Real Madridi e nis furishëm, dy përforcime të zyrtarizuara – dy të tjera në pritje
Afati i transferimeve nuk ka nisur ende zyrtarisht, por Real Madridi ka shtypur gazin që në start. “Los Blancos” kanë hapur verën me dy goditje të fuqishme: emërimi i Xabi Alonsos si trajner i ri në “Santiago Bernabeu” dhe afrimi i qendërmbrojtësit të talentuar Dean Huijsen, i rrëmbyer mes konkurrencës së klubeve më të mëdha […]


Afati i transferimeve nuk ka nisur ende zyrtarisht, por Real Madridi ka shtypur gazin që në start.
“Los Blancos” kanë hapur verën me dy goditje të fuqishme: emërimi i Xabi Alonsos si trajner i ri në “Santiago Bernabeu” dhe afrimi i qendërmbrojtësit të talentuar Dean Huijsen, i rrëmbyer mes konkurrencës së klubeve më të mëdha në Evropë.
Por nuk ndalet me kaq: edhe Trent Alexander-Arnold konsiderohet tashmë futbollist i Realit, në pritje vetëm të konfirmimit zyrtar.
Strategjia është e qartë nga presidenti Florentino Perez: t’i dorëzojë trajnerit të ri një skuadër sa më të plotë para fillimit të Kupës së Botës për Klube.
Pas një sezoni të vështirë, të shoqëruar me dëmtime të shumta dhe një disbalancë evidente në skuadër, drejtuesit madrilenë kanë vendosur të dëgjojnë zërin e brendshëm dhe të tifozëve, të cilët kërkojnë gjithnjë e më shumë praninë e lojtarëve spanjollë në ekip. Kjo u bë edhe më evidente pas eliminimit nga Liga e Kampionëve, ku në mënyrë paradoksale, Arsenali kishte më shumë lojtarë spanjollë sesa vetë Reali.
Në këtë logjikë vjen edhe goditja e tretë: Alvaro Carreras. Mbrojtësi i majtë i lindur në vitin 2002, pas një sezoni të shkëlqyer me Benficën, është shumë pranë rikthimit në Madrid, aty ku është formuar si futbollist në moshë të re.
Sipas Marcas, transferimi i tij është çështje ditësh: objektivi është që gjithçka të mbyllet brenda javës, në mënyrë që Carreras të bashkohet me skuadrën që më 2 qershor.
Marrëveshja me lojtarin është arritur, mbeten vetëm disa detaje për t’u qartësuar me Benficën. Portugezët kërkojnë 50 milionët e klauzolës së lirimit, por Reali shpreson ende në një ulje të çmimit.
Gjithsesi, edhe nëse nuk ndodh kjo, Florentino Perez është gati të paguajë shumën e plotë për t’i dhënë Xabi Alonsos një tjetër gur të rëndësishëm në formimin e ekipit.
Me Carrerasin, Real Madridi shënon përforcimin e tretë të revolucionit të tij veror – dhe sigurisht nuk do të jetë i fundit. Klubi ka në shënjestër emra të tjerë për repartin e mesfushës dhe sulmit, me synimin për të ndërtuar një skuadër edhe më konkurruese, por mbi të gjitha me identitet të fortë spanjoll.
