Reprizë: Tetova sërish nën ujë, reshjet sollën dëme edhe në malësi

Reshjet e rrëmbyeshme të shiut mbrëmë kanë shkaktuar dëme përsëri në Tetovë, rrethinë dhe në malësi, shkruan Portalb.mk. Sipërfaqe të përmbytura, oborre, bodrume, shtëpi, objekte, pemë të rëna, shtylla, shtëpi të dëmtuara, llamarina të shkëputura, çati të dëmtuara, makina të dëmtuara dhe të ngjashme, janë vetëm disa nga dëmet që shkaktuan reshjet e shiut, breshëri […]

qershor 27, 2024 - 13:00
 0  7
Reprizë: Tetova sërish nën ujë, reshjet sollën dëme edhe në malësi
Nënkalimi në lagjen "Dardania" në Tetovë i mbushur me ujë pas reshjeve (27.06.2024). Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Reshjet e rrëmbyeshme të shiut mbrëmë kanë shkaktuar dëme përsëri në Tetovë, rrethinë dhe në malësi, shkruan Portalb.mk.

Sipërfaqe të përmbytura, oborre, bodrume, shtëpi, objekte, pemë të rëna, shtylla, shtëpi të dëmtuara, llamarina të shkëputura, çati të dëmtuara, makina të dëmtuara dhe të ngjashme, janë vetëm disa nga dëmet që shkaktuan reshjet e shiut, breshëri dhe stuhia.

Disa nga dëmet ishin bllokimi i rrugës në Vicë, rruga te Kazerma, bllokimi i kanalizimeve, dalja e kanalizimeve dhe hyrja nëpër pronat private të qytetarëve dhe të tjera.

Portalb.mk vizitoi disa nga dëmet në terren, qytetarët kërkojnë nga autoritetet që të gjejnë zgjidhje që kur të ketë reshje mos të ketë dëme të tilla.

“Po çdoherë njëjtë bëhet këtu, mjafton një orë shi dhe dalin në sipërfaqe të gjitha problemet, duhet më shumë punë në infrastrukturë”, tha një qytetar.

“Çdoherë na përmbytet bodrumi kur ka reshje, ndihmë nga autoritetet nuk ka për dëmshpërblime. Shpresojmë që këtë herë të na dalin në ndihmë”, tha një qytetare.

Nga ana tjetër, në terren punohet për pastrimin e hapësirave, si nga ana e institucioneve ashtu edhe nga qytetarët.

Qytetarët duke pastruar rrugën "Bllagoja Toska" mbi Kazermën e Tetovës pas reshjeve (27.06.2024). Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Qytetarët duke pastruar rrugën “Bllagoja Toska” mbi Kazermën e Tetovës pas reshjeve (27.06.2024). Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Ndërmarrja Publike Komunale “Tetova” informoi se ditën e kanë filluar me intervenim në rrugën e Banjës së Tetovës.

“Ku për shkak të erës së fortë, janë rrëzuar drunj të cilët kanë bllokuar dhe rrugën. Do të vazhdojmë të intervenojmë edhe më tej aty ku do të ketë nevojë”, thanë nga NPK Tetova.

Komandanti i zjarrfikësve të Tetovës, Avni Ahmeti theksoi se nga dita e diel e deri më sot, kanë pasur më tepër se 80 intervenime.

“Duke nxjerrë njerëz të bllokuar nga automjetet e tyre, nga shtëpitë, duke nxjerrë ujin nga podrumet e shtëpive e banesave kolektive, spitalit të qytetit, duke liruar nënkalimet në hyrjet e daljet e qytetit dhe duke bërë pastrimin e rrugëve të bllokuara në hyrje të fshatrave të Tetovës. Ne jemi gjithmonë të gatshëm për t’iu dalë në ndihmë qytetarëve tanë, në çdo kohë”, tha Ahmeti.

Qendra për Menaxhim me Kriza informoi se në 24 orët e fundit kanë pranuar 2388 thirrje në lidhje me reshjet dhe zjarret. Përveç se në Tetovë, dëme të mëdha ka edhe në Kumanovë dhe Shkup.

QMK theksoi se se vazhdojnë të pranohen njoftime për dëme.

“I gjithë informacioni u përzgjodh në mënyrën e duhur dhe u transferua tek autoritetet në pushtetin vendor dhe tek shërbimet dhe institucionet kompetente”, thanë nga QMK.

Komuna e Tetovës ka formuar komision ku qytetarët mund t’i paraqesin dëmet nga reshjet. Ata duhet të marrin një kërkesë dhe ta dorëzojnë të plotësuar në arkivin e komunës. Qytetari duhet të paraqesë: fletëpronësinë/prova e pronësisë, fotografi të ndërtesës së dëmtuar, kopje e kartës së identitetit dhe kopje e llogarisë së transaksionit.

Dëmshpërblim për qytetarët që kanë marrë dëmtime premtuan edhe ministri i Bujqësisë Cvetan Tripunovski dhe kryetari i Tetovës Bilall Kasami.

Sipas Drejtorisë për Çështje Hidrometeorologjike deri ditën e premte do të mbajë mot i ndryshueshëm i vranët, i paqëndrueshëm dhe me reshje të rrëmbyeshme dhe bubullima.

“Nesër në disa vende do të ketë stuhi me reshje të bollshme të rrëmbyeshme (mbi 30 l/m2) në kohë të shkurtër, bubullima, erë e fortë (mbi 60 km/h) dhe breshër. Gjatë fundjavës do të mbajë mot stabil dhe më i ngrohtë, ndërsa nga e hëna në fund të ditës sërish priten reshje lokale të rrëmbyeshëm dhe bubullima”, thonë nga Drejtoria për Çështje Hidrometeorologjike.

Qytetarët këshillohen të jenë të kujdesshëm para dhe gjatë paqëndrueshmërive të paralajmëruara meteorologjike lokale.

“Të gjitha rastet emergjente raportohen në numrin e vetëm të urgjencës 112 në QKM, veçanërisht kur qytetarët kanë situata kërcënuese për jetën. Njëkohësisht, QKM bën me dije se është e dobishme të ndiqen rekomandimet dhe informacionet nga media për parandalimin dhe reagimin ndaj emergjencave”, thanë nga Qendra për Menaxhim me Kriza.

Kujtojmë që Tetova u përfshi nga reshjet e dendura të shiut edhe të dielën (23 qershor), të njëjtat shkaktuan dëme të mëdha në Tetovë dhe rrethinë, si rrugë të bllokuara, bodrume të përmbytura, u përmbytën edhe bodrumet e Spitalit të Tetovës, vetura me xhama të thyer, pemë të shkatërruara, dëme të mëdha në bujqësi dhe shumë të tjera.