Radev: Dëshira e Maqedonisë së Veriut për dialog është shenjë pozitive
Republika e Maqedonisë së Veriut duhet të tregojë se me të vërtetë dëshiron të jetë pjesë e një Evrope të bashkuar duke përmbushur të gjitha kërkesat e vendosura nga BE-ja, ashtu siç ishte për çdo shtet anëtar, u tha gazetarëve në Romë presidenti bullgar Rumen Radev, transmeton Portalb.mk. Mesazhi im për presidenten e Republikës së […]
Republika e Maqedonisë së Veriut duhet të tregojë se me të vërtetë dëshiron të jetë pjesë e një Evrope të bashkuar duke përmbushur të gjitha kërkesat e vendosura nga BE-ja, ashtu siç ishte për çdo shtet anëtar, u tha gazetarëve në Romë presidenti bullgar Rumen Radev, transmeton Portalb.mk.
Mesazhi im për presidenten e Republikës së Maqedonisë së Veriut është se Bullgaria pret një ndryshim sa më të shpejtë në retorikë dhe përfundimisht të ndalojë përdorimin e gjuhës së urrejtjes, tha Radev.
Sipas Radevit, për shkak të programit të ngjeshur, delegacioni bullgar nuk ka mundur të takohet me delegacionin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, i cili po qëndron në Romë dhe udhëhiqet nga presidentja Gordana Siljanovska-Davkova.
“Është shenjë pozitive që presidentja e Republikës së Maqedonisë së Veriut ka shfaqur dëshirën për një takim të tillë”, u përgjigj Radev i pyetur nëse është kërkuar takim mes tij dhe Siljanovska-Davkovës në Romë.
Pres, theksoi Radev, që një takim të tillë të ketë së shpejti. I pyetur nëse e fton Siljanovska-Davkovën në Bullgari, Radev u përgjigj: “E ftoj atë, sigurisht”.
“Mendoj se dëshira e Republikës së Maqedonisë së Veriut për dialog është shenjë pozitive. Vetëm përmes dialogut do të forcojmë besimin e ndërsjellë, do të zgjidhim të gjitha çështjet e diskutueshme dhe do të hapim derën e RMV-së drejt BE-së. Shpresoj dhe apeli im është që ky takim të ndodhë një orë më shpejt. Është radha e presidentes së RMV-së, nëse nuk gaboj, të vijë në Bullgari”, tha Radev.
Presidentja Gordana Siljanovska Davkova kryeson delegacionin shtetëror në Romë dhe në Vatikan. Kjo është vizita e saj e parë jashtë vendit pas marrjes së detyrës në maj 12.
Kujtojmë se në mënyrë që të fillojnë bisedimet e anëtarësimit me BE-në, RMV-ja duhet të ndryshojë kushtetutën.
Ndryshimet kushtetuese nënkuptojnë shtimin e bullgarëve dhe kombeve tjera në Kushtetutë. Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare. Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese.
Në fillim të muajit prillit, komisioneri Evropian për Zgjerimin dhe Çështjet e Fqinjësisë Oliver Varheyi deklaroi se nuk pret ndonjë ndryshim në kuadrin negociator, përveç realizimin e ndryshimeve kushtetuese.