Pse po mbyllen institutet shkencore private në Maqedoninë e Veriut?

Kontrollet e punës së fakulteteve dhe universiteteve, mbyllja e disa instituteve shkencore dhe përgatitja e një pakoje të re ligjesh kohëve të fundit shkaktuan një lëvizje në arsimin e lartë, shkruan Radio Evropa e Lirë, transmeton Portalb.mk. Autoritetet presin që të gjitha këto procese, së bashku me rritjen e buxhetit, të kontribuojnë në përmirësimin e […]

Jan 16, 2025 - 08:00
 0  3
Pse po mbyllen institutet shkencore private në Maqedoninë e Veriut?
Universiteti Kirili dhe Metodi, foto: UKM

Kontrollet e punës së fakulteteve dhe universiteteve, mbyllja e disa instituteve shkencore dhe përgatitja e një pakoje të re ligjesh kohëve të fundit shkaktuan një lëvizje në arsimin e lartë, shkruan Radio Evropa e Lirë, transmeton Portalb.mk.

Autoritetet presin që të gjitha këto procese, së bashku me rritjen e buxhetit, të kontribuojnë në përmirësimin e cilësisë së arsimit të lartë në Maqedoninë e Veriut. Profesorët universitarë, nga ana tjetër, besojnë se për të ecur përpara nevojiten më shumë kuadro të reja, më shumë punime shkencore në revista të njohura botërore dhe mbështetje më e madhe nga shteti.

Mbyllja e Institutit për Hulumtime Shkencore LAOR në Tetovë javën e kaluar ishte rezultati i fundit i revizionit të cilin e bën Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH). Ky është instituti privat shkencor i gjashti me radhë të cilin ministrja Vesna Janevska njoftoi se do e mbyllë.

Mungesa e kuadrove dhe e programeve, arsyeja e mbylljes së instituteve shkencore

Në Tetovë u mbyll edhe Instituti i modës “Fashion Design”, si dhe disa institute të tjera në Shkup – Instituti i Ekonomisë së Biznesit, Instituti i Gjeobiologjisë, Arkeologjisë, Ujërave Nëntokësore dhe Ekologjisë, Instituti i Shkencës, Alternativës, Kulturës dhe Artit, si. si dhe Instituti për Zhvillim të Qëndrueshëm dhe Menaxhim të Ndryshimeve Klimatike “MILIEUCONTACT MAQEDONIA”.

Nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës për Radion Evropa e Lirë (REL) thanë se dy janë mbyllur për shkak se nuk kanë qenë aktiv për një periudhë të gjatë kohore, ndërsa katër janë mbyllur për shkak se nuk i plotësojnë kushtet për kryerjen e veprimtarisë hulumtuese-shkencore.

“Kryesisht për shkak se nuk kanë pasur një program me qëllime dhe aktivitete që zgjasin së paku 3 vjet, si dhe për shkak se nuk kanë punësuar kuadro adekuate – Instituti duhet të ketë të punësuar të paktën pesë hulumtues, dy prej të cilëve me doktoraturë dhe tre me magjistraturë, ose të paktën me arsim të lartë, si dhe të jenë të punësuar të rregullt me ​​orar të plotë”, thonë nga MASh-i.

Sipas ish-ministrit të arsimit dhe profesorit universitar nga Instituti i Fizikës në Fakultetin e Shkencave Natyrore dhe Matematikore pranë Universitetit “Sh. Kirili dhe Metodi”, Nenad Novkovski, proceset e këtilla duhet të shihen si procedurë e rregullt.

“Prandaj ka organe kompetente për akreditim që vlerësojnë nëse programe të caktuara janë cilësore, nëse duhet të miratohen, nëse duhet të funksionojnë dhe nëse duhet të vazhdojnë. Në këtë kuptim, kjo është një procedurë e rregullt për vlerësimin e cilësisë”, thekson Novkovski.

Me mbylljen e LAOR në Maqedoninë e Veriut mbetën funksion 29 institute të tjera shkencore private dhe 9 shtetërore.

Çfarë problemesh detektojnë profesorët?

Aktiviteti shkencor, si dhe i gjithë sistemi i arsimit të lartë në vend, së shpejti duhet të bëhen me një kornizë të re ligjore. Ministrja Janevska theksoi se grupi i punës në Këshillin Nacional është kah fundi me hartimin e Ligjit të ri për Arsimin e Lartë. E njëjta gjë, thotë ajo, vlen edhe për propozimet për Ligjin për Hulumtim Shkencor dhe Kornizën nacionale për kualifikimin e fushave, të cilat do të miratohen së bashku si paketë.

