Pohimet kundërthënëse të Siljanovska Davkovës për gjuhën shqipe: Çfarë thonë nenet e Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijëve që i pengojnë presidentes?
Debati për statusin e gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut është sjellë përsëri para opinionit, kësaj here nga presidentja e vendit Gordana Siljanovska Davkova. Presidentja më 31 dhjetor 2024 i dërgoi njoftimin kryetarit të Kuvendit Afrim Gashit se nuk se nuk do ta nënshkruajë dekretin për Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijëve të cilin e votoi Kuvendi, […]
Debati për statusin e gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut është sjellë përsëri para opinionit, kësaj here nga presidentja e vendit Gordana Siljanovska Davkova. Presidentja më 31 dhjetor 2024 i dërgoi njoftimin kryetarit të Kuvendit Afrim Gashit se nuk se nuk do ta nënshkruajë dekretin për Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijëve të cilin e votoi Kuvendi, pasi sipas saj amendamentet e votuara përmbajnë disa dispozita kontroverse. Ajo ka kërkuar rishikimin e dispozitave të neneve 9 dhe 10 të projektligjit. Kjo i referohet amendamenteve për licencat në dy gjuhë, shkruan Portalb.mk.
Çfarë thonë nenet të cilat “i pengojnë” presidentes?
- Neni 9
Në nenin 177 paragrafi (3) fjalët “Komisioni Shtetëror për Vendimmarrje në Procedurat Administrative dhe për Punësimin në Shkallë të Dytë” zëvendësohet me fjalët “Komisioni Shtetëror për vendimmarrja në procedurat administrative, procedurat e punësimit dhe mbikëqyrja inspektuese në të shkallën e dytë”.
Paragrafi (4) ndryshohet si vijon: “(4) Licenca e punës është dokument publik dhe lëshohet në dy kopje, njëra prej të cilave është për aplikantin dhe kopja tjetër i mbetet ministrisë. Licenca e punës lëshohet në gjuhën maqedonase dhe alfabetin e saj cirilik dhe në gjuhën që flasin 20% e qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe alfabetin e saj.
- Neni 10
Në nenin 177-b paragrafi (2) ndryshohet si vijon:
“(2) Pjesa e parë e provimit nga paragrafi (1) i këtij neni jepet në mënyrë elektronike, në gjuhën maqedonase dhe alfabetin e saj cirilik dhe në gjuhën që e flasin 20% e qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe shkrimi i saj, duke iu përgjigjur një numri të caktuar të pyetjeve të testit elektronik në kompjuter.
Pas paragrafit (3), shtohen dy paragrafë të rinj (4) dhe (5), të cilët thonë:
,, (4) Me përjashtim nga paragrafi (2) i këtij neni, në rast se sistemi i vetëm elektronik për dhënien e provimit profesional për marrjen e licencës së punës nuk është në funksion dhe për shkak të urgjencës që të mos vijë deri te pengesa në vazhdimësinë e procesit të licencimit, provimi nga paragrafi (1) i këtij neni bëhet me shkrim, në letër, në gjuhën maqedonase dhe shkrimi i saj cirilik dhe gjuha që flasin 20% e qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe shkrimi i saj.
(5) Mënyrën e dhënies së provimit nga paragrafët (2) dhe (4) të këtij neni e përcakton ministri.
Kundërthënia, sipas presidentes së vendit është lëshimi i licencës për punë në dy gjuhë
“Vetëm bëra thirrje që edhe një herë të shqyrtohen nenet 9 dhe 10, gjithashtu edhe njëherë të mendohet nëse kjo mënyrë e dhënies së provimit dhe marrje e licencës nuk do të lë hapësirë për autorizim diskrecional. Askush nuk konteston që kur të jepet provimi në gjuhën shqipe, licenca të merret në gjuhën shqipe. Ajo që për mua është kontestuese, është që është harruar, përskaj gjuhës maqedonase dhe shqipe, e kuptohet që kur jepni provim në gjuhën maqedonase, licencën ta merrni në gjuhën maqedonase”, tha presidentja Siljanovska- Davkova.
Ajo më tej ka shtuar se beson që Kuvendi,si bartës i pushtetit legjislativ do t’i ketë parasysh vërejtjet dhe sugjerimet e saj gjatë shqyrtimit të dispozitave të nenit 9 dhe nenit 10 të Ligjit për ndryshimin e ligjit për mbrojtjen e fëmijëve, i cili u miratua nga deputetët më 24 dhjetor 2024 dhe do të krijojë zgjidhje të qarta në përputhje me Kushtetutën.
Presidentja ngre pluhur mbi këtë çështje, pavarësisht se Ligji për përdorimin e gjuhëve saktë e precizon se:
“Në tërë territorin e Republikës së Maqedonisë dhe në marrëdhëniet e saj ndërkombëtare, gjuhë zyrtare është gjuha maqedonase dhe alfabeti i saj cirilik. Gjuhë tjetër që e flasin së paku 20% e qytetarëve (gjuha shqipe), gjithashtu, është gjuhë zyrtare dhe alfabeti i saj”.
Vetoja e presidentes ngjalli debat të madh politik
Lidhur me këtë çështje u deklarua edhe kryeministri Hristijan Mickoski. Ai ka thënë se formularët për aplikim për licenca për shqiptarët do të jenë në gjuhën shqipe.
“Në të gjithë territorin siç e dini gjuha zyrtare është gjuha maqedonase, por të gjithë ata, në këtë rast shqiptarët, që duan do të kërkojnë formularin për aplikim në gjuhën shqipe ose licencë, do të jetë e formuluar saktësisht sipas Kushtetutës dhe ligjit për Gjuhët”, tha Mickoski.
