Prishtinës zyrtare nuk i bën përshtypje se zëvendëskryeministri i RMV-së Stoilkoviq i qaset Kosovës me emrin “Kosova dhe Metohija”

Qeveria e Republikës së Kosovës së bashku me Ambasadën e Kosovës në Shkup vazhdojnë të qëndrojnë në heshtje lidhur me paraqitjen e Kosovës si “Kosova dhe Metohija” nga zëvendëskryeministri i RMV-së Ivan Soilkoviq, qasje e cila është në një vijë me politikat e Beogradit, edhe përkundër komunikimit zyrtar që RMV-ja ka me Kosovën, shkruan Portalb.mk. […]

Jan 16, 2025 - 08:00
 0  3
Prishtinës zyrtare nuk i bën përshtypje se zëvendëskryeministri i RMV-së Stoilkoviq i qaset Kosovës me emrin “Kosova dhe Metohija”
Qeveria e Republikës së Kosovës. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Qeveria e Republikës së Kosovës së bashku me Ambasadën e Kosovës në Shkup vazhdojnë të qëndrojnë në heshtje lidhur me paraqitjen e Kosovës si “Kosova dhe Metohija” nga zëvendëskryeministri i RMV-së Ivan Soilkoviq, qasje e cila është në një vijë me politikat e Beogradit, edhe përkundër komunikimit zyrtar që RMV-ja ka me Kosovën, shkruan Portalb.mk.

Heshtje në Prishtinë 

As Qeveria dhe as Ambasada e Kosovës në Shkup nuk e panë të rrugës që të përgjigjen në pyetjen e Portalb.mk kur u pyetën për qëndrimin e tyre rreth kësaj çështjeje.

A do të ketë reagim apo si e komentoni qëndrimin e ministrit serb në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut në raport me Kosovën? 

Kjo ishte pyetja të cilës asnjëri nga këto institucione nuk iu përgjigj.

Në këtë drejtim ka pasur reagim nga partia kosovare Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK). Sipas tyre RMV-ja e ka për obligim të sillet në përputhje me normat ndërkombëtare në raport me shtetin e Kosovës.

“Kjo nuk është goditje vetëm ndaj Shtetit të Kosovës, por edhe ndaj shqiptarëve në Maqedoni, të cilët janë shtylla e marrëdhënieve ndërshtetërore midis dy vendeve tona… Është e dhimbshme që Qeveria e Kosovës nuk reagon për një skandal të tillë. Ajo do të duhej ta kishte thirrur ambasadorin e Maqedonisë së Veriut dhe t’i kishte kërkuar heqjen urgjente nga faqja zyrtare e këtij cilësimi ndaj Republikës së Kosovës”, thanë mes tjerash nga AAK për Klan Maqedoni.

Çfarë tha Stoilkoviq? 

Në një kumtesë lidhur me kampin sportiv “Serbia po ju thërret” në Beograd ku morën pjesë rreth 50 fëmijë nga RMV-ja, të publikuar në faqen zyrtare të Ministrisë për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive në Maqedoninë e Veriut në krye të së cilës qëndron Ivan Stoilkoviq njëherit edhe zëvendëskryeministër, Republika e Kosovës prezantohet me emrin me të cilin i qaset shteti i Serbisë, “Kosova dhe Metohija”.

Pavarësisht se Maqedonia e Veriut e ka njohur pavarësinë e Republikës së Kosovës më 9 tetor 2008, disa muaj nga shpallja e deklaratës së pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008, zëvendëskryeministri Stoilkoviq, i cili ka prejardhje serbe, ka devijuar qëndrimin zyrtar të shtetit përballë Kosovës, duke e paraqitur të njëjtën në faqen zyrtare shtetërore si krahina “Kosova dhe Metohija”, ngjashëm si Beogradi.

Qeveria e RMV-së: Përfaqësuesit të veprojnë sipas ligjeve dhe Kushtetutës së vendit 

Qeveria e Maqedonisë së Veriut u ka bërë me dije përfaqësuesve qeveritar se duhet të veprojnë sipas Kushtetutës dhe ligjeve të Maqedonisë së Veriut dhe se Republika e Kosovës është e njohur nga RMV në vitin 2008.

“Republikën e Kosovës e kemi njohur në vitin 2008 dhe si shtet kemi lidhur një sërë marrëveshjesh bilaterale. Si Qeveri, informojmë se të gjithë duhet të respektojnë vendimet dhe të veprojnë në përputhje me vendimet, Kushtetutën dhe ligjet në fuqi të vendit”, thanë nga zyra e zëdhënësit të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut për Portalb.mk.

Deklarata e Stoillkoviq nxiti reagime te partitë politike shqiptare

Deputeti i opozitës, nga Frontit Europian, Skender Rexhepi- Zejdi, në një intervistë për TV21 tha se në lidhje me rastin është dashur të reagonte edhe kryeministri Hristijan Mickoski dhe ministrat e VLEN-it.

“Në faqen zyrtare të Ministrisë nuk guxojnë të përdoren emra të shteteve që nuk ekzistojnë. Kjo është dështim i VLEN-it, nuk llogaritet i Stoilkoviqit… Zyrtarisht, në faqen zyrtare të Ministrisë nuk guxojnë të përdoren emra të shteteve që nuk ekzistojnë. Nuk ekziston shtet Kosova dhe Metohija. Ekziston shtet Kosova që Maqedonia e Veriut zyrtarisht e ka njohur dhe i pari që duhej të reagonte është kryeministri që e menaxhon atë qeveri, në mungesë të atij, janë ministrat e VLEN-it”, tha Zejdi.

Koalicioni VLEN, partneri shqiptar i VMRO-DPMNE-së dhe ZNAM-it në pushtet në një reagim publik kanë thënë se janë dhe do të qëndrojnë fuqishëm në krah të interesave kombëtare shqiptare, duke mbrojtur çdoherë të drejtën e Republikës së Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran.

“Çdo përpjekje për t’i atribuar qëndrime të paqena VLEN-it është e kotë dhe e pabazuar. VLEN nuk e mohon se Ivan Stoilkoviq është përfaqësues i serbëve. Është përfaqësues i tyre dhe ne nuk pretendojmë ta bëjmë atë shqiptar, e aq më pak ta detyrojmë të mendon si shqiptar. Rikujtojmë që takimi i parë i kryeministrit Hristijan Mickoski ka qenë ai me kryeministrin Albin Kurti”, thuhet në komunikatën e VLEN.

Viti 2024 shënoi disa momente kulminante me Kosovën

Ndryshe, në vitin që lamë pas, në 2024 u shënuan dy momente delikate në raport me Kosovën. Më 10 shkurt 2024 u raportua për një plan atentati ndaj kryeministrit të Kosovës Albin Kurtit në Shkup, që më pas u tha se nuk ishte e vërtetë. Ndërsa më 2 gusht 2024 presidentja Vjosa Osmani u pengua në Aeroportin e Shkupit, ku u tentua t’i merret telefoni. Por që dy vendet kanë raporte të mira u ritheksua në seancën e përbashkët qeveritare e cila u mbajt më 18 nëntor 2024 në Prishtinë .

Kosova dhe Maqedonia e Veriut kanë disa projekte të përbashkëta që i kanë filluar, si pikat e përbashkëta kufitare “One Stop Shop” dhe rruga ndërmjet Prizrenit dhe Tetovës.