Protestat e opozitës, Veliaj: Kur vjen fushata xhirojnë gomat, kur humbin djegin goma
Drejtuesi Politik i PS për Qarkun e Tiranës, Erion Veliaj shpreh bindjen se Partia Socialiste do të marrë një tjetër fitore në zgjedhjet e 2025-s. Gjatë takimit me strukturat e Njësisë 9, Veliaj tha se PS nuk ka kohë të humbë me hallet e ‘non gratës’. “Për sa kohë ne fokusohemi tek hallet e njerëzve […]
Drejtuesi Politik i PS për Qarkun e Tiranës, Erion Veliaj shpreh bindjen se Partia Socialiste do të marrë një tjetër fitore në zgjedhjet e 2025-s. Gjatë takimit me strukturat e Njësisë 9, Veliaj tha se PS nuk ka kohë të humbë me hallet e ‘non gratës’.
“Për sa kohë ne fokusohemi tek hallet e njerëzve dhe jo tek hallet e Saliut, unë besoj se i kemi bërë një nder të madh vendit. Çdo minutë që humbasim me non-gratat, me këta vulë-humburit, me këta që djegin shtëpinë e tyre, është një minutë që kemi humbur për shtëpitë e njerëzve, për hallet e njerëzve dhe për punët që u kemi premtuar njerëzve. Ndaj, motra dhe vëllezër, kokën lart, mëngët përveshur dhe gati për një betejë tjetër në 2025”, siguroi ai.
Veliaj deklaroi se një parti që djeg selinë e saj, nuk mund të merret me hallet e qytetarëve.
“Ne duhet të flasim politikisht me njerëzit dhe ata duhet ta dinë qartë se ne nuk jemi për të zgjidhur hallet e Saliut, hallet e non-gratës, hallet e vulës. Pra, një parti që shkon dhe djeg selinë e vet dhe një parti që theret me njëri-tjetrin për vulën, janë halle banale të një grupi shumë të vogël njerëzish. Nuk janë këto hallet e njerëzve normalë. Hallet e njerëzve normalë janë infrastruktura, pastrimi, janë shkollat e reja, kopshti, çerdhet; këto janë hallet e njerëzve normalë”, shtoi ai.
Sipas tij, PD është një parti që e ka lidhur filozofinë e vet me gomat.
“E keni vënë re? Kur vjen fushata, xhirojnë gomat; pastaj, kur kanë humbjen e radhës, djegin goma. Unë e kuptoj një parti që ka lidhje për shembull, me librat, ose me artin dhe kulturën, por një parti që e ka lidhur filozofinë e vet me gomat – pra, ose xhirim gome në fushatë, ose djegie gomash në humbje – është një çudi shumë e madhe. Pse nga 100 parti njerëzit zgjedhin PS? Njerëzit e mirë, njerëzit e mençur, njerëzit e ditur, njerëzit punëtorë, njerëzit e ndershëm, njerëzit që besojnë se ky vend mund të bëhet nëse secili jep kontributin e vet, shkojnë te e vetmja forcë që ka bërë shtet, që ka bërë qytet dhe sot i ka ngritur kokën këtij vendi”, u shpreh Veliaj.