“Mendoj se Ligji i ri për Arsimin e Lartë dhe Ligji për Institucionet Shkencore, në të cilin po punojnë kolegët e mi, do të japin vërtet një kontribut të madh në përmirësimin e cilësisë së arsimit të lartë”, tha Janevska më 9 janar.

Krahas ligjeve të reja në veprimtarinë shkencore nevojiten edhe kuadro. Prorektorja për shkencë në Universitetin “Goce Dellçev” (UGD) në Shtip, Zdenka Stojanovska, nga Fakulteti i Shkencave Mjekësore, theksoi se për shumë vite me radhë nuk është bërë asgjë për angazhimin e kuadrove të reja, edhe pse sipas saj, më efektiv dhe kreativ janë shkencëtarët e rinj.

“Në fakultete diku ka nga 2-3 asistentë në 50 profesorë. Ky raport nuk është mjaft i mirë që të mund të pritet ndonjë përparim. Ne më të rriturit po punojmë për këtë, por nuk punojmë aq intensivisht sa kur ishim më të rinj. Kjo është gjëja e parë, politika e kuadrove”, tha Stojanovska .

Listës së problematikave ajo ia shton edhe publikimin e punimeve shkencore që njihen në mbarë botën, si SCPOPUS dhe Web of Science, sepse thotë se nuk duhet të ketë vetëm sasi, por duhet theksuar edhe ajo se ku dhe çfarë publikohet – publikimi i punimeve duhet të jetë i unifikuar.

Problemin të cilin e detekton edhe Novkovski është edhe mënyra se si funksionojnë hulumtimet shkencore. Ai thotë se projektet shkencore nacionale janë ndërprerë prej shumë vitesh dhe ajo që duhet të jetë prioritet është rivendosja e kësaj praktike dhe sistemi për hulumtime cilësore që në vete do të bartë edhe cilësi në arsimin e lartë.

“Pra, më lartë janë ata që kanë hulumtime më cilësore. Në këtë kuptim, për ta mbështetur arsimin e lartë është e nevojshme që të financohen projektet hulumtuese, duke filluar nga financimi nacional, i cili më tej do të jetë një bazë për tërheqjen e mjeteve edhe nga projektet ndërkombëtare”, shton Novkovski.

Kur bëhet fjalë për kuadrot të dy bashkëbiseduesit pajtohen se universitetet dhe fakultetet duhet të kenë më shumë liri gjatë punësimit të kuadrove të reja. Stojanovska është e mendimit se universitetet duhet të vendosin vetë se ku dhe për çfarë kuadrosh kanë nevojë, ndërkohë që një mesazh të ngjashëm dërgon edhe Novkovski.

“Nëse tashmë është konstatuar se një institucion duhet të ketë kaq edhe kaq hulumtues, kaq kuadër pedagogjik, atëherë duhet t’i ketë, nuk ka pse të kërkohet vazhdimisht pëlqim nga Ministria e Financave, por pas largimit apo pensionimit ato boshllëqe të plotësohen. Kjo është ajo që duhet të parashihet në zgjidhjet e reja ligjore”, thotë ky profesor universitar.

Sipas asaj që prezantoi MASh-i në vitin 2025 Maqedonia e Veriut do të sigurojë 680 milionë denarë për shkencë, për dallim nga 380 milionë denarë që u ndanë vitin e kaluar.

Në arsimin e lartë do të ketë edhe një buxhet më të madh për pagat sepse në përputhje me marrëveshjet kolektive dhe zgjidhjet ligjore punonjësit mësimdhënës në institucionet arsimore do të marrin për 14% paga më të larta duke filluar nga ky muaj, ndërsa punonjësit administrativ do të marrin 8%.

Sipas analizës së realizuar nga Instituti Ballkanik për Bashkëpunim Rajonal (BIRC) vitin e kaluar Maqedonia e Veriut dhe vendet e tjera të Ballkanit “në përgjithësi kanë investime të ulëta në shkencë”, për dallim nga vendet e BE-së.

Nga BIRC theksojnë se në Maqedoninë e Veriut shpenzimet për hulumtim dhe zhvillim mbetën rreth 0,4% të PVB-së në periudhën për të cilën janë të disponueshme të dhënat, pra nga viti 2015 deri në vitin 2020.