Bastorja “MegaWin” vazhdon të funksionojë pa pengesa, Qeveria nuk e përmend më mbylljen e saj
Kompania për organizimin e lojërave të fatit online “Megawin” duhej të mbyllej në një prej seancave të Qeverisë në shtator të vitit 2024, kjo sipas deklaratave të zëvendëskryeministrit Izet Mexhiti. Por, pesë muaj nga ky premtim, kjo kompani vazhdon të funksionojë normalisht dhe pa asnjë pengesë. Të pyetur nga Portalb.mk, Qeveria thotë se është proces […]


Kompania për organizimin e lojërave të fatit online “Megawin” duhej të mbyllej në një prej seancave të Qeverisë në shtator të vitit 2024, kjo sipas deklaratave të zëvendëskryeministrit Izet Mexhiti. Por, pesë muaj nga ky premtim, kjo kompani vazhdon të funksionojë normalisht dhe pa asnjë pengesë. Të pyetur nga Portalb.mk, Qeveria thotë se është proces kompleks dhe se kërkon analizë të detajuar pa specifikuar nëse do të mbyllet, raporton Portalb.mk.
Zv.kryeministri i parë Izet Mexhiti më 26 shtator, tha se me vendimin e parë të Qeverisë, fillimisht është prishur një kontratë për qirramarje mes Lotarisë dhe objektit të ish restorantit “Festina” në Vizbeg. Më pas janë shfuqizuar koncesionet të cilat ishin dhënë në mënyrë joligjore për kazinot online dhe vendimi i tretë është për të luftuar organizimin e lojërave të fatit në të zezë. Atëkohë, Mexhiti tha se në seancën e ardhshme të Qeverisë, që përkonte të jetë 1 tetori, do të mbyllet, por një gjë e tillë nuk ndodhi.
“Ndërsa “MEGAWIN” është 100% shtetërore që organizon online dhe ka procedurë tjetër. Në mbledhjen e ardhshme të martën do të mbyllet edhe ajo dhe 100% online kazino do të jetë jashtë funksionit në RMV. Në të njëjtën kohë ka një vendim në Qeveri ku i është shpallur luftë e ashpër, sepse ka online kazinot që kanë qenë të organizuara nga ndërmarja por ka online kazino në të zezë, në të egër që organizojnë biznesin e kazinove për shtetet tjera në rajon, për Turqi, Greqi e Shqipëri. Ka vendim të Qeverisë se do u shpallet luftë e ashpër edhe atyre me të gjitha instrumentet e shtetit”, tha Izet Mexhiti.
Arbër Ademi, nënkryetar i BDI-së, atëkohë për kompaninë “Megawin” tha se Qeveria ka vendosur ta mbajë të hapur qëllimisht, duke krijuar një monopol për këtë kompani, pasi ajo është 100% htetërore.
Nga ana tjetër, kryeministri Hristijan Mickoski njoftoi se licencat për kompanitë që janë mbyllur janë dhënë në mënyrë joligjore. Ai theksoi se organet e rendit do të hetojnë për mënyrën dhe arsyet e dhënies së këtyre licencave.
“Sepse ato licenca që janë dhënë, janë dhënë në mënyrë jo ligjore. Dhe sepse parimisht kemi mendim juridik nga Ministria e Financeve se gjithçka që është dhënë si licencë është jo ligjore. Tani MPB, Policia Financiare por edhe institucionet tjera do të kujdesen që opinioni shumë shpejt ta mësojë të vërtetën për atë se si janë dhënë, pse janë dhënë e kështu me radhë”, deklaroi Hristijan Mickoski.
Nga ana tjetër në përgjigje të pyetjes së Portalb:
Cilat janë arsyet që kanë çuar në shtyrjen e procesit të mbylljes dhe kur mund të pritet që “Megawin” të mbyllet përfundimisht?
Qeveria u përgjigj shkurtimisht se duhet analizë e detajuar, duke mos përmendur këtu fare çështjen e mbylljes.
“Bëhet fjalë për një proces më kompleks që kërkon analizë të detajuar, zgjidhjet e sjella nga kjo Qeveri i nënshtrohen pikëpamjeve të argumentuara. Gjithashtu, për momentin po punohet për një Ligj të ri për lojërat e fatit, i cili synon të kapërcejë të gjitha mangësitë e konstatuara më parë”, thuhet në përgjigjen e Qeverisë.
Nga ana tjetër, të njëjtën pyetje ia parashtuam edhe Lëvizjes Demokratike të kryesuar nga Izet Mexhiti, i cili edhe premtoi mbylljen e kësaj kompanie, mirëpo, deri në publikimin e tekstit, nuk kemi marrë përgjigje.
Ndërkohë, ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski, në një paraqitje për TV 24, tha se Ligji për komunikime elektronike propozon ndalimin e lojërave ilegale të fatit në internet apo kazinove online. Ai tha se në Maqedoni nuk ka asnjë institucion privat të licencuar për organizimin e lojërave të fatit online, dhe qytetarët e dinë se të tilla janë të shumta, janë zbuluar rreth 160 ofrues që janë të pranishëm në tregun maqedonas, por që nuk kanë licencë për të organizuar lojëra fati online.
Pas vendimit të qeverisë për ndalimin e lojërave të fatit në internet, ministri Andonovski, në fillim të muajit tetor, tha se hapi i radhës do të jetë zbulimi dhe mbyllja e të gjitha faqeve që prezantojnë lojërat e fatit në internet dhe në këtë aksion, përveç atyre të vendit do të përfshihen edhe lojtarët e huaj në treg.
Qeveria e RMV-së më 24 shtator 2024 vendosi për ndërprerjen e vlefshmërisë së licencave jolegale për kazinot online, me këtë edhe ndalimin e bixhozit online në shtet për disa kompani: NOVO VLT SHPK- Shkup, MOZZART SHPK Shkup, 77 BITS SHPK Shkup, VEZUV SHPK Shkup dhe 2Win.mk. “MegaWin” është kompania e vetme aktive për bixhoz online në Maqedoninë e Veriut.