Presidenca e Kosovës reagoi sërish: RMV shkeli rregullat ndërkombëtare që aplikohen kudo në botë
Presidenca e Kosovës ka reaguar sërish për incidentin që ka ndodhur më 2 gusht në aeroportin e Shkupit, ku siç kishte njoftuar presidenca, pjesëtarë të sigurimit kanë tentuar t’ia marrin telefonin presidentes Vjosa Osmani për ta vendosur në skanerë. Bekim Kupina, këshilltari për media i presidentes Vjosa Osmani për RTV21 ka thënë se në asnjë […]
Presidenca e Kosovës ka reaguar sërish për incidentin që ka ndodhur më 2 gusht në aeroportin e Shkupit, ku siç kishte njoftuar presidenca, pjesëtarë të sigurimit kanë tentuar t’ia marrin telefonin presidentes Vjosa Osmani për ta vendosur në skanerë. Bekim Kupina, këshilltari për media i presidentes Vjosa Osmani për RTV21 ka thënë se në asnjë shtet të botës, nuk ia marrin telefonin për skanim kreut të shtetit.
Në përgjigjen e tij thuhet se me këtë veprim ”RMV ka shkelur rregullat ndërkombëtare”, teksa ka shtuar se ”RMV është i vetmi shtet në botë që refuzon të aplikojë të drejtën ndërkombëtare zakonore dhe konventat ndërkombëtare”.
”Në asnjë vend të botës, kreut të shtetit nuk i kërkohet ta dorëzojë telefonin për skanim. Ne shtete të tjera nuk kontrollohet as bagazhi personal e as çanta personale e kreut të shtetit e lëre më telefoni personal. Si Presidencë, kemi përvojë të mjaftueshme edhe me udhëtime të tjera, nuk kemi nevojë ta provojmë, ngase askund, asnjëherë as çanta personale, as valixhja (bagazhi personal) e as telefoni i kreut të shtetit nuk i janë nënshtruar kontrollit. Nga dhjetëra vende që kemi vizituar deri sot, RMV është i vetmi shtet në botë që refuzon të aplikojë të drejtën ndërkombëtare zakonore dhe konventat ndërkombëtare që kanë të bëjnë me kreun e shtetit. Siç kemi deklaruar disa herë, presidentja e ka vendosur në kontroll çantën e saj dhe ajo e ka kaluar skanerin. Çdo deklaratë tjetër është propagandë për qëllime politike. Nuk ka asgjë profesionale në sjelljen e sigurimit që i del përpara kreut të një shteti dhe ia bllokon lëvizjen pasi ta ketë vendosur edhe çantën në skaner. RMV ka shkelur rregullat ndërkombëtare që aplikohen çdo kund në botë duke kërkuar skanimin e telefonit të Presidentes së një shteti tjetër, gjë që do të paraqiste potencial për cenim të sigurisë kombëtare. Presidentja nuk është kthyer në Kosovë nëpërmjet Aeroportit të Shkupit, pra ka ndryshuar itinerarin e udhëtimit, sepse ekipi i saj i sigurisë ka vlerësuar se pas propagandës marramendëse nuk ekzistojnë as kushtet bazike të sigurisë për një gjë të tillë”, thuhet në përgjigjen e Presidencës.
Reagimi ka ardhur pasi sot paraprakisht, në raportin e Agjencisë së Aviacionit Civil (AAC) të Maqedonisë së Veriut thuhej se shërbimet në Aeroportin e Shkupit, përgjegjëse për kontrollet e sigurisë, kanë vepruar në mënyrë profesionale dhe në bazë të standardeve ndërkombëtare.
Kjo agjenci tha se rishikoi të gjitha dëshmitë që lidheshin me incidentin e 1 gushtit ku u përfshi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Sipas raportit, është konstatuar se shërbimet e aeroportit që janë përgjegjëse për kontrollet e sigurisë kanë vepruar në mënyrë profesionale dhe u janë përmbajtur rregullave që zbatohen ndërkombëtarisht, duke mos lejuar anashkalimin e standardeve dhe procedurave, qoftë edhe nën presionin e personave që shoqërojnë pasagjerët.
“Refuzimi për të kryer kontrollet standarde të sigurisë me të njëjtët pasagjerë, sipas të dhënave, ka ndodhur edhe në vitin 2022 dhe 2023 kur kontrollet e sigurisë u pranuan vetëm pasi piloti i avionit kishte refuzuar të pranojë pasagjerë në avion pa u kryer një kontroll sigurie”, u tha në deklaratën e AAC-së.
Incidenti që ndodhi më 1 gusht në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit, ku ishte e përfshirë edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ishte temë edhe e takimit që ndodhi më 5 gusht në Shkup ndërmjet dy kryeministrave, Albin Kurtit dhe Hristijan Mickoskit. Kurti tha se përjetimi i Osmanit ishte i rëndë, ndërsa Mickoski, premtoi se derisa ai është kryeministër nuk do të jetë njerëz që do të jenë mbi ligjin dhe nëse konstatohet se kanë tejkaluar kompetencat, personi do të vihet para drejtësisë.