Qeveria e RMV-së propozoi që huamarrja prej gjysmë miliard eurosh nga Hungaria të kalojë me procedurë të shkurtuar
Projektligji për huamarrjen e Republikës së Maqedonisë së Veriut prej 500 milionë euro nga Banka Hungareze e Eksport-Importit arriti në Kuvend. Qeveria propozon që ky akt të kalojë me procedurë të shkurtuar. Në letrën shoqëruese, me të cilën kryeministri Hristijan Mickoski e dërgon projektligjin në Kuvend, shkruan se tekstin e projektligjit Qeveria e ka përcaktuar […]
Projektligji për huamarrjen e Republikës së Maqedonisë së Veriut prej 500 milionë euro nga Banka Hungareze e Eksport-Importit arriti në Kuvend. Qeveria propozon që ky akt të kalojë me procedurë të shkurtuar. Në letrën shoqëruese, me të cilën kryeministri Hristijan Mickoski e dërgon projektligjin në Kuvend, shkruan se tekstin e projektligjit Qeveria e ka përcaktuar në seancën e mbajtur më 3 shtator, saktësisht një javë më parë. Por opinioni deri më tani nuk ishte i informuar për këtë. Në njoftimin e dërguar për media pas seancës së 3 shtatorit, nuk flitet as edhe një fjalë për kredinë nga Hungaria, raporton 360 Gradë, transmeton Portalb.mk.
Me projektligjin, në Kuvend është dërguar teksti i marrëveshjes për kredinë që do të lidh Republika e Maqedonisë së Veriut, e përfaqësuar nga ministrja e Financave Gordana Dimitrieska-Koçoska dhe Banka hungareze e eksport-importit.
Në projektligj ndër të tjera thuhet:
- Huaja nga neni 1 i këtij ligji do të tërhiqet në një këst;
- Afati i shlyerjes së kredisë nga neni 1 i këtij ligji është 15 vjet, duke përfshirë një “grace period” prej tre vjetësh;
- Norma e interesit është fikse dhe është 3.25%;
- Republika e Maqedonisë së Veriut do t’i paguajë Bankës hungareze për eksport-import, shoqëri private me përgjegjësi të kufizuar, komision për mjetet e patërhequra në shumën prej 0,5% të kredisë në vit;
- Komisioni për fondet e patërhequra do të llogaritet në baza ditore mbi pjesën e patërhequr të kredisë, e llogaritur nga data e disponueshmërisë së fondeve dhe do të paguhet në ditën e parë të punës pas përfundimit të periudhës së disponueshmërisë;
- Kredia nga neni 1 i këtij ligji do të shlyhet me 24 këste gjashtëmujore, në datat 15 shkurt dhe 15 gusht të çdo viti.
Në arsyetimin e projektligjit thuhet gjithashtu: “Përveç kësaj, Republika e Maqedonisë së Veriut do t’i paguajë një komision për shërbimet e kryera juridike një firme të pavarur të përzgjedhur nga Banka hungareze e eksport-importit, një kompani private me përgjegjësi të kufizuar. Komisioni për shërbimet e kryera juridike do të paguhet përpara tërheqjes së këstit”.
Qeveria njoftoi se gjysma e kredisë do të përdoret për financimin e projekteve për komunat në vend, ndërsa gjysma do të jetë kredi e favorshme për kompanitë private.
Lajmi se Hungaria do t’i japë hua Maqedonisë së Veriut gjysmë miliardë euro, u bë e ditur pas takimit të kryeministrave Viktor Orban dhe Hristijan Mickoski më 11 korrik në Uashington, në margjinat e Samitit të NATO-s.
“Duke qenë se ne po krijojmë një bashkëpunim të veçantë ekonomik, do të thotë që në të ardhmen kur të ketë nevojë për një gjë të tillë, do të mund t’i drejtohemi sërish partnerit tonë të veçantë ekonomik, që është qeveria hungareze dhe të kërkojmë mbështetje shtesë që do të jetë e nevojshme për ekonominë e Maqedonisë”, tha Mickoski në një video-fjalim pas takimit.
Përndryshe, më 26 korrik të këtij viti, “Politiko” njoftoi se Hungaria ka marrë hua një miliardë euro, që është kredia më e madhe ndonjëherë për Budapestin, nga tre banka kineze këtë pranverë. Kredia nga Banka Kineze për Zhvillim, Banka e Eksport-Importit të Kinës, si dhe nga dega hungareze e Bankës së Kinës, është tërhequr plotësisht më 19 prill të këtij viti dhe duhet të shlyhet brenda tre vjetësh. “Politiko” deklaroi se autoritetet në Budapest nuk e publikuan informacionin. Fillimisht është bërë e ditur nga botimi i “Portfolio” dhe më pas është konfirmuar nga agjencia qeveritare përgjegjëse për borxhin.
“Politiko” shtoi se borxhi publik i Hungarisë është në një nivel rekord prej 140 miliardë euro (73.5 për qind e PBB-së), dhe deficiti buxhetor është 6.7 për qind e PBB-së, kështu që Budapesti ka nevojë të dëshpëruar për para. Në rrethana të tilla, Orban vendosi t’i japë hua Maqedonisë së Veriut gjysmë miliardë euro.
Informatat nga Budapesti për një kredi prej një miliard eurosh nga Kina erdhën në kohën kur kryeministri Hristijan Mickoski paralajmëroi një kredi prej gjysmë miliardë eurosh nga Hungaria. Konkretisht, informacionet fillestare ishin se kredia do të ishte një miliardë euro, aq sa kredia hungareze nga Kina, ndërsa Mickoski e plasoi atë më 9 maj, ose njëzet ditë pasi Hungaria mori kredinë nga Kina.
Kryeministri Hristijan Mickoski në fushatën parazgjedhore kishte premtuar marrjen e borxhit prej një vendi të huaj, duke e mbajtur të fshehur se për cilin shtet bëhet fjalë. Ai kishte paralajmëruar nismën e re për zhvillimin e komunave në vend duke siguruar 250 milionë euro.