Qindra bujq të Tetovës ende nuk i kanë marrë dëmshpërblimet nga reshjet e viteve të fundit
Rreth 500 bujq nga rajoni i Tetovës nuk kanë marrë ende dëmshpërblimet për dëmet që u shkaktuan nga reshjet në vitin 2023 dhe 2024, shkruan Portalb.mk. Kjo për shkak se Komisioni i Qeverisë i cili është shkalla e fundit i ka kthyer dokumentet e parashtruara nga Komuna e Tetovës si të pakompletuara. Bujqit ankohen sepse […]


Rreth 500 bujq nga rajoni i Tetovës nuk kanë marrë ende dëmshpërblimet për dëmet që u shkaktuan nga reshjet në vitin 2023 dhe 2024, shkruan Portalb.mk.
Kjo për shkak se Komisioni i Qeverisë i cili është shkalla e fundit i ka kthyer dokumentet e parashtruara nga Komuna e Tetovës si të pakompletuara.
Bujqit ankohen sepse në prag të sezonit të të mbjellave nuk munden të sigurojnë materialet e nevojshme.
“Ne nga ai dëm që patëm jemi në humbje, sepse as gjysmën sivjet nuk e mbërrijmë ta mbjellim sepse nuk kemi buxhet. Nëpër barnatore bujqësore kemi marrë me borxh, tani nuk kemi tua kthejmë paratë dhe s’na japin më”, u shpreh një bujk.
Ata kërkojnë që të marrin kompensimin sa më parë.
“Nuk kemi para të nisim me mbjellje. Kemi marrë hua në barnatore, s’na japin më se vitin e kaluar kemi humb krejt totalisht. Komuna thotë problemi është në Shkup, ata thonë në komunë të Tetovës, zëvendës ministri thotë si dërgojnë dokumentet në Qeveri për dëmshpërblimet. Na rrejtën na thanë për vit të ri do lëshohen por një Zot e di cilin vit të ri”, tha një tjetër bujk.
Fatmir Sabriu nga Komisioni qeveritar për kompensimin e dëmeve në bujqësi tha se përveç që nuk është përcaktuar vlera e përgjithshme e dëmit, po ashtu lënda nuk është e kompletuar edhe në bazë të metodologjisë dhe tabelat që janë pjesë përbërëse e metodologjisë, nuk janë plotësuar në përputhje me atë që e kërkon ligji.
“Ka edhe komuna të tjera që kanë të njëjtin problem, me kompletimin e lëndës në bazë të metodologjisë, është Velesi, Dollneni, Gjevgjelia e tjera”, tha Fatmir Sabriu, Komisioni qeveritar për kompensimin e dëmeve në bujqësi”, tha Sabriu.
Sipas Komunës së Tetovës dokumentacioni tashmë është në fazën përfundimtare.
“Nga komisioni na njoftuan se janë duke finalizuar disa detaje në lidhje me metodologjinë, raporti përfundimtar është në fazën e fundit, sigurisht që ky proces ka shkuar sipas standardeve dhe afatit kohor. Në momentin që plani përfundimtar do të jetë gati, do të dorëzohet deri te komisioni për vlerësimin e dëmeve në Shkup” tha zëdhënësja e Komunës së Tetovës, Besarta Ramadani.
Ndryshe, në Tetovë të dëmtuar janë rreth 560 qytetarë që merren me bujqësi. Dëme nga vërshimet kanë edhe amvisëritë.