Prokuroria e Shkupit zgjeroi hetimet edhe ndaj prindërve të Vasil Jovanovit

Prokuroria e Shkupit i shtrin hetimet edhe ndaj prindërve të Vasil Jovanovit, i cili në rrugën “Aradhat Partizane” të Shkupit, nën efektin e alkoolit, ka shkelur Frosinën teksa kapërcente një vendkalim për këmbësorë, transmeton Portalb.mk. Prokuroria tashmë ka deklaruar se do të kërkojë dënimin më të ashpër për Jovanovin, i cili aktualisht ndodhet në burgun […]

shkurt 5, 2025 - 15:00
 0  8
Prokuroria e Shkupit zgjeroi hetimet edhe ndaj prindërve të Vasil Jovanovit
Protesta për vdekjen e Frosina Kulakovës në aksident. Foto: Portalb.mk

Prokuroria e Shkupit i shtrin hetimet edhe ndaj prindërve të Vasil Jovanovit, i cili në rrugën “Aradhat Partizane” të Shkupit, nën efektin e alkoolit, ka shkelur Frosinën teksa kapërcente një vendkalim për këmbësorë, transmeton Portalb.mk.

Prokuroria tashmë ka deklaruar se do të kërkojë dënimin më të ashpër për Jovanovin, i cili aktualisht ndodhet në burgun hetimor në Shutkë.

Kryeprokurori i Shkupit, Gavril Bubevski, në një konferencë për media sqaroi se veprën e konsiderojnë si me dashje dhe se pas ekspertizës do të pasohet kallëzim përkatës penal.

Babai i Frosinës, i cili dje ishte mysafir në “Tema e ditës” në Sitel, tha se familja e tij kërkon dënimin më të lartë.

Sipas tij, Vasili ka lëvizur me shpejtësi. Ai tha se nuk sheh asnjë pendim nga ana e shoferit apo familjarëve të tij dhe se nuk do të donte të takohej me ta, as me gjyqtaren që paraprakisht vendosi që Vasili të shkonte në shtëpinë e të miturve për një vepër të lidhur me drogë edhe pse ai ishte i rritur.

Këshilli Gjyqësor nga ana tjetër tashmë ka filluar shqyrtimin e rasteve të mëparshme gjyqësore kundër Vasil Jovanov. Do të konstatohet nëse ka pasur lëshime në procedurat e mëparshme që janë zhvilluar ndaj 20-vjeçarit.

Për këtë informoi sot kryetari i Këshillit Gjyqësor, Aleksandar Kambovski, i cili shtoi se në lidhje me rastin, ky organ do të veprojë sipas të gjitha komenteve të opinionit.

“Kemi filluar me shqyrtimin e lëndëve dhe nesër formalisht do të formohet një komision nga Këshilli Gjyqësor dhe pas këqyrjes së të gjitha atyre dosjeve do të dalim me mendim nëse ka pasur lëshim apo jo. Të gjitha vërejtjet që janë bërë publike do të shqyrtohen dhe do të veprohet sipas të gjithave”, tha Kambovski.

Në korrik të vitit të kaluar, Gjykata Themelore Penale ndaj Vasil Jovanovit shqiptoi masë edukative dhe e dërgoi në institucionin korrektues në Tetovë nga procedura në të cilën ishte gjykuar për prodhim dhe shpërndarje të paautorizuar të narkotikëve dhe prekursorëve.

Ndryshe, Frosina Kulakova ka ndërruar jetë më 29 janar pasi ishte goditur me veturë në një vendkalim për këmbësor nga 20-vjeçari . Prokuroria kishte sqaruar që  paraprakisht është bërë kallëzim edhe për një aksident tjetër të ndodhur më 04.11.2022 nga po i njëjti person, pas së cilës një person ka mbetur i lënduar.

Para vendkalimit të këmbësorëve të rregulluar me semaforë që punonin në rregull në momentin e aksidentit, ai ka vazhduar lëvizjen me semafor të kuq të ndezur dhe ka goditur trupin e këmbësores-viktimës Frosina Kulakova me pjesën e përparme të majtë të veturës.