Reagime pas sulmeve dhe incidenteve kundër shqiptarëve gjatë ndeshjes së basketbollit në Kumanovë (VIDEO)
Pas sulmeve dhe incidenteve të mbrëmshme kundër shqiptarëve gjatë ndeshjes së djeshme të basketbollit në Kumanovë, sot kanë ardhur edhe reagimet e para nga Klubi i Basketbollit BC Çair dhe Aleanca për Shqiptarët e Selës, nga ku thonë se dënojnë veprimet, duke i konsideruar kjo e fundit edhe si skenar për destabilizim, transmeton Portalb.mk. Klubi […]


Pas sulmeve dhe incidenteve të mbrëmshme kundër shqiptarëve gjatë ndeshjes së djeshme të basketbollit në Kumanovë, sot kanë ardhur edhe reagimet e para nga Klubi i Basketbollit BC Çair dhe Aleanca për Shqiptarët e Selës, nga ku thonë se dënojnë veprimet, duke i konsideruar kjo e fundit edhe si skenar për destabilizim, transmeton Portalb.mk.
Klubi i Basketbollit BC Çair 2030 ka reaguar fuqishëm pas incidenteve të rënda që ndodhën gjatë dhe pas ndeshjes ndaj KK Kumanovës, e zhvilluar dje në kuadër të Ligës së Parë të Maqedonisë së Veriut.
Në deklaratën zyrtare, klubi shpreh shqetësimin për atmosferën e tensionuar dhe thirrjet raciste të tifozëve vendas, të cilët brohorisnin fyerje me përmbajtje etnike. “Shqiptar i mirë, shqiptar i vdekur”, ishte një nga parullat e turpshme që u dëgjua në sallë, duke krijuar një atmosferë të papranueshme në një ngjarje sportive.
Si pasojë e këtyre skandaleve, delegati i ndeshjes urdhëroi zbrazjen e sallës, por incidentet nuk përfunduan aty.
“Pas ndeshjes, autobusi i ekipit BC Çair 2030 u sulmua, ndërsa mbi të u shkruan parulla me përmbajtje nacionaliste dhe fyese. Po ashtu, disa nga lojtarët tanë u përballën me sulme fizike nga persona të papërgjegjshëm”, thuhet në reagimin e BC Çairi 2030.
BC Çair 2030 e dënon ashpër këtë akt vandalizmi dhe kërkon ndërhyrje të menjëhershme nga institucionet përgjegjëse për të hetuar dhe ndëshkuar autorët e dhunës.
“Sporti duhet të mbetet vend i rivalitetit të shëndetshëm, respektit dhe bashkimit, e jo i urrejtjes dhe dhunës. Ne kërkojmë që aktet e tilla të ndëshkohen në mënyrë që të mos përsëriten më në arenat tona sportive”, përfundon reagimi i klubit.
Nga ana tjetër Alenaca për Shqiptarët e Ziadin Selës thotë se fyerjet dhe sulmi në Kumanovë, janë skenar për destabilizim dhe defokusim nga përgjegjësia e Qeverisë për Koçanin.
“Fyerjet ndaj shqiptarëve gjatë ndeshjes së basketbollit si dhe sulmi ndaj sportistëve dhe autobusit të Klubit të Basketbollit “Çair” në Kumanovë janë një skenar i radhës për destabilizim dhe tensione ndëretnike. E gjithë kjo është në vazhdën e tentimeve për defokusim të opinionit nga përgjegjësia e Qeverisë për tragjëdinë në Koçan. Ajo që u tentua me fishekzjarret e qëllimshme në Butel, tani u vazhdua me fyerje dhe sulme në Kumanovë, ku fatkeqësisht ky qytet përsëri rikthehet në poligon të skenareve për destabilizim”, thonë nga ASH.
Ata i bëjnë thirje Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe veçanërisht zëvendës ministrit, Astrit Iseni që të kapin sulmuesit, të dënojnë tifozët e pranishëm në sallë që fyen shqiptarët dhe të zbardhin në tërësi këtë rast, ose në të kundërtën të largohet nga ai post ku për të “disatën herë me radhë po dështon dhe dëshmon paaftësinë e tij”.
“Poashtu i bëjmë thirje edhe Ministrisë së Sportit dhe zëvendës ministres, Safije Sadiki që të mos sillen si shoqatë joqeveritare vetëm me deklarata, por të ndërmarin masa ndaj klubit nikoqir dhe organizatorit të ndeshjes. Me këtë rast presim reagim edhe nga Federata e Basketbollit për të dhënë një shembull që do të parandalonte ngjarje të ngjashme në të ardhmen. Aleanca për Shqiptarët përshëndet vigjilencën e sportistëve dhe çdo qytetari të pranishëm në vendngjarje për vetëpërmbajtjen dhe ju bëjmë thirje të gjithë qytetarëve që të ruajnë vigjilencën e të mos lejojnë të bien pre e provokimeve dhe skenareve të rrezikshme”, thuhet në ragim.