Qytetarët në RMV u dhanë gjykatave “tresh” për shërbimet e marra
Nga një deri në pesë, mesatarja e vlerësimit që qytetarët i japin gjykatave është 3.1, sipas sondazhit të koalicionit “Të gjithë për gjykim të drejtë”, me nismë të Shoqatës së Gjyqtarëve, i cili u prezantua sot në Gjykatën Themelore Penale të Shkupit. Anketa, siç tregohet, nuk i referohet besimit të qytetarëve në gjyqësor, por përvojës […]
Nga një deri në pesë, mesatarja e vlerësimit që qytetarët i japin gjykatave është 3.1, sipas sondazhit të koalicionit “Të gjithë për gjykim të drejtë”, me nismë të Shoqatës së Gjyqtarëve, i cili u prezantua sot në Gjykatën Themelore Penale të Shkupit. Anketa, siç tregohet, nuk i referohet besimit të qytetarëve në gjyqësor, por përvojës së tyre personale dhe kënaqësisë me shërbimet që kanë marrë nga gjykatat, transmeton Portalb.mk.
Anketa është bërë vitin e kaluar në dhjetor dhe ka matur përvojën personale të qytetarëve që kanë qenë palë në gjykata, si të pandehurve, të dëmtuarve, prokurorëve publikë, avokatëve, por edhe qytetarëve që kanë ardhur për të marrë ndonjë lloj vërtetimi. Anketimet janë zhvilluar në Gjykatën Themelore Penale Shkup, në Gjykatën Civile në Shkup, në Gjykatën e Apelit dhe në Gjykatën Supreme.
Sipas rezultateve të anketës, e cila, siç tha Darko Andonovski nga koalicioni “Të gjithë për gjykim të drejtë”, është e para e këtij lloji, qytetarët janë më të kënaqur me shërbimet që kanë marrë nga policia gjyqësore. Ajo ka marrë notën mesatare prej 4.1 në shkallën nga 1 deri në 5.
Nota për gjyqtarët është 3.43, ndërsa kënaqësia me shërbimin që qytetarët kanë marrë nga zyrtarët e gjykatës është vlerësuar me 3.46.
Kur bëhet fjalë për korrupsionin në gjyqësor, 9 përqind e të anketuarve kanë thënë se u është kërkuar dhe paguar ryshfet për t’iu kryer një favor të caktuar. Shtatë përqind refuzuan t’i përgjigjen kësaj pyetjeje. Perceptimi i qytetarëve për luftën kundër korrupsionit në gjykata mbetet i ulët dhe një pjesë e madhe e tyre mendojnë se është në nivel të ulët në gjykata.
Ndryshe, qytetarët kanë dhënë pikën më të ulët sa i përket kënaqshmërisë me shërbimet për shpejtësinë e marrjes së shërbimit. Këtu, rezultati mesatar është 2, me shumë njësi në kategoritë që janë përfshirë në anketën, e cila është realizuar me 1100 të anketuar.
Ministri i Drejtësisë Igor Filkov, i cili ishte i pranishëm në prezantim, rezultatet i vlerësoi si katastrofike, pa dhënë një shpjegim më të gjerë.
Kryetari i Gjykatës Themelore Penale, Ivan Xholev nga ana tjetër, i cili është edhe kryetar i Shoqatës së Gjyqtarëve, konsideron se rezultatet e anketës janë të mira dhe paraqesin bazë të mirë për hulumtime të mëtutjeshme dhe përmirësime në punën e gjykatave dhe rritje besimin e qytetarëve tek ata. Xholev, i cili si prezantues e kishte fjalën hyrëse të prezantimit të sotëm, iu referua pikërisht besimit në gjyqësor.
Përqindja prej dy përqind e besimit që, siç tha ai, përdoret shpesh për të evidentuar situatën e keqe në gjyqësor dhe që rezulton nga një sondazh i IRI-t nga viti 2023, nuk pasqyron situatën reale. Siç tha ai, në këtë anketë besimi absolut në gjyqësor është dy përqind, por nuk merret parasysh besimi relativ që është 18 përqind.