Rasti i Ivanës, dëshmi të tmerrshme se si ishte rrahur nga burri para gjykatës dy orë para flijimit të saj me të bijën

Video ku Stojançe e rrah dhe e keqtrajton Ivanën tashmë të ndjerë, u prezantuan në seancën gjyqësore ku ai akuzohet për dhunë dhe nxitje të vetëvrasjes. Vetëm disa orë para vdekjes tragjike të Ivanës, Stojançe e kishte rrahur para Gjykatës Penale në Shkup, në dy raste ka ardhur policia, ka biseduar me ta dhe është […]

Prill 15, 2026 - 22:00
Rasti i Ivanës, dëshmi të tmerrshme se si ishte rrahur nga burri para gjykatës dy orë para flijimit të saj me të bijën

Video ku Stojançe e rrah dhe e keqtrajton Ivanën tashmë të ndjerë, u prezantuan në seancën gjyqësore ku ai akuzohet për dhunë dhe nxitje të vetëvrasjes.

Vetëm disa orë para vdekjes tragjike të Ivanës, Stojançe e kishte rrahur para Gjykatës Penale në Shkup, në dy raste ka ardhur policia, ka biseduar me ta dhe është larguar. Në pamje është i pranishëm edhe dëshmitari Martin Sazdov.

Sipas avokates së familjes së Ivanës, Neda Çallovska, që ky rast të jetë i plotë duhet të kërkohet përgjegjësi edhe nga policia, e cila sipas saj nuk ka vepruar siç duhet.

“Prandaj dua të theksoj se përveç këtij rasti, për të cilin presim që aktakuza të pranohet plotësisht dhe të shqiptohet dënimi maksimal, presim edhe zbardhje për veprimet e policisë. Vetëm atëherë, për ne si palë e dëmtuar, ky proces do të përfundojë plotësisht dhe do të arrihet drejtësia”, tha Neda Çallovska, Avokate e familjes së Ivanës Stojanovska.

Pamje tronditëse u prezantuan edhe nga momentet kur Stojançe vetë e filmon Ivanën në banesën e tyre. Ajo shihet e përlotur, duke folur me të me duar të kryqëzuara sikur po mbrohej. Stojançe e ka filmuar vazhdimisht me telefon ndërsa ajo i lutet të mos e godasë. Përveç videove, Prokuroria prezantoi edhe ekspertizë.

“Ekspertët kanë konstatuar lidhje mes dhunës së vazhdueshme nga ana e të akuzuarit dhe gjendjes psikike të Ivanës”, deklaruan nga Prokuroria.

Ivana Stojanovska më 2 mars të këtij viti i dha fund jetës në mënyrë tragjike së bashku me vajzën e saj gjashtëvjeçare. Për këtë tragjedi akuzohet bashkëshorti i saj, Stojançe Jovanovski. Lidhur me këtë rast, Kontrolli i Brendshëm i Ministrisë së Punëve të Brendshme ka dorëzuar në Prokurorinë për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit njoftim për 39 pjesëtarë të saj, të cilët kanë vepruar në mënyrë të gabuar lidhur me denoncimet e Ivanës për dhunë në familje. Seanca gjyqësore ndaj Jovanovskit vazhdon të premten./Alsat.mk.