Prokuroria ngriti aktakuzë kundër dy vëllezërve nga Haraçina, akuzohen për vrasje dhe tentim-vrasje
Pas hetimit të kryer, prokurori publik nga Prokuroria Themelore Publike në Shkup sot ngriti aktakuzë kundër dy personave të cilët, si bashkëkryerës, akuzohen për kryerjen e një vepre penale – Vrasje sipas nenit 123, paragrafi 2, pika 1, dhe një vepre tjetër penale – Vrasje në tentativë sipas nenit 19 të Kodit Penal, transmeton Portalb.mk. […]


Pas hetimit të kryer, prokurori publik nga Prokuroria Themelore Publike në Shkup sot ngriti aktakuzë kundër dy personave të cilët, si bashkëkryerës, akuzohen për kryerjen e një vepre penale – Vrasje sipas nenit 123, paragrafi 2, pika 1, dhe një vepre tjetër penale – Vrasje në tentativë sipas nenit 19 të Kodit Penal, transmeton Portalb.mk.
“Gjatë hetimit, u siguruan prova që konfirmojnë se më 1 nëntor 2024, në Haraçinë, dy vëllezër, të moshës 23 dhe 31 vjeç, me paramendim dhe në mënyrë tinzare vranë një person dhe tentuan të vrisnin një tjetër. Të pandehurit ranë dakord me dy palët e dëmtuara – babanë dhe djalin – që të takoheshin dhe të diskutonin një borxh të supozuar prej 7,000 eurosh. Ata mbërritën në vendin e rënë dakord me makinë, por pas një bisede të shkurtër, njëri nga të pandehurit nxori një armë zjarri – një pistoletë – dhe filloi të qëllonte drejt viktimave. Babai i plagosur vdiq nga plagët e shkaktuara nga arma e zjarrit, ndërsa djali i tij pësoi lëndime të rënda trupore”, thonë nga Prokuroria.
Prokurori Publik i paraqiti gjithashtu propozim Gjykatës Themelore Penale në Shkup për zgjatjen e masës së paraburgimit të përcaktuar më parë për dy të pandehurit, pasi që ende ekzistojnë bazat ligjore për masën më të rreptë të sigurisë.
Kujtojmë se Njësia për Krime të Dhunshme SPB Shkup, pas aktiviteteve dhe masave të ndërmarra në lidhje me këtë vepër penale, më 3 nëntor konstatoi identitetin e autorëve, përkatësisht Sh.Sh (23) nga fshati Haraçinë dhe E.Sh. (31) nga fshati Haraçinë, ndërsa nga të njëjtit me armë zjarri u vra S.A. (56) nga fshati Haraçinë ndërsa H.A. (20) nga fshati Haraçinë pësoi lëndime me armë zjarri.