarrja e ministrit të Shëndetësisë dhe njëkohësisht shefit të shtabit zgjedhor të koalicionit VLEN për Komunën e Gostivarit, z. Azir Aliu, si dhe vetë kandidatit të tyre për këtë komunë, në tubimin e VMRO-DPMNE-së në Gostivar, është dëshmi e qartë se ky koalicion tashmë është plotësisht i varur nga votat e VMRO-së në çdo komunë të vendit — aq sa kërkon shpëtimin dhe lutet për ndihmë te padroni politik që e mban gjallë,” tha Ademi.
Sipas tij, ajo që ndodh mes dy subjekteve nuk është bashkëpunim, por “nënshtrim politik me përulje publike”.
“Është tregues i qartë se VLEN e di mirë se do të humbasë në çdo komunë shqiptare, sepse nuk e ka votën e shqiptarëve, nuk e ka besimin dhe nuk e ka më legjitimitetin e popullit shqiptar. Dhe kur e humb besimin e popullit tënd, mbetet vetëm një rrugë: t’i kërkosh mëshirë padronit që të shpëtojë politikisht,” shtoi Ademi.
Ai theksoi se VLEN nuk po përfaqëson më interesat e qytetarëve shqiptarë, por ato të VMRO-së.
“Në vend që të përfaqësojë interesat e qytetarëve shqiptarë, VLEN ka zgjedhur të përfaqësojë interesat elektorale të VMRO-së – duke marrë pjesë në mitingjet e tyre, pa pasur madje as fuqinë t’i ftojë ata në mitingjet e veta. Por kjo nuk ndodh – sepse, siç thotë fjala e urtë politike: padroni nuk shkon te vasali,” tha ai.
Duke vazhduar me ton të ashpër, Ademi shtoi:
“Ky është dallimi mes partneritetit dhe vasalitetit: partnerët bashkëpunojnë – vasalët nënshtrohen. VLEN sot nuk flet më me votën e shqiptarëve, por me votën e VMRO-së. VLEN nuk flet më me zërin e shqiptarëve, por me zërin e partisë që premtoi dhe hoqi balancuesin, dhe parashtroi iniciativën për shfuqizimin e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare.”
Ai e quajti VLEN një “vegël politike” në duart e një partie që, sipas tij, kërkon të fshijë çdo simbol të barazisë shqiptare.
“Nëse një forcë politike shqiptare pranon të bëhet vegël e partisë që kërkon të fshijë çdo simbol të barazisë shqiptare, ajo nuk është më forcë politike – ajo është shërbëtore e bindur e një projekti antishqiptar,” deklaroi Ademi.
Në përfundim, ai i bëri thirrje qytetarëve shqiptarë që të mos lejojnë keqpërdorimin e vullnetit të tyre politik.
“Asnjë njeri që kërkon votën e shqiptarëve, por del në podiumet e VMRO-së, nuk mund të pretendojë se përfaqëson dinjitetin dhe kauzën shqiptare. VLEN nuk është më zë i shqiptarëve – është jehona e padronëve të tyre politikë,” tha nënkryetari i BDI-së.
Ademi përfundoi duke theksuar se më 19 tetor, shqiptarët do ta dëshmojnë me votë se legjitimiteti nuk jepet nga VMRO, por fitohet nga populli.
“Më 19 tetor, shqiptarët do ta thonë fjalën e tyre me votë, me dinjitet dhe me bindje – duke dëshmuar se legjitimiteti nuk jepet nga VMRO, por fitohet nga populli,” përfundoi ai.
The post Pjesëmarrja e VLEN në tubimet e VMRO-së dëshmon varësinë e plotë politike appeared first on Flaka, në çdo lajm... .