Ndërkaq nga Qeveria e RMV-së deklaruan se “ligji do të përpunohet dhe do tu prezantohet deputetëve në përputhje me procedurat ligjore”.
Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë së Veriut (LSDM) ka kërkuar nga Qeveria që të heqë dorë tërësisht nga ndryshimet në Ligjin për mbrojtjen e fëmijëve.
“E mirëpresim mosnënshkrimin e dekretit nga presidentja e vendit, Gordana Siljanovska Davkova, me të cilin u hap kjo mundësi, dhe kërkojmë që qeveria të tërhiqet nga synimet e saj për shkak të dispozitave kontradiktore që përmban. Neni 9 dhe neni 10 i projektligjit për ndryshime të propozuara nga Qeveria nënkuptojnë futjen e licencave dygjuhëshe në fushën e mbrojtjes së fëmijëve. Është e diskutueshme që ky segment rregullohet me një ligj tjetër që rregullon përdorimin e gjuhëve, si dhe me Kushtetutën e vendit”, thanë nga LSDM.
Opozita shqiptare: Tentim për të degraduar gjuhën shqipe
Për partinë Aleanca për Shqiptarët, deklarata e kryeministrit Hristijan Mickoski, ishte sa kaotike po aq edhe e rrezikshme.
“Fillimisht duhet të theksojmë se kryeministri, pa qëllim ose në huti, pranoi se gjuha shqipe është zyrtare me Kushtetutë dhe me Ligjin për përdorimin e gjuhëve. Por, më pas në deklaratën e njëjtë ai tregoi haptas se ka vendosur të ndryshojë propozim ligjin për mbrojtjen e fëmijëve, në përputhje me rekomandimet antikushtetuese të presidentes, si dhe dëshiron të degradojë gjuhën shqipe në nivel lokal dhe në vullnetin e bartësve të institucioneve. Kujtojmë kryeministrin Mickoski se sipas amendamentit V të Kushtetutës dhe Ligjit për përdorimin e gjuhëve, të miratuar në vitin 2018, gjuha shqipe është gjuhë zyrtare në të gjitha institucionet qendrore dhe në nivel shtetëror, ndërsa në nivel lokal gjuhë zyrtare janë edhe gjuhët e tjera të cilat janë mbi 20% vetëm brenda komunës, por jo edhe në nivel shtetëror”, thuhet në reagimin e ASH-së.
Nga Bashkimi Demokratik për Integrim mosnënshkrimin e dekretit nga presidentja e kanë konsideruar si sulm të hapur ndaj gjuhës shqipe dhe një përpjekje për të minuar të drejtat e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Ndërkaq, kanë komentuar edhe mendimin e kryeministrit Mickoski, duke e akuzuar se po tenton të degradojë statusin e gjuhës shqipe në vend.
“Tashmë është e qartë se qeveria nuk e njeh këtë realitet dhe po përgatit terrenin për ta anuluar këtë ligj përmes Gjykatës Kushtetuese. Për BDI-në, ky është një veprim i papranueshëm dhe nuk do të lejojmë që gjuha shqipe të kthehet në një status dytësor e të kushtëzohet nga burokracia apo vullneti politik i dikujt. Ne do të përdorim të gjitha mjetet politike, ligjore dhe demokratike për të kundërshtuar këtë prapakthim dhe për të mbrojtur të drejtat tona të fituara me sakrificë”, thuhet në reagimin e BDI-së.
Partneri shqiptar në Qeveri pa qëndrim të harmonizuar
Koalicioni VLEN i cili është pjesë e Qeverisë, nuk ka dalë me një qëndrim të përbashkët për këtë. Kjo si çështje u përmend shkurt nga dy ministrat e këtij koalicioni.
Ministri i Politikës Sociale Fatmir Limani nga koalicioni VLEN në një deklaratë shkurt për TV21 u përgjigj:
“Për shqiptarët, certifikatat do të jenë në gjuhën shqipe”.
Ndërsa zëvendëskryeministri Arben Fetai në një prononcim për Lajm akuzoi opozitën maqedonase ndërsa deklaroi se “garantoj që për edukatorët shqiptarë, licencat do të jenë në gjuhën shqipe, pavarësisht lëvizjeve politike që bëhen tani për tani për arsye populiste”,
Kujtojmë se debatin për kushtetutshmërinë e gjuhës shqipe në Republikën e Maqedonisë së Veriut, në fund të vitit të kaluar (2024) e solli Gjykata Kushtetuese, e cila më 11 dhjetor 2024, vendosi të caktojë seancë përgatitore me të cilën synohet që ekspertë të fushave të ndryshme t’i përplasin argumentet me kontestuesit e Ligjit në fjalë, ndërsa gjykata ka kërkuar ‘mendim miqësor’ për këtë edhe nga Komisioni i Venedikut. Seanca është caktuar të mbahet më 20 mars 2025.
Ligji për Zbatimin e Gjuhëve ka hyrë në fuqi në janar të vitit 2019-të. Ai u miratua në 11 janar 2018, në mungesë të VMRO-DPMNE-së në atmosferë të tensionuar në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, me protesta dhe tentativa të panumërta të ish-presidentit Gjorgе Ivanov për ta bllokuar atë.
Në një analizë të Portalb.mk, ekspertët juridik kanë treguar rrugën politiko-juridike që duhet të ndjekur për tu mbyllur një herë e përgjithmonë çështja e gjuhës shqipe dhe debati për të njëjtën.