Rama takim me strukturat e PS: Nëse hyjmë në BE, gjithçka shumëfishohet sa hap e mbyll sytë
Kryeministri Edi Rama zhvilloi ditën e sotme një takim me asambletë socialiste të njësive 8, 9 dhe 11 në Tiranë. Gjatë fjalës së tij, Rama u ndal te procesi e integrimit të Shqipërisë në BE dhe u shpreh se këto zgjedhje janë të rëndësishme për PS-në, pasi bëhen në momentin kur vendit tonë i është […]

Kryeministri Edi Rama zhvilloi ditën e sotme një takim me asambletë socialiste të njësive 8, 9 dhe 11 në Tiranë.
Gjatë fjalës së tij, Rama u ndal te procesi e integrimit të Shqipërisë në BE dhe u shpreh se këto zgjedhje janë të rëndësishme për PS-në, pasi bëhen në momentin kur vendit tonë i është hapur mundësia për t’u bërë pjesë e Bashkimit Europian.
Rama: “BE ka dy kategori vendesh, vendet kontribuuese dhe ato përfituese. Këto të fundit janë vende të reja që marrin nga ajka e përbashkët, për të avancuar dhe të bëhen sit ë tjerë. Është një familje shtetesh dhe kjo është arsyeja pse vendet që kanë hyrë në BE pas rënies së komunizmit janë ku e ku të zhvilluara nëse nuk do të ishin në BE.
Nëse hyjmë në BE mundësitë për të përmirësuar infrastrukturën shumëfishohen sa hap e mbyll sytë. Mundësitë për bujqit dhe fermerët shumëfishohen sa hap e mbyll sytë. Nëse duam të kapim trenin e zhvillimit dhe te kemi universitetet tonë sit ë BE është e pamundur nëse nuk hyjmë në BE. E njëjta gjë vlen për të gjitha fushat.
Fondet e BE janë të pagjetshme nëse nuk je anëtar i asaj familjeje. Është njësoj si të hysh nuse apo dhëndër në një familje, pasi ke qenë jetim. Ky është 11 maji për fëmijët tanë, për të gjithë ata që janë ende sot aktive, sepse na duhen 2026 dhe 2027 për të mbyllur negociatat dhe për të futur Shqipërinë në BE. Në momentin që bëhet ratifikimi i parë, ne mund të shkojmë te çdo monument, që nga ai këtu në shesh, edhe t’i themi; u bë kjo punë”, tha Rama.
Rama foli gjithashtu edhe për arrestimin e kryebashkiakut Erion Veliaj dhe për drejtësinë në pesë vjeçarin e fundit në vend.
“Në këtë proces të dretësisë ka gjëra që nuk shkojnë fare, por në këto 5 vite unë i pari dhe të tjerët, kemi shtrënguar dhëmbët sepse pavarësia ka qenë kryesorja për ta garantuar pavarësinë. Ne duam drejtësi europiane jo si në Rusi, duam drejtësi të formës së prerë jo paraburgim pa gjyq”, u shpreh ai më tej.