Prokurorët nga Ballkani Perëndimor dhe Amerika e Jugut do të luftojnë krimin së bashku
Prokurorët publikë nga Ballkani Perëndimor dhe Amerika e Jugut do të luftojnë krimin ndërkombëtar së bashku, transmeton Portalb.mk. Prokurorë të ndryshëm nga këto rajone janë duke marrë pjesë në një konferencë në kryeqytetin Lima të Perusë ku synojnë forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar në luftën kundër krimit të organizuar. Prokuroria Publike e RMV-së njoftoi se në […]


Prokurorët publikë nga Ballkani Perëndimor dhe Amerika e Jugut do të luftojnë krimin ndërkombëtar së bashku, transmeton Portalb.mk.
Prokurorë të ndryshëm nga këto rajone janë duke marrë pjesë në një konferencë në kryeqytetin Lima të Perusë ku synojnë forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar në luftën kundër krimit të organizuar.
Prokuroria Publike e RMV-së njoftoi se në takimin “Rrjeti për rezultate: Forcimi i bashkëpunimit ndërkufitar ndërmjet prokurorëve publikë nga Ballkani Perëndimor dhe Amerika e Jugut në fushën e krimit të organizuar”, po ndërmerren hapa seriozë drejt fuqizimit të aktiviteteve të përbashkëta për të shtypur rrjetet kriminale ndërkombëtare.
Nga RMV-ja përfaqësuese e Prokurorisë Publike të Republikës së Maqedonisë së Veriut është prokurorja publike Lençe Ristovska.
“Pavarësisht distancës sonë gjeografike, si Amerika e Jugut ashtu edhe Ballkani Perëndimor përballen me sfida të ngjashme: një histori konflikti, paqëndrueshmëri politike, pabarazi ekonomike, prania e korrupsionit dhe rrënjosje e rrjeteve të krimit të organizuar që lulëzojnë në kushte të tilla cenueshmërie. “Pikërisht për shkak të këtyre përvojave të përbashkëta, bashkëpunimi ndërmjet rajoneve tona nuk është vetëm i dëshirueshëm, por edhe thelbësor”, tha Ristovska.
Veprimtaria, e organizuar bashkërisht nga Projekti i Drejtësisë Penale në Ballkanin Perëndimor Eurojust dhe EL PACTO 2.0, përfshin diskutime mbi tendencën dhe strukturën e krimit, strategjitë për shtypjen e tij, prezantime ekspertësh mbi kërcënimet në rritje, tryeza të rrumbullakëta mbi sfidat ligjore dhe operacionale, si dhe takime dypalëshe për të promovuar bashkëpunimin e drejtpërdrejtë midis vendeve dhe shkëmbimin e përvojave në raste specifike.