Prokuroria ngriti aktakuza kundër 31 personave fizikë dhe 5 juridikë në rastin “Aditiv”
Në bazë të materialit dëshmues të mbledhur gjatë procedurës hetimore, prokurorët publikë të lëndës nga Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, sot kanë dorëzuar aktakuzë në Gjykatën Themelore Penale – Shkup kundër 31 personave fizikë dhe pesë personave juridikë. Sipas pretendimeve në dispozitiv, i pandehuri i parë ka kryer veprën […]


Në bazë të materialit dëshmues të mbledhur gjatë procedurës hetimore, prokurorët publikë të lëndës nga Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, sot kanë dorëzuar aktakuzë në Gjykatën Themelore Penale – Shkup kundër 31 personave fizikë dhe pesë personave juridikë. Sipas pretendimeve në dispozitiv, i pandehuri i parë ka kryer veprën e keqpërdorimit në shërbim, ndërsa gjashtë të tjerë akuzohen për veprat e Shoqatës Kriminale dhe Keqpërdorimit të procedurës së thirrjes publike, dhënies së kontratës për prokurim publik ose partneritet publik privat, katër prej tyre akuzohen edhe për veprën e pastrimit të parave dhe produkteve të tjera të veprës penale, transmeton Portalb.mk.
“Dymbëdhjetë persona akuzohen për kryerjen e veprës penale Bashkim kriminal dhe veprës penale të vazhdueshme të keqpërdorimit të pozitës dhe autoritetit zyrtar dhe dy prej tyre kanë kryer edhe veprën penale të pastrimit të parave dhe të produkteve të tjera penale. Katër persona akuzohen për kryerjen e veprave penale Bashkim kriminal dhe pastrim të parave dhe produkteve të tjera nga vepër penale, ndërsa katër kanë kryer veprën e zgjeruar penale të Keqpërdorimit të pozitës dhe autoritetit zyrtar. Katër personat e tjerë akuzohen për veprën penale të pastrimit të parave dhe të produkteve të tjera të veprës penale”, njofton Prokuroria.
Personat juridikë penalisht përgjegjës akuzohen për kryerjen e veprës penale të pastrimit të parave dhe produkteve të tjera nga vepër penale, dhe dy prej tyre janë vepra penale të vazhdueshme të Keqpërdorimit të procedurës për thirrje publike, dhënie e kontratës për prokurim publik ose partneritet publiko-privat.
Në periudhën nga prilli i vitit 2023 deri në gusht të vitit të kaluar, disa nga të pandehurit në cilësinë e zyrtarëve kanë krijuar një grup, qëllimi i të cilit ishte kryerja e veprave penale Shpërdorimi i procedurës për thirrje publike, dhënie e kontratës për prokurim publik ose partneritet publik privat, keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar dhe pastrim i parave dhe produkteve të tjera të veprës penale. Ndërkohë, disa nga të pandehurit e tjerë u bënë anëtarë të këtij grupi, me qëllim që të përfitonin për vete ose të tjerët një përfitim të madh pasuror ose për të shkaktuar dëme të mëdha. Duke bashkëpunuar me pjesëmarrësit e tjerë të mundshëm për të mashtruar procedurën për dhënien e kontratave për prokurim publik, me vetëdije kanë shkelur rregulloren për procedurën e thirrjes publike, dhënies së kontratës për prokurim publik ose partneritet publiko-privat.
“Drejtuesit e akuzuar dhe pronarët e personave juridikë, pas organizimit dhe kryerjes së riregjistrimit të veprimtarisë së subjekteve të tyre juridike, si operator ekonomik – pjesëmarrës në procedurë, reciprokisht janë pajtuar që të mashtrojnë procedurat për blerjen e aditivit të thëngjillit për nevojat e SHA EMV – Ndërmarrja e Re REK Manastir dhe filial REK Oslomej. Në mënyrën e përshkruar në dispozitiv të aktakuzës, i kanë mundësuar personit juridik përgjegjës penal të marrë Marrëveshjen e Prokurimit Publik për blerjen e aditivëve kundër formimit të skorjes gjatë djegies së thëngjillit në kazan, aditiv RPT 601, për nevojat e REK Manastir dhe të REK Oslomej, të fitojë pasuri në masë të madhe edhe atë 397.636.400,00 denarë”, shtojnë nga Prokuroria.
Po ashtu, me qëllim të fshehjes së lëvizjes së parave për të cilat kanë ditur se është përfituar me veprën penale të Keqpërdorimit të procedurës së thirrjes publike, dhënies së kontratës për prokurim publik ose publiko-privat, disa nga të akuzuarit anëtarë të shoqatës kriminale dhe disa nga të akuzuarit e tjerë kanë marrë para, i kanë vënë në qarkullim, kanë kryer transferimin e parave dhe kanë tërhequr gjithsej 414.776.400 denarë.
Prokuroria me aktakuzë i propozoi gjykatës konfiskimin e sendeve të luajtshme (telefona, pajisje elektronike dhe pajisjes memorie) që janë përdorur në kryerjen e krimeve, ndërsa me propozim të veçantë kërkohet konfiskimi i parave të gatshme dhe i pasurisë së paluajtshme në pronësi të të pandehurve dhe personave të tretë. Njëkohësisht është paraqitur propozim për vazhdimin e masës së paraburgimit ndaj nëntë të pandehurve dhe masës së arrestit shtëpiak ndaj një të pandehuri.
Aksioni me emrin e koduar “Aditiv”, u krye më 10 dhjetor 2024. Më 11 dhjetor 2024, me propozim të Prokurorisë Publike të NKOK-së, Gjykata Penale e Shkupit caktoi 30 ditë paraburgim për tetë të dyshuar. Në mesin e tyre është edhe ish-drejtori i EMV-së, Vasko Stefanov.