Prezantimi i programit, Berisha: Nuk i riktheva për post apo luks, por për një trashëgimi të re të PD
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha po prezanton pasditen e sotme programin qeverisës. Gjatë fjalës së tij, lideri i opozitës, u shpreh se u rikthye në politikë për të vendosur një trashëgimi të re, e cila do të tejkalojë dy qeverisjet e tij të mëparshme. Ai shtoi se programi i PD është hartuar për një […]

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha po prezanton pasditen e sotme programin qeverisës.
Gjatë fjalës së tij, lideri i opozitës, u shpreh se u rikthye në politikë për të vendosur një trashëgimi të re, e cila do të tejkalojë dy qeverisjet e tij të mëparshme.
Ai shtoi se programi i PD është hartuar për një kohë të gjatë dhe është i realizueshëm për të përmirësuar jetën e qytetarëve.
“Unë i kërkoj të gjithë shqiptarëve, demokratë, socialistë apo pa parti që mbajnë ende ëndrrën për t’u larguar nga Shqipëria të më japin 40 minuta kohë për të dëgjuar këtë alternativë. Ky nuk është një program, por një projekt i madh, i realizueshëm që do të bëjnë shqiptarët do t’i japim dhe një mundësi. Ky projekt nuk u vodh, nuk u hartua për fushatë. U deshën 3 vite për projektin e Shqipërisë Madhështore.
Ditën që u riktheva për të mbrojtur demokracinë, mora një vendim. Unë nuk u ktheva për luks apo për post. Iu ktheva betejës për dinjitet. Vendosa të bëj çdo gjë për një trashëgimi të re të PD, opozitës shqiptare, konservatorëve shqiptarë. Kërkoja që Berisha i tretë të tejkalojë të parin e të dytin. Dhe kjo diçka duhet t’iu japë përgjigje halleve të shqiptarëve. Arsimi është rrënuar, shëndetësia është shkatërruar. 45% e shqiptarëve kanë ikur. Prandaj gërmuam në histori për të parë çfarë programesh kanë përdorur vendet pas diktaturave”, tha Berisha